MENU
klinika

Pse u gjet gjysmë e zhveshur në kanal?

Mbyti dhe hodhi në kanal fqinjën, burg 58-vjeçarit

22.01.2022 - 12:51

58-vjeçari Fetah Marra, i cili dyshohet se që mbyti, zhveshi dhe hodhi në një kanal në fshatin Kozare 63-vjeçaren Fatime Suli, është përballur sot me togat e zeza të Gjykatës së Beratit, për t’u njohur me masën sigurisë. Gjatë një seance që zgjati rreth 60-minuta, prokurori Elidon Hyseni, në bazë të provave të grumbulluara ka kërkuar vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të tij dhe caktimi e masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat.

Gjyqtarja Matilda Llangozi, pasi u njoh me provat e organit të akuzës, e cilësoi “të ligjshëm” arrestimin e 58-vjeçarit dhe caktoi për vrasësin Fetah Marra masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat. Idris Kazazi, avokati i vrasësit, i caktuar nga shteti, ka deklaruar se vrasësi e ka pranuar krimin dhe ka shprehur pendesë. Gazetarja Eneida Petova ka siguruar për BalkanWeb dëshminë e autorit në sallën e gjyqit. Në lidhje me faktin që gruaja u gjet gjysmë e zhveshur në kanal, vrasësi ka deklaruar se në momentin e tërheqjes zvarrë për ta hedhur në kanal, i janë hequr tutat.

Të shumta kanë qenë ditën e djeshme edhe reagimet e familjarëve, të afërmve dhe komshinjve të familjes Suli në fshatin Moravë, të cilët janë dyshues në lidhje me shkaqet e vërteta të vrasjes, duke shkuar edhe më tej kur akuzojnë vrasësin se mund të ketë dashur të abuzojë me gruan 63-vjeçe.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 20 Janarit në lagjen “Havaleas” në fshatin Kozare. 63-vjeçarja Fatime Suli u gjet e vdekur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe e rrozga. Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe pasi nuk e kishin gjetur kishin njoftuar për ndihmë policinë. Vetëm pas rreth 1-orë kërkimesh, gruaja 63-vjeçe u gjet në një kanal, rreth 1 km larg banesës saj. Viktima Fatime Suli u transportua drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, rezultoi se shkaku i vdekjes së 63-vjeçares ishte asfiksimi nga mbytja me duar. Konfirmimi i vrasjes së gruas vuri në lëvizje policinë e Beratit, për të identifikuar dhe arrestuar autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Pas pyetjes së dëshmitarëve në vendngjarje si dhe vëzhgimit të disa kamerave në bizneset përreth, u bë i mundur arrestimi i autorit të vrasjes, 58-vjeçarit Fetah Marra, që rezulton të jetë komshiu dhe krushku i viktimës. Autori i vrasjes e pranoi krimin e rëndë por nuk ka dhënë detaje në lidhje me faktin pse gruaja ishte gjysëm e zhveshur në kanal.