MENU
klinika

“S’kemi pasur asnjë imponim”

Nazarko: Afrimi i Ramës me Erdogan ka forcuar subjektivitetin ndërkombëtar në politikën e jashtme

18.01.2022 - 20:30

Analisti Mentor Nazarko ka komentuar vizitën e Presidentit të Turqisë në Tiranë Recep Tayyip Erdogan si dhe kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama për datën e kësaj vizite në ditën e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Nazarko tha në “Opinion” në News24 se data është e rastësishme dhe se nuk mund të vendosen vija lidhëse midis Turqisë së sotme dhe perandorisë otomane.

“Besoj se zgjedhja e datës është tërësisht e rastësishme. Papritmas shumë kritikë jo thjesht të kryeministrit Rama, por edhe ekskluzivistë fetarë apo ekskluzivistë po themi në relacionet që duhet të ketë Shqipëria me botën u zbuluan si përkujtues të fuqishëm të Skënderbeut.
Madje shumë prej armiqve të Ramës në planin e brendshëm u zbuluan dhe ata si skënderbejanë. Berisha, presidenti Meta dhe të tjerë. Vizita e djeshme ka pasur atë datë për shkak të axhendës së një kryetari shteti prej 80 milionë banorësh, i cili ka problemet e veta të brendshme të mëdha, i cili ka pozitën strategjike që kontrollon një nga rrugët më të randësishme të qarkullimit botëror, një shtet i fuqishëm, ushtrinë e dytë të NATO-s, ekonomi e madhe gjithashtu, një nga vendet më të mëdhenj në Evropë. Kështu që ti thuash atij se zgjodhe datën për Skënderbeun, ndërkohë që unë nuk mendoj se duhet të vendoset vijë lidhëse mes Turqisë së sotme dhe perandorisë otomane. Perandoria otomane ishte një realitet shumë etnik, që shpeshherë në krye të saj janë vendosur sulltanër apo vezirë shqiptarë”, tha Nazarko.

Sipas tij, të pretendosh, të vendosësh vija lidhëse midis një pushtimi 500-vjeçar të Shqipërisë me Turqinë e sotme, do të thotë të bësh lojën e atyre që janë neo otomanë.
“Që një shtet i madh si Turqia, me minoranca të brendshme, me pakica të brendshme, por edhe me diasporë të madhe t’i referohet një të shkuare historike, ku ka pasur peshën e vetë të madhe është gjithçka tërësisht legjitime, në kërkim të tregjeve të reja, në emër të rritjes së ndikimit gjeopolitik apo në emër të rritjes së ndikimit kulturor. Imagjinoni, ne shqiptarët, kombi shqiptar që është në përmasa të vogla në rrafsh europian, me gjithë diasporën e vetë të flasim për botë shqiptare, të flasim për shqiptarizëm. Është tërësisht normale që dhe Turqia t’i referohet një të kaluare të lavdishme. Ne flasim për neoilirizëm. Kështu që unë nuk shoh asnjë shqetësim sa kohë që kjo nuk shndërrohet në një doktrinë që imponon apo ndryshon boshtet kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë. Unë nuk kam parë që për shkak të kësaj miqësie, e cila është dhe ndërshtetërore, edhe midis popujve dhe kombeve, edhe ndërpersonale të kemi pasur ndonjë ndryshim të aksit kryesor të politikës sonë të jashtme”, tha analisti.

Ai theksoi më tej se ‘ndjeshmëria që rishfaqet për Skënderbeun, jo vetëm në këtë rast është diçka e shëndetshme, është diçka që e pasuron tërësinë e ndjeshërive që ekzistojnë brenda shoqërisë dhe kombit tonë’. Për Nazarkon afrimi i Ramës me Erdogan ka qenë një nga veprimet më të mençura të tij në politikën e jashtme, i cili e ka forcuar subjektivitetin e tij ndërkombëtar në politikën e jashtme.

