MENU
klinika

Disidente, intelektuale, atdhetare

Musineja, gruaja e parë e letrave shqipe

18.01.2022 - 16:51

         Në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”

Musine Kokalari dalloi menjëherë, për nivelin intelektual dhe penën e ndritur. Kjo grua e jashtëzakonshme, nuk pati shumë kohë në dispozicion për të krijuar, por veprat që ajo la janë pa dyshim, tekste të çmuara të kohës dhe letërsisë shqipe. Shkrimtarja e parë shqiptare, e cila dha kontribut të madh në letërsi dhe i kushtoi vëmendje gruas shqiptare. Disidentja është vlerësuar për tregimet me karakter moral, përrallat e rrëfenjat që frymëzimin e gjenin në folklor, kryesisht ai toskë. Ajo shkroi me tensionin qytetar dhe mendimin demokrat, cilësi që nuk i mohoi deri në ditët e fundit të jetës, gjatë përndjekjeve nga regjimi komunist.

Vepra e shkrimtares së re shqiptare, do të përshkohej nga ndërgjegjësimi dhe emancipimi i gruas shqiptare, si një prej shqetësimeve më të mëdha të një intelektualeje me formim perëndimor.

Libri i tretë dhe i fundit i shkrimtares disidente “Sa u tund jeta”, doli nga shtypi 77 vjet më parë, janarin e viti 1945.

“…sa u tunt jeta” nuk ishte vetëm përshkrimi i dasmës tradicionale, ritualit më të rëndësishëm jetësor, dhe as vetëm një punim i rrallë etnolinguistik. Mes përshkrimit të atmosferës festive dhe të zhurmshme të dasmës, që përfshinte gjithë komunitetin, mungojnë zërat e dy të rinjve që do të lidhen në martesë. Ky libër është një klithmë.

Sipas Musinesë: “…sa u tunt jeta” është ëndrra e shkurtër e pak ditëve të vajzës gjirokastrite që pas asaj, ajo vihet ndënë thundrën e vjehrrës, rron ndënë tmerrin e vjehrit, me frikën e burrit që fjala e tij është urdhër për të.”

E lindur në Adana (Turqi) në gjirin e një familjeje gjirokastrite, në vitin 1920 u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, ku nisi shkollën fillore në Gjirokastër. Familja e saj u vendos në Tiranë, nëntë vite pasi u rikthyen në atdhe. Vëllai i saj, Veisimi, kishte një librari në kryeqytet në mesin e viteve ’30.

Më 1937 mbaroi Instituti Femëror “Nana Mbretneshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1941, me temë diplome për Naim Frashërin. Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të tjerë, themeloi më 1943, Partinë Social-Demokrate.

Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Vepra e saj e parë, “Siç më thotë nënua plakë” botuar në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, më korrik të vitit 1940, ishte në fakt një hartim i bërë në klasat e larta të Institutit Femnor.

Pasi u botua u përcoll nga një kritikë prej Lasgush Poradecit, më 30 të atij muaji

Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”. Ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg.

Musine Kokalari do të arrestohej më 17 janar 1946 dhe më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës, si sabotatore dhe armike e popullit.

Si intelektuale antikomuniste e paepur mbetet ikona e opozitës shqiptare në kohën e diktaturës. Në gjyq me guxim qytetar e njerëzor të pazakontë ajo e ka formuluar kështu kredon e saj:

“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”

Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981 sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Në një seancë gjyqi, ndërsa dikush thirri se ajo duhej të dënohej me vdekje në litar dhe kryetari Frederik Nosi e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”. Musineja nuk pranoi avokat. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që jep qartë edhe në qëndrimin e saj prej politikaneje, demokrate, konsekuente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe me konfiskim të pasurisë.

Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim si punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit. Pas punës ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, në bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat. E dërmuar nga vuajtjet dhe e rraskapitur nga punët e rënda, në vitin 1981 Musineja u sëmur nga kanceri. Dy vjet më pas, më 13 gusht 1983, ndahet përgjithmonë nga jeta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit