MENU
klinika

Kadare si një kauzë celebrimi

”Për Romë të tretë, Moskën mbajnë Ata…”

29.01.2022 - 00:18

         Ismail KADARE, u bë sot 86 vjeç, me një jetë letrare e cila, unanimisht dhe globalisht, konsiderohet si një “cause celebre” për lexuesit seriozë të çdo gjuhe dhe kulture – shkruan Gëzim Basha dhe vazhdon:

I pari shkrimtar Shqiptar që shkeli çdo kufizim të kulturës amtare, Kadare krijoi një univers letrar në sinkron të plotë me tendencat e letërsisë më të mirë bashkëkohore. Në nje moshë fare të re, ai u shfaq në anën gjeniale të shkrimit letrar. Kreshendoja e Kadarese e shenon kulmin e saj të parë me vellimin e tij të tretë poetik, “Shekulli Im,” për të vazhduar pastaj me shfaqjen e tij meteorike në prozën e gjatë. Trajektorja e tij në prozë, në mënyrën më atipike të mundshme, nisi nga pika e një lartësie të pambritur më parë, me botimin e romanit, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur,” një kuazi-pastish tronditës i romaneve të brezit të humbur dhe atyre “Noir,’ për tu mbyllur së fundi me “Kukulla” një kryevepër mbi trashegiminë amnore që e formon bazorelievin e nënës duke eksploruar me detaje të paharueshme sensore tabletën e shqetësimit Prustian mbi gjurmët e kohës.

II

“I bekuar” ta strukturojë ngrehinën e ti letrare brenda një shoqërie pak a shumë primitive ku shpesh dënimi i tjetrit shihet si shkak për zbavitje, Ismail Kadare, për një kohë të gjatë, është goditur hapur dhe pas shpine, por vepra e tij është gjeja më e imunizuar nga vërshimi i llumit. Në kontrast me kete Turp Shqiptar, askush ne Perendim nuk e lidh vepren e Kadarese me “gjedhet,” vulgare te Realizmit Socialist. Ja disa vleresime për të nga disa autoritete globale për ekselencë akademike në studimin e letersisë:

“Pak e vështirë të besohet,” thotë romancieri dhe kritiku amerikan, John UPDIKE, “por prej Shqipërisë primitive vjen njëri nga përdoruesit më të mençur të teknikave të modernizmit dhe postmodernizmit.”

Ne vepren e tij seminale Fjalori I Termave te Letersise (Dictionary of Literary Terms)–nje reference e pazevendesueshme ne shkollen anglosaksone–ne hyrjen per romanin, studjuesi Britanic J. A. Cudon, shkruan, “Romancieri I jashtzakonshem Ismail Kadare eshte jo vetem shkrimtari me i madh Shqiptar, por edhe njëri prej romancierëve më të shquar të kohës sonë.”

David Bellos, profesor i Princton University—autoriteti ndoshta më i shquar Anglo-Amerikan i letërsisë në frengjisht—shprehet se leximi i Kadaresë ta sjell botën në formën e saj letrare, si një përzierje mjeshtërore e mitit dhe folklorit, populluar pastaj me portrete mëndjesh moderne nga realitete lokale, të dhëna me një humor sa të zhveshur po aq mjeshtëror.”

James Wood i Harvard University, i konsideruar si zëri më autoritar i kritikës letrare amerikane, mahnitet nga humori i ngrohtë i rrëfimtarit si radikal i pafajshëm tek “Kronikë në Gur,” teksa admiron ironinë e koncentruar tek “Koncerti” dhe “Pasardhësi.”

III

Poezia e Kadaresë—pak e studiuar edhe pse ofron shumë për të kuptuar atë gjëndje të veçantë mendore që fermentoi prozën e tij—solli botën urbane me një emancipim ideor, gjuhësor dhe stilistik të vrullshëm. Kur në poezinë Shqipe femra ende quhej “vashë,” Kadare solli botën dinamike të metrove dhe aeroporteve ku ndarja mbetet, “po aq e moçme dhe njëkohësisht e re.” Ai, edhe ne poezite e ndjeshme të dashurisë, bënte me finesën e një mëndjeje skajshmërisht të mprehtë, aludime që godisnin vdekshëm vulgaritetin e kulteve. Konsideroni vargjet e mëposhtme,

Më dhimben statujat që rrinë në shi,

Oh, mbi pjedestale është mërzi…

Teksa CNN jepte këto ditë pamjet e kufirit Ukraino-Rus ku ushtaret pozicionohen midis ledheve të dëborës, njëri prej analistëve nxitoi t’a lidhë gjithçka ndodh me ambicien e Putinit për t’a shndruar Moskën në Romën e tretë, duke më kujtuar dy strofa nga poema e Kadaresë, “Shqipëria dhe Tri Romat,” botuar 46 vjet më parë, kohë kur Kadare e shihte Mekën e komunizmit si maskim të profecive pravosllave.

Për Romë të tretë,

Moskën mbajnë Ata,

Dhe Romë të katërt

Thonë murgjit s’ka!

Ah profeci sllave,

Trockij Manastir,

Botës seç i dhatë

Një mesazh delir…

Të habit fakti se të vetmit kritikë që i kuptuan përmasat e gjenisë së Kadaresë përmes poezisë, prej mbi 50 vjet nuk jetojnë më. Ata mbeten dy: David Smaillov, një botues Rