MENU
klinika

“Defektet” e industrisë së peshkimit

Kuotat penalizuese për eksport me vendet e BE

23.01.2022 - 13:12

Industria e peshkimit në vend përballet me shumë problematika që pengojnë zhvillimin e saj, të cilat duhen të bëhën pjesë e politikës kombëtare për këtë sektor. Studimi i bërë nga ministria e Bujqësisë dhe GIZ, nxjerr në pah se kompanitë e fokusuara në përpunim kanë shpesh ciklin e tyre të mbyllur. Kështu, ato kanë vaskat si dhe anijet e tyre të peshkimit dhe pavarësisht kësaj, nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e përpunimit me produkte vendore dhe janë të detyruar të importojnë. Nga ana tjetër, disa nga këto kompani përpunuese janë të fokusuara në importimin e produkteve të papërpunuara ose gjysmë të përpunuara, sepse rezulton më lirë se furnizimi i fabrikës me lëndë të parë të prodhuar në vend.

Ndërkaq, në dokument thuhet se mbështetja për sektorin ekziston, por do të duhej të bëhej më shumë nga organet vendimmarrëse për t’i bërë prodhuesit vendas më konkurrues ndaj produkteve të importuara gjysmë të freskëta ose të freskëta. Studimi evidenton se shkalla e prodhimit dhe mjedisi i biznesit në vendin e origjinës së produkteve të importuara lejojnë një çmim konkurrues në krahasim me të njëjtin produkt të prodhuar në vend. P.sh. krapi i detit nga Turqia shitet në tregun me shumicë me 2,5 – 3 euro/kg, ndërsa prodhuesit vendas hyjnë në treg për të njëjtin produkt me 3.5-4 euro/kg.

Një tjetër shqetësim për industrinë është edhe vendosja e limiteve në eksport. Në sektorin e përpunimit të peshkut, konsiderohet se kuota ekzistuese e BE-së (1600 ton/vit peshk dhe produkte peshku) pengon zhvillimin e sektorit. Dhe në këtë pikë sugjerohet që të shikohet mundësia për të rinegociuar kuotën vjetore të peshkut dhe produkteve të peshkut të eksportuara në tregun e BE-së. Nëse kuota mund të rritet, kjo do të çonte në një përmirësim shumë të madh të sektorit.