MENU
klinika

"Basha ka mbështetjen e amerikanëve"

Parashikimi i Ngjelës: Pas pak muajsh do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme

06.01.2022 - 10:30

Avokat Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama.

Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, avokat Ngjela fillimisht vlerësoi kreun e PD, Lulzim Basha, për të cilin theksoi se ka mbështetjen e amerikanëve dhe që do të triumfojë ndaj dyshes Berisha-Rama. Madje, zoti Ngjela nisur edhe nga situata paralajmëroi se vendi në muajt në vijim do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Basha e ka dobësuar Ramën sepse ka përkrahur amerikanët. PD vjen në pushtet sapo të mbarojnë këto turbullimet mesjetare, për 4-5 muaj do kemi zgjedhje të reja, sepse doli një lider i ri i së djathtës. Ku kishte lider e djathta. Tani nuk ka rëndësi se flet apo jo, e mbështesin amerikanët. pra do përkrahin këtë dhe në gjysmën e këtij viti do të kemi zgjedhje të reja. Pra do të ikin këto turbullirat, politika amerikane do të dalë më hapur, siç sollën edhe Saliun. Atë amerikanët e sollën. Çështja qëndron se për çfarë arsye anëtarët e PD nuk duan të vijnë në pushtet!? Pra si do të precipitojnë ngjarjet? Unë argumentin tim e dhashë”, deklaroi ai.

Më tej avokat Spartak Ngjela theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha nuk shkoi dje në selinë blu duke qenë se ishte dita e fundit që Basha duhet të lironte godinë, pasi sipas tij, ai ka frikë nga arrestimi. “Edhe Basha i ndihmoi në funksion të penalitetit. Pasi vuri dyert të blinduara, i mbylli. Po ti kishin shqyer ata, do kishin bërë vepër penale. Siç duket Saliut ia sqaruan ligjin, pasi e arrestonin në vend. Personi juridik është PD. Këta s’kanë krijuar parti. Ata thonë; jemi PD. Por PD ka struktura ligjore. E dini pse duhet të shkojë në gjykatë statuti?! Po sikur të thotë atje; parti naziste. Kush do e kontrollojë po mos të jetë gjykata?! Çdo lëvizje klandestinë, është ose naziste ose fashiste. Sali nuk shkon më se e kanë mësuar. Ai shkel ligjin. Deri tani e kanë toleruar se shteti është i dobët. Rama është me të. se po mos të jetë me të, s’del kurrë”, nënvizoi Ngjela.