MENU
klinika

Profil

Kush është njeriu që donte të vriste Vuçiç?

25.01.2022 - 12:36

Lideri i klanit të Kavaçit, Radoje Zvicer, i cili është në arrati që nga arrestimi i grupit të Veljko Belivuk në Beograd që nga shkurti i vitit të kaluar, është shpallur zyrtarisht si personi që do t’i bënte atentat presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Këtë informacion e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, i cili ka deklaruar se policia serbe i ka marrë të dhënat nga Europol. Radoje Zvicer është një nga njerëzit më me ndikim të nëntokës vitet e fundit. Së bashku me Slobodan Kashçan, ai u shënjua si lider i klanit të Kavaçit, i cili lidhet me trafikun e drogës, vrasje dhe krime të tjera të rënda. Zvicer u qëllua vitin e kaluar në mes të ditës teksa vraponte pranë banesës së tij në Kiev.

Dy sulmues të armatosur qëlluan dhjetëra herë, pesë prej të shtënave e goditën atë. Bashkëshortja e Zvicerit, Tamara, kishte dalë me vrap nga banesa dhe kishte qëlluar sulmuesit, duke i penguar që ta eliminonin. Falë saj, lideri i Kavaç është gjallë. Zvicer i shpëtoi atentatit në Ukrainë verën e kaluar dhe besonte se sulmi ndaj tij ishte organizuar nga “pantera rozë” Milan Ljepoja, i cili më pas u zhduk në Beograd. Hetuesit dyshojnë se Ljepoja është vrarë në Ritopek, me urdhër të Zvicer-it. Vitin e kaluar, klani i tij kishte filluar bashkëpunimin e ngushtë me Veljko Belivuk, i cili u arrestua dy muaj më parë në një operacion të madh policor dhe akuzohet për të paktën tre vrasje brutale dhe trafik droge.

Radoje Zvicer u arratis në shkurt të vitit të kaluar, menjëherë pasi bashkëpunëtorët e tij Veljko Belivuk, Marko Miljkoviç dhe pjesa tjetër e grupit u arrestuan. Policia malazeze hyri në shtëpinë e tij më 28 mars. Arratisja e tij përkoi me zbulimin e policisë holandeze, e cila zbuloi shpërndarjen e kokainës në vendet skandinave dhe rrugët e trafikimit të saj. Me atë rast u zbulua plani i bërë për vrasjen e Miliç Minja Shakoviç nga Podgorica, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në likuidimin e liderit të tifozëve të Partizanit, Aleksandar Stankoviç i njohur ndryshe si Sale Mutavi, i cili ishte mik dhe shef i Velja Nevolja sa ishte gjallë.

Gjithçka u zbulua në YouTube

Në dhjetor 2017, në YouTube u publikua një video me të dhëna dhe foto të personave që janë në dosjet e policisë, si edhe video, në të cilat tregoheshin drejtuesit kryesorë të klanit famëkeq të Kotorrit. Nuk ka ende konfirmim zyrtar nëse të dhënat e paraqitura në atë video janë të sakta. Nuk dihet gjithashtu nëse informacioni ka rrjedhur nga shërbimet e sigurisë.

Për autoritetet kompetente të Malit të Zi duket se mbetet ende mister se kush është autori i videos pesëmbëdhjetëminutëshe e cila gati katër vite më parë zbuloi se cilët janë anëtarët e lartë të “klanit të Kavaçit” dhe që tronditi rëndë nëntokën e krimit. Regjistrimi tregon të dhëna që mund të thuhet se hyjnë në kategorinë personale dhe konfidenciale. Tregohen numri i identitetit dhe pasaporta e Radoje Zvicer dhe Predrag Knezeviç, emra të rremë që më pas u deklarua se përdoreshin nga anëtarët e grupit Kavaç dhe të tjera të ngjashme.

Objektivi kryesor ishte Radoje Zvicer, kreu i kësaj organizate kriminale. Shfaqet një fotografi e vjetër e tij dhe ajo që më pas thuhej se ishte bërë pas një transplanti flokësh në Turqi. Thuhet se ai përdor emrin Josip Babiç dhe dokumente false. Se e gjithë kjo shkoi një hap më tej, tregon edhe incizimi i bisedës së bashkëshortes së liderit të grupit, Tamara Zvicer dhe Aleksandar Gjurishiçit.

Gjykata e Qarkut në Kiev urdhëroi që Radoje Zvicer dhe gruaja e tij Tamara të merreshin sërish në pyetje për shkak të tentativës për vrasjen e tij në pjesën elitare të qytetit në Ukrainë. Duke pasur parasysh se lideri i klanit të Kavaçit është në arrati që nga marsi i këtij viti, është shumë e diskutueshme se si do ta marrin sërish në pyetje. Edhe Serbia, edhe Mali i Zi kanë lëshuar urdhër arresti për të. Një gjykatë në Kiev u dha hetuesve një vit për të mbledhur prova shtesë kundër mercenarëve nga klani Kavaç.

Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, bëri të ditur se ekziston një grup i organizuar kriminal, i organizuar nga Radoje Zvicer, i cili synon të bëjë atentat dhe të vrasë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. “Pasi morëm informacion nga policia e një shteti anëtar të BE-së më 14 janar përmes Europolit, duke përdorur forma zyrtare të komunikimit midis policisë, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë, u njoftua zyrtarisht për ekzistencën e informacioneve operative për një grup të përbërë nga qytetarë të vendeve të ndryshme, i cili synon të vrasë presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç,” tha ministri Vulin./