“Gjithë vitin ne duhet të kujtohemi për rrënjët e kombit tonë. E vërteta është që prej Turqisë zyrtare ne nuk kemi pasur asnjë referencë e cila të na thotë largoni Skënderbeun nga historia juaj, apo shiko se Skënderbeu lëndon ndjeshmëritë tona, asnjë imponim të tillë, as në rishikimin e historisë. Nuk shoh asnjë moment në të cilin ekzistenca jonë kombëtare, ndjeshmëria jonë kombëtare të fyhen për shkak të vizitës së Erdogan. Ky është një vend i vogël, në të cilin ndikime të shteteve që nuk e shohin me sy të mirë këtë afrim të Shqipërisë me Turqinë të jenë të pranishme në individë, në intelektualë, në subjekte të shoqërisë apo kombit. Është tërësisht e kuptueshme. E dyta që Rama ka treguar një lloj preference, një miqësi të veçantë me Erdogan është e qartë. Rama e ka vizituar Erdoganin që pa e marrë mandatin e kryeministrit, në gushtin e 2013. Mendoj që ky lloj afrimi i tij me Erdoganin, me kreun e shtetit të një shteti kaq të fuqishëm globalisht ka qenë një nga veprimet më të mençura të tij në politikën e jashtme, i cili e ka forcuar subjektivitetin e tij ndërkombëtar në politikën e jashtme, jo thjesht në planin rajonal, por edhe në planin ndërkombëtar”, tha Nazarko.

Ai foli dhe për një lloj roli fjalëprurës të Ramës mes Perëndimit dhe Turqisë.
“Jo në pak raste, shihet, kuptohet, filtrohet qartë, edhe nëpërmjet raportimeve të mediave që Rama ka shërbyer si një lloj fjalëprurësi për të treguar rolin e tij në marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Turqisë. Për të përmendur si rast konkret, rastin e dënimit të një pastori amerikan nga gjykata turke dhe besohet fuqishëm që Rama ka shërbyer si fjalëprurës i Presidentit Trump në lirimin e atij protestanti në kohën kur dihet që Presidenti Trump kishte vota të fuqishme protestante dhe favorin e vet dhe donte që ta lironte, si veprën e tij ndërmjetësuese.
Po ashtu nga mediat është filtruar ky lloj raporti fjalëprurës jo thjesht ndërmjetësues, por edhe lehtësues i një lloj marrëdhënieje midis Turqisë dhe Greqisë edhe në të ashtuquajturën çështje të rishikimit të hapësirave detare midis tyre. Kjo lloj miqësie personale në vijën e marrëdhënieve të fuqishme midis Shqipërisë dhe Turqisë që kanë qenë dhe në periudhën e diktaturës komuniste, nuk ka pasur asnjë ndryshim.
Rama duket që i ka forcuar në planin ndërpersonal, ky lloj forcimi i miqësisë në planin ndërpersonal është përkthyer dhe në rritje të rolit të Turqisë në ekonominë tonë, në sistemin bankar, në sistemin energjetik, në ushtrinë tonë. Nuk është përkthyer në një zhvendosje të aksit tonë nga Perëndimi, apo në një përkeqësim të marrëdhënieve me fqinjët, për shembull me Greqinë”, deklaroi Nazarko.

Lidhur me akuzat që ekzistojnë brenda Turqisë për Erdogan dhe qeverisjen me dorë të hekurt, ai theksoi që niveli i demokracisë në Turqi është produkt jo thjesht i zhvillimeve të brendshme, por edhe i zhvillimeve ndërkombëtare.
“Ky është një perceptim që nga pikëpamja e ndjeshmërisë intelektuale demokratike të individëve me ndikim në botën tonë, në botën shqiptare është tërësisht normale ky kriticizëm, por marrëdhëniet me jashtë nuk përcaktohen nga shkalla e demokracisë që kanë vendet me të cilat ne zhvillojmë politikë të jashtme.
Niveli i demokracisë në Turqi është produkt jo thjesht i zhvillimeve të brendshme, por edhe i zhvillimeve ndërkombëtare. Turqia është vend i cili ka shumë forca të brendshme, centrifugale, pakica, kombësi të cilat duan që ta shohin të shkatërruar Turqinë e sotme, të jetë peng i luftërave civile. Është një shtet që është afër konflikteve më të rëndësishme të fundshekullit të 20-të apo fillim shekullit të 21-të, kështu që nevoja për centralizim është nevojë e brendshme e atij vendi, por është dhe nevojë e perëndimit në fund të fundit. Kështu që shkalla e lartë e autoritarizmit, apo shkalla në rritje e autoritarizmit turk nuk është çështje e brendshme e politikës shqiptare.
Kjo marrëdhënie, ky forcim i marrëdhënies me Turqinë e ka rritur subjektivitetin, forcën e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ky nuk është një shtet armik i Shqipërisë, nuk është një shtet që i ka imponuar Shqipërisë. Nuk i ka imponuar Shqipërisë dhe në një aspekt, siç është aspekti fetar”, tha Nazarko.

Sipas tij, Shqipëria megjithëse Turqia, jo thjesht në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe, por edhe në bazë të konventave ndërkombëtare është e detyruar që të bashkëpunojë me Turqinë, prapë se prapë Shqipëria i ka treguar Turqisë në këtë aspekt se për shkak të ankorimit të saj në familjen europiano perëndimore nuk mund të pranojë automatikisht çdo vendim të gjykatës turke. Kemi pasur 1 ose 2 raste të ekstradimit të të kërkuarve nga Turqia. Lista e të kërkuarve është shumë e madhe.
“Edhe për bizneset e përfolura, të cilat vetëm mund t’i pandehim Shqipëria ka treguar sens rezervimi dhe ky është tregues i qartë për të cilin duhet vlerësuar Turqia. Çdo shtet tjetër më këtë fuqi kaq të madhe do i ishte imponuar Shqipërisë. Edhe rasti i KMSH-së, fakti që ndonëse ne e kemi këtë problem…
Shqipëria e ka respektuar pavarësinë e vet dhe kjo nuk ka sjellë as kushtëzime as shantazhime të Turqisë ndaj Shqipërisë, por përkundrazi kemi parë forcim të marrëdhënieve ndërpersonale dhe ndërshtetërore”, tha ai.

Nazarko, nga ana tjetër solli si shembull shtetin fqinj Greqinë dhe ndërhyrjen e saj në kishën autoqefale ortodokse shqiptare.

“T’ju marr një shembull të Greqisë. Greqia e ka shndërruar çështjen e kreut të komunitetit ortodoks shqiptar, kishës sonë autoqefale në çështje të marrëdhënieve dypalëshe, e ka bërë këtë historikisht. Në vitin 1930 sa për t’ju dhënë një shembull, Shqipëria ka pasur problemin e pronave që Greqia nuk ia kompensonte drejtësisht dhe Greqia i tha na lejoni të emërojmë kreun e komunitetit ortodoks një grek dhe ne ua kompensojmë pronat e bejlerëve shqiptarë me vlerën e tregut. Mbreti Zog nuk e pranoi këtë, as Ramiz Alia nuk e pranoi. E pranoi kryepeshkopin Janullatos si të dërguar të përkohshëm. E pranoi Berisha, e kemi në krye të kishës sonë sot dhe Greqia çfarëdo lloj problemi që mund të kemi midis shtetit dhe komunitetit ortodoks e shndërron në çështje të marrëdhënieve dypalëshe. Është një moment që lidhet me të ashtuquajturin restaurim të atyre që janë trashëgimia e përbashkët kulturore. Ne kemi dorëzuar 1 ose dy, por siç e thashë është çështje e konventave ndërkombëtare. Ka konventë të OKB-së për ekstradimet dhe prapë ne kemi pranuar rekomandimin e Këshillit të Europës që të mos jemi automatikë në këtë veprim. Xhamitë e vjetra janë trashëgimia jonë e përbashkët, Turqia po i restauron ato dhe nuk po thotë që këto janë të Turqisë.
Çfarë ndodh me Greqinë, janë 160 kisha të vjetra, të cilat kjo kishë e jona autoqefale nuk po i restauron. Janë pjesë e të përbashkëtës sonë bizantine, por ama me identitet të qartë që lidhet me tokën shqiptare dhe nuk po i restauron. Për t’u përmendur Kisha e Labovës së Kryqit, është kisha e vendlindjes së njërit prej bamirësve më të mëdhenj shqiptarë, por që ka gjurmën e vet në ndërtimin e institucioneve kryesore të Greqisë. Është Vangjel Zhapa, parlamenti grek është ndërtuar prej tij. Ai ka lënë testamentin e tij, rindërtimin, restaurimin e kishave në vendlindje. Ai, Arsakeio apo dhe të tjerë dhe Greqia, ose kryepeshkopi Janullatos nuk po i përdor ato për të restauruar kisha të vjetra, por po i përdor për të ndërtuar kisha të reja dhe atje ku nuk ka ortodoks.
Vini re diferencën në trajtimin e çështjeve midis Greqisë dhe Turqisë, ndonëse përmasa e dy shteteve është përmasë tjetër”, deklaroi Nazarko.

“Fajin për djegien e mandateve e marr unë, por…”

Monika Kryemadhi: Nuk më rruhet fare as për SPAK-un dhe as për burgun!

Kreshnik Spahiu reagon ashpër: Ai do të nxjerrë që ky nuk ka lidhje fare me historinë e...

Krisje mes çiftit/ “Meta dhe Kryemadhi po aktrojnë një “film luftash” nga halli që i ka zënë