Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka kërkuar kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në 6 Mars 2022, të informojnë me shkrim zgjedhësit për qendrat e votimit.
Sipas kreut të KQZ, lajmërimi me shkrim i zgjedhësve duhet të përmbajë informacion mbi qendrën e votimit, vendndodhjen dhe adresën e saj, si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimit.
Njoftimi i plotë:
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi i rikujton kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në 6 Mars 2022, detyrimin që kanë për të lajmëruar me shkrim zgjedhësit e përfshirë në listën e zgjedhësve të shpallur tashmë nga zyrat e gjendes civile për qendrat e votimit.
Lajmërimi me shkrim i zgjedhësve duhet të përmbajë informacion mbi qendrën e votimit, vendndodhjen dhe adresën e saj, si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimit.
Zgjedhjet e pjesshme të datës 6 mars zhvillohen në një kohë të shkurtër, ndaj kryetarët e njësive të qeverisjes vendore duhet ta përmbushin këtë detyrim sa më parë, në mënyrë që zgjedhësit të kenë kohën e mjaftueshme për tu njohur me informacionin e nevojshëm zgjedhor.
Kryetarët e njësive të qeverisjes vendore me përmbushjen e këtij detyrimi që u buron nga Kodi Zgjedhor, duhet të raportojnë në KQZ të paktën një herë në javë. Mos njoftimi me shkrim i zgjëdhësve dhe mos raportimi në KQZ, sanksionohet me masë administrative nga Kodi Zgjedhor.
Gjithashtu, KQZ apelon qytetarët e bashkisë Dibër, Shkodër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë, të kontrollojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve dhe vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit pranë njësive të tyre administrative, si edhe në faqen zyrtare të KQZ-së, www.kqz.gov.al dhe të Ministrisë së Brendshme www.mb.gov.al.