MENU
klinika

Australian Open

Nadal në çerekfinale, eliminohet Zverez

23.01.2022 - 14:09

Tenisti spanjoll Rafael Nadal ka siguruar një biletë për në çerekfinalet e grand slam të Australian Open, pas fitores 3-0 (7-6, 6-2 e 6-2) ndaj francezit Adrian Mannarino.

Fitore e merituar e ish numrit 1 në botë, që vuajti disi vetëm në setin e parë, ndërsa në dy setet e tjera e kishte lojën nën kontroll dhe e meritoi fitoren.

Në cerekfinale shkon edhe kanadezi Denis Shapovalov, që eliminoi numrin 3 në botë, tenistin gjerman Alexander Zverev. Kanadezi fitoi 3-0 (6-3, 7-6, 6-3), duke patur epërsi në fushë gjatë gjithë kohës. Zverev rivalizoi vetëm në setin e dytë, por ishte shumë larg asaj që pritej, duke humbur një shans të mirë për t’u bërë numri 1 në botë.

Edhe te femrat janë përcaktuar 4 tenistet e para çerekfinaliste. Numri 1 në botë, tenistja australiane Ashleight Barty, avancon më tej pas fitores 2-0 (6-4, 6-3) ndaj amerikanes Amanda Anisimova, në një ndeshje në përgjithësi të ekuilibruar në të dy setet.

Në çerekfinale shkojnë dy tenistet e tjera amerikane: Jessica Pegula dhe Madison Keys. Pegula mundi 2-0 (7-6, 6-3) greken Maria Sakkari, numrin 5 në botë, ndërsa Keys eliminoi spanjollen Paola Badosa (numrin 8 në botë), duke fituar po 2-0 (6-3, 6-1).

Nuk zhgënjen numri 4 në botë, tenistja çeke Barbora Krejcikova, që fitoi 2-0 (6-2, 6-2) ndaj bjelloruses Victoria Azarenka, duke u kualifikuar për më tej.