MENU
klinika

Nga Mustafa Nano

“Lufta civile” në komunitetin mysliman

20.01.2022 - 11:11

Vizita e Erdoganit në Shqipëri ekspozoi edhe një herë problemet e komunitetit mysliman në Shqipëri, ose një pjesë të problemeve, mes të cilave bie në sy përçarja e këtij komuniteti mbi bazë flamujsh të huaj. E keni vënë re besoj që në përurimin që iu bë xhamisë së restauruar së Et’hem Beut, me para turke nuk u pa asnjë fytyrë e ndonjërit prej atyre që janë sot në komandë të këtij komuniteti. Dihet pse ka ndodhur? Krerët e komunitetit mysliman shqiptar janë gylenistë, dhe Erdogani me siguri e ka vënë si kusht praninë e tij në atë përurim. “Nuk dua gylenistë” duhet t’u ketë thënë autoriteteve tona, të cilat nuk ia kanë prishur qejfin. Ai madje, e theksoi edhe në fjalën e tij në Parlament mllefin e tij ndaj gylenistëve, të cilin ai do ta bëjë të jetë edhe mllef i yni ndaj tyre.

Por nuk dua të ndalem te ky problem. Dua të ndalem te përçarja e komunitetit mysliman. Është një përçarje reale, dhe nuk është se verifikohet vetëm në formën erdoganistë-gylenistë. Jo, brenda këtij komuniteti ka edhe njerëz që përfaqësojnë rryma të tjera të Islamit, apo edhe shtete të tjera, të cilat rëndom janë shtete ku janë arsimuar një pjesë imamësh shqiptarë. Këta të fundit, bashkë me diplomën e tyre nga një vend i caktuar, kanë sjellë edhe një lloj luajaliteti ndaj atij vendi e ndaj Islamit që praktikohet në atë vend, në Egjipt, në Jemen, në Siri, etj. Ndarja mes këtyre grupeve është më e fortë sesa ndarja mes Bashës e Berishës, apo këtyre të fundit e Ramës. Brenda komunitetit mysliman ka një luftë civile të heshtur, por është literalisht luftë civile.

Kjo është arsyeja që unë i bëra thirrje kryeministrit që ta marrë situatën në dorë, e të përballet me këtë problem. Për t’u përballur, ai duhet ta njohë më së pari problemin. Dhe problemi e ka emrin, përsëris, përçarja e armiqësia mes grupimeve të ndryshme mes myslimanëve shqiptarë, që kanë frymëzime e luajalitete të ndryshme, e që luajalitetin ndaj shtetit shqiptar e kanë të fundit në listën e tyre të përparësive. Edi Rama duhet të bëjë çfarë ka në dorë që ta kthejë Islamin shqiptar drejt Islamit të traditës, tek Islami i atyre shqiptarëve mysliamëne që kanë kontribuar për Shqipërinë, te Islami i Hafis Ali Korçës, Haxhi Vehbi Dibrës, etj, i cili ka qenë patriotike, ka qenë pro perëndimor, ose të paktën jo anti-perëndimor, ka qenë edhe laik. Islam laik. Për ata që ky term është i pakuptueshëm, apo të cilëve termi u sillet si oksimoron, me Islam Laik kuptoj Islamin që është pajtuar me idenë që feja nuk duhet të përzihet me shtetin e me shoqërinë, nuk duhet të përzihet me hapësirën publike, që u takon të gjithëve.

Kjo gjë duhet bërë urgjentisht. Ne nuk kemi pse të huazojmë apo imitojmë Islamin e të tjerëve. Ne kemi Islamin tonë, i cili, në ndryshim nga Islami europian, nuk është i ri. Është relativisht i vjetër, që do të thotë se ka marrë fytyrën e formën e shqiptarëve. Ne mund të mësojmë nga bora shumë gjëra, mund të mësojmë se ç’është demokracia psh, sepse nuk kemi jetuar ndonjëherë në demokraci, por jo Islamin. Islamin nuk kemi pse ta mësojmë nga Turqia, Egjipti, Siria, etj. Duhet ta mësojmë nga të parët tanë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Dosja “5D”/ Mariglen Qato edhe Redi Molla i dhanë 11 tendera kompanisë së vet!

Si ranë në pranga 9 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenë

Me firmën e tij ‘avulluan’ 140 milionë lekë në Fier!

Vetting/ ‘Dora e zezë’ e Ceno Klosit edhe tek Inceneratorët!