MENU
klinika

Zbulimi i Madonës dhe fëmijës

“Njeriu i dhimbjeve” të Botiçelit fsheh një sekret

12.01.2022 - 18:11

           “Njeriu i pikëllimeve”, kryevepra e Botiçelit, që në 27 janar 2022, do të dalë në ankand nga “Sotheby’s” në Nju Jork, me një garanci prej 40 milionë dollarësh, fsheh një tjetër pikturë./Konica.al

Një portret i Krishtit të ringjallur: “Krishti, njeriu i pikëllimeve” (“The Man of Sorrows”), një vepër mjeshtërore e realizuar nga Mjeshtri, midis fundshekullit të 15-të dhe fillimshekullit të 16-të. Piktura del në ankand, në një kohë kur një tjetër kryevepër e Botiçelit: “Djaloshi me një medalje në dorë” u shit nga “Sotheby’s”, në janar 2021, me rekordin prej 92.2 milionë dollarësh, duke u bërë kështu piktura më e shtrenjtë e “mjeshtrave të vjetër” e shitur ndonjëherë në ankand. Krishti i Ngjallur do të ofrohet së pari me çmimin prej 40 milionë dollarësh në “Masters Week” (“Java e Mjeshtrave”), ndërkohë që është ekspozuar në Hong Kong, Los Anxhelos, Londër dhe Dubai para se të kthehet në Nju Jork.

The Man of Sorrows” u regjistrua për herë të parë në koleksionin e Adelaide Kemble Sartoris (1814-1879), një këngëtare e famshme operistike angleze, e cila, së bashku me bashkëshortin, ishin dy personalitete me ndikim në Anglinë viktoriane dhe Romë. Më vonë, piktura i kaloi stërmbesës së Adelaides, Lady Cunynghame, e cila e nxori në ankand në 1963 për 10,000 £ (rreth 28,000 dollarë). Që atëherë ka mbetur në të njëjtin koleksion privat, praktikisht e panjohur deri në përfshirjen e saj në ekspozitën monografike kushtuar mjeshtrit fiorentin në Muzeun “Städel” në Frankfurt në vitet 2009-2010. Kryevepra është një shembull domethënës i karrierës së vonë të Botiçelit, një paraqitje ilustruese e ndryshimeve në stilin dhe subjektet e artistit. Në kontrast me skenat e tij mitologjike poetike si “Lindja e Venusit” dhe “Pranvera” të dekadës së mëparshme, krijimtaria e Botiçelit në dekadën e fundit të shekullit XV e në vazhdim është më i matur, më solemn dhe me shpirt natyror. Tiparet më dalluese të pikturës janë paraqitja ballore e Krishtit dhe aureola e engjëjve që mbajnë instrumentet e Pasionit të pikturuar en grisaille, teknikë pikture ku imazhi bëhet tërësisht në nuancat gri dhe zakonisht modelohet ashpër për të krijuar iluzionin e skulpturës. Engjëjt vërtiten rreth kokës së Krishtit në një sfond të zi solemn. Vepra paraqet kokën dhe bustin e Krishtit, krahët dhe duart janë të lidhura me litar, por ai duket i lirë, me duart e kryqëzuara në gjoks në një gjest të qëllimshëm përulësie dhe keqardhjeje. Shikuesi është i aftë të sodisë sakrificën e tij. Vuajtja është vetëm tani pjesë e tij. Botiçeli synon të japë natyrën e dyfishtë të njerëzimit dhe hyjninë e Krishtit, duke i dhënë imazhit një thellësi të jashtëzakonshme psikologjike. Në krye, duke kurorëzuar tablonë, është kryqi, i cili është vendosur dukshëm mbi kokën e Krishtit si simbol i sakrificës, por edhe si emblemë e fesë së krishterë. Një treshe engjëjsh të lidhur me shirita elegante gjarpërore prej pëlhure në formë fjongo janë rregulluar rreth kryqit. Në veçanti, engjëlli në të djathtë ngre njërin skaj të qefinit, ose velit, të përdorur nga Shën Veronika për të fshirë djersën nga balli i Krishtit ndërsa ai e çon kryqin e tij në Kalvar. Është padyshim një vepër e artistit të ndjerë të Rilindjes, kur Botiçeli u ndikua shumë nga predikimet e fratit domenikan, Girolamo Savonarola dhe, rrjedhimisht, adoptoi një stil të karakterizuar nga simbolika e krishterë dhe një spiritualitet vizionar. Sipas Chris Apostle, drejtues në “Sotheby’s”, piktura e fshehur është një “Madona e butësisë”, në të cilën vetë Maria, nëna e Zotit, mban në djep kokën e Krishtit të mitur, faqe për faqe. Nga analiza me infra të kuqe dalin edhe palosje të një manteli, një pjesë e mëngës dhe krahu i fëmijës topolak. Për mua, ajo që më duket emocionuese, – shprehet Apostle, – është fakti që Krishti është paksa jashtë qendrës. Botiçeli ia ka epuar lehtë kokën, për ta bërë më njerëzore.

Botiçeli ishte mbi 55-vjeç, kur krijoi këtë tablo, në Rilindje konsiderohej moshë e kaluar dhe ndiej se ka diçka në këtë pikturë që Botiçeli po paraqet, të kuptuarit se ne të gjithë do të vdesim: ajo ka një ngarkesë të thellë emocionale. Nëse do ta kishte paraqitur Krishtin të plotë dhe të ngurtë, kjo do të ishte më shumë si një ikonë, pak më i padepërtueshëm”./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


I dha shkëlqim historisë së Italisë

De Medici, familja që u bënë banka qëndrore e Evropës