MENU
klinika

Migjen Basha

“Një ditë shpresoj të drejtoj Kombëtaren”

08.01.2022 - 22:37

Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares, Migjen Basha, i ka hyrë tashmë karrierës së trajnerit, teksa është bërë pjesë e edicionit të radhës të kursit të licencimit për trajnerë të nivelit UEFA A, që është niveli i dytë për nga rëndësia pas licencës UEFA PRO.

Ish-mesfushori kuqezi është mjaft entuziast për këtë rrugëtim të ri në karrierën e tij, ndërsa vlerëson shumë punë që po bëhet për këtë program arsimor me një kurrikul të mirëpunuar nga FSHF-ja në bashkëpunim me UEFA-n.

Në intervistën e dhënë për Fshf.org, Migjen Basha tregon se si e sheh kursin deri tani si edhe për synimet që ai ka në të ardhmen, duke mos fshehur edhe ëndrrën që një ditë të ketë mundësinë të bëhet edhe trajner i njohur, mbase edhe i Kombëtares.

KURSI UEFA A – “Deri në këtë moment kursi ka qenë vërtetë shumë interesant, sepse nuk kemi biseduar vetëm sa i përket anës teknike dhe taktike, pasi në momentin që ke dëshirën dhe objektivin të bëhesh trajner profesionist duhet të dish edhe shumë aspekte të tjera.

Aktualisht kemi punuar me pjesën teorike dhe në vazhdim besoj se do të punojmë edhe me pjesën praktike në fushën e lojës. Është me rëndësi që të diskutojmë për disa aspekte, që ndoshta kur kam qenë futbollist asokohe nuk i kisha problem, sepse mendoja për lojën në fushë dhe në momentin që kalon në rolin e trajnerit fillojnë shumë e më shumë probleme.

Duhet të bisedosh me drejtuesit, ke 25 lojtarë me të cilët duhet të diskutosh çdo gjë, me stafin teknik, mjekësor, etj., por besoj se me kalimin e kohës do t’ia arrijmë të gjitha qëllimet”.

FORMIMI I TRAJNERËVE – “Besoj se është një licencë shumë me vlerë, sepse momenti kur je anëtar i UEFA-s duhet të kesh trajnerë kompetentë dhe kjo është një punë shumë e mirë që po bëhet këtu në Shqipëri, sepse pavarësisht Superiores edhe në Kategorinë e Parë duhet të jenë trajnerë të formuar dhe siç e thashë duhet që në çdo aspekt të jenë të gatshëm, sepse ndoshta një ditë do të ketë edhe trajnerë shqiptarë që mund të kenë ambicie për t’u transferuar jashtë Shqipërisë dhe të bëhen trajnerë të njohur përtej kufijve”.

SYNIMI PËR TË ARDHMEN – “Kam filluar në një kategori të ulët në Zvicër për momentin dhe kur të pajisem me licencën UEFA A, atëherë besoj se me një licencë të tillë mund të hapen dyert më lehtë dhe ke më shumë mundësi në nivele më të larta.

Duhet punuar shumë që të kesh dhe mundësinë të drejtosh një skuadër më të mirë në nivele më të larta. Synimet janë të shumta. Së pari, dua që të kem licencën e trajnerit UEFA A për ta pasur më të lehtë të eci si trajner dhe pastaj dua të vazhdoj me licencën UEFA Pro.

Kjo është maksimalja në fushën e trajningut. Dhe ky është synimi im, siç kemi të gjithë synime dhe objektiva, shpresoj që një të mund të jem edhe trajner i Kombëtares”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN