MENU
klinika

Analiza

Në Kazakistan po vdesin qindra njerëz, por çfarë interesi ka Rusia?

07.01.2022 - 20:12

Kremlini u kap në befasi nga kriza e papritur në Kazakistan, e cila, pasi filloi si një protestë kundër rritjes së çmimit të karburantit, u përhap në të gjithë vendin me shpejtësi rrufeje këtë javë dhe shpërtheu në dhunë në ish-kryeqytetin, Almaty. Vetëm disa ditë para Vitit të Ri, Presidenti rus Vladimir Putin priti presidentin aktual të Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev dhe paraardhësin dhe mbrojtësin e tij jashtëzakonisht me ndikim Nursultan Nazarbayev në Shën Petersburg në një samit joformal të disa liderëve post-sovjetike.

Asgjë nga ajo që ka ndodhur nuk ishte parashikuar në atë kohë.

Sapo të dy liderët u kthyen në shtëpi, protestat shpërthyen.

Të shkaktuara nga heqja e kufirit të çmimit për karburantin e automjeteve, vetë protestat u nxitën nga ndjenjat e përhapura të pabarazisë, varfërisë dhe korrupsionit. Brenda tre ditësh, ndërtesat qeveritare dhe automjetet e policisë u dogjën, bankat dhe dyqanet u plaçkitën dhe aeroporti ndërkombëtar i Almaty u pushtua nga protestuesit. Ndërsa policia u përpoq të rimarrë kontrollin e Almaty, dhjetëra protestues dhe tetëmbëdhjetë oficerë sigurie raportohet se janë vrarë.

Përhapja e shpejtë e protestave në një vend të gjerë, dobësia fillestare e reagimit të autoriteteve dhe natyra gjithnjë e më e dhunshme e protestave kanë shkaktuar kaos në një vend që është aleati i Rusisë në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive, partneri i saj në Bashkimi Ekonomik Euroaziatik dhe fqinji i tij përtej kufirit tokësor më të gjatë në botë (7500 kilometra), i cili në thelb është i pambrojtur.

Nga popullsia prej 19 milionësh e Kazakistanit, 3.5 milionë janë rusë etnikë.

Në Moskë nuk kishte kurrë asnjë iluzion për regjimin në Kazakistan.

Disa nga tiparet e tij, si autoritarizmi, shiheshin si një karakteristikë kryesisht stabilizuese, ndërsa të tjera, si korrupsioni, shiheshin si të pashmangshme në një vend të pasur me naftë.

Akoma të tjera, si politika e jashtme shumëvektorëshe e kombit të Azisë Qendrore – një akt balancues mes Rusisë, Kinës, Perëndimit dhe Turqisë, ndërkohë që nominalisht ishte një aleat i Moskës – ishin thjesht irrituese.

Në Kazakistan, Rusia kishte të njëjtin problem si në Bjellorusi: regjimi në pushtet ka arritur të monopolizojë kontaktet politike të Moskës në vend. Në elitën politike, kushdo që dyshohej se kishte lidhje tepër të ngushta me Rusinë u zëvendësua dhe u izolua.

Për më tepër, për të ruajtur marrëdhëniet e qëndrueshme me një aleat, partner dhe fqinj të rëndësishëm, Rusia zyrtare shpesh ka mbyllur një sy ndaj rritjes së nacionalizmit etnik kazak dhe raporteve për diskriminim de fakto ndaj rusëve etnikë në vend.

Tokayev nuk është aspak klienti i Moskës, megjithatë lejimi i tij (dhe Nazarbayev gjithashtu, më në fund) të rrëzohet, sipas mendimit të Moskës, do të lejonte që forcat e ultra-nacionalizmit të dilnin në pah, të ndjekura me gjasë në një moment nga radikalët islamikë.

Ndryshe nga Lukashenko, megjithatë, Tokayev nuk është sundimtar absolut. Ai nuk ka fuqi dhe autoritet të plotë, as forcat e tij policore dhe ushtarake nuk janë aq të motivuara sa kolegët e tyre bjellorusë për t’u marrë me protestat vetë.

Me trazirat që nuk treguan asnjë shenjë zbutjeje, pavarësisht dorëheqjes së qeverisë dhe shkarkimit nga Tokayev të Nazarbayev si kryetar i Këshillit të Sigurimit të vendit, presidenti kazak u detyrua të bënte thirrje për ndërhyrje nga jashtë. Më 5 janar, ai i bëri thirrje Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia (CSTO) për ndihmë në luftimin e asaj që ai e përshkroi si një “kërcënim terrorist” nga bandat e trajnuara nga jashtë.

Rusia iu përgjigj me shpejtësi thirrjes dhe organizoi një forcë paqeruajtëse të CSTO-së, duke dërguar 3000 parashutistë në Kazakistan më 6 janar. Anëtarët e tjerë të CSTO – Armenia, Bjellorusia, Kirgistani dhe Taxhikistani – po dërgojnë gjithashtu kontigjente simbolike prej shtatëdhjetë deri në 500 trupa.

Ndërhyrja ushtarake në Kazakistan është një lëvizje e rëndësishme nga Rusia dhe është e shoqëruar me rrezik. Nëse misioni i forcave ruse do të zgjerohej, kjo do të çonte në tjetërsimin masiv të popullit kazak nga Rusia, apo edhe në armiqësinë dhe rezistencën e tyre të plotë.

Kjo, nga ana tjetër, do të kishte jehonë në vetë Rusi, ku sondazhet e para sugjerojnë se dy herë më shumë njerëz kundërshtojnë dërgimin e trupave në Kazakistan sesa e mbështesin.

Përndryshe, nëse Rusia arrin të mbështesë regjimin dhe ta bëjë atë më pro-rus – jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra – atëherë Kazakistani, si Bjellorusia, mund të bëhet një aleat dhe partner më i besueshëm për Rusinë.

Më pas, politika e jashtme shumë-vektoriale e Nur-Sulltanit do të thjeshtohej, siç ka ndodhur së fundmi në Minsk dhe Jerevan.

Në këtë pikë, shanset duket se favorizojnë skenarin e fundit, i cili shpjegon vendimin e Kremlinit për të vazhduar me ndërhyrjen.

Burimi: The Moscow Times
Përktheu dhe përshtati: Konica.al