MENU
klinika

Përjashtimet

PD informon Kuvendin për ndryshimet në grupin parlamentar

17.01.2022 - 15:20

Ashtu siç ishte paralajmëruar, këtë fundjavë, Basha thirri në selinë blu anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe pasi i njohu me vendimin e kryesisë së PD-së për përjashtimin e Berishës dhe 8 të tjerëve, më pas deklaroi propozimet për zëvendësimin.

Zëvendësimin kreu i PD-së e nisi nga një person, që në fakt nuk ishte pozicionuar me Berishën, por ka qëndruar heshtur në krah të partisë zyrtare.

Eksperienca e Alfred Rushajt si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike përfundoi të shtunën.



Kreu i PD-së njoftoi se kishte dakordësuar me Rushajn që ai të mos ishte më nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit.

“Në zbatim të vendimit të Kryesisë, ku është vendosur që organizatorët e dhunës të mos mbajnë pozicione drejtuese në Grup Parlamentar, dua t’ju njoftoj ndryshimet që do t’i propozoj Grupit Parlamentar. Kam vendosur që këtë ta ndaj më së pari me Këshillin Kombëtar të PD-së, ku është prezent e gjithë trupa drejtuese e partisë. Fillimisht dua t’ju informoj se me një vendim të përbashkët timin dhe të kryetarit të Grupit Parlamentar, z. Alfred Rushaj, kemi vendosur me dakordësi që drejtimi i grupit, me sfidat e reja që kemi përpara, t’i kalojë z. Enkelejd Alibeaj. Edhe pse z. Rushaj nuk është sot prezent në mbledhje për arsye shëndetësore, unë dua ta falënderoj atë për gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe, dhe bashkërisht jemi duke punuar për një projekt të përbashkët politik për të ardhmen, që ndihmon dhe çon përpara sfidat që ka PD”, mësohet se të ketë thënë Basha në takimin me dyer të mbyllura.

Ndërkohë, në vendin e Alibeajt, si nënkryetar i Kuvendit, Basha vendosi Agron Gjekmarkajn. Po ashtu, këshilli kombëtar e votoi Gjekmarkajn edhe si nënkryetar të PD-së.

“Nga ana tjetër, do të propozoj si nënkryetar të Kuvendit, z. Agron Gjekmarkaj, që gjithashtu kërkoj nga Këshilli Kombëtar që të votohet edhe si nënkryetar i Partisë Demokratike. Një përfaqësues i denjë i demokratëve, i botës akademike dhe i komunitetit katolik. Jam i bindur se z. Gjekmarkaj është vlerë e shtuar në lidershipin e Partisë Demokratike”, është shprehur Basha në takimin e Këshillit Kombëtar.

ZËVENDËSIMET NË KUVEND

Pas përjashtimeve nga PD për shkak të dhunës në protestën e 8 janari, Basha mori masa edhe për zëvendësimin deputetëve që ishin në pozicione të rëndësishme në komisionet parlamentare.

Ndryshimi i parë erdhi në Komisionin e Ligjeve, i cili konsiderohet edhe si komisioni më i rëndësishëm në Kuvend. Në këtë komision, sipas rregullores së Kuvendit, nënkryetari i takon opozitës.

Deri më tani postin e nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve e mbante Oerd Bylykbashi.

Ndërsa pas masës për pezullimin e tij nga PD, Basha ka vendosur që në vend të tij si nënkryetar të Komisionit të Ligjeve deputeten Dhurata Çupi.

Ndërkaq, Albana Vokshi nuk do të jetë më në krye të Komisionit të Shëndetësisë në Kuvend. Tashmë ajo është përjashtuar nga PD dhe Basha i ka besuar drejtimin e Komisionit të Shëndetësisë në kryetares së PD-së, Grida Duma.

Ndryshime do të ketë edhe në Komisionin e Medias. Agron Shehaj tashmë do të jetë nënkryetar i Parlamentit dhe në vend të tij në Komisionin e Medias do të jetë deputetja Flutura Açka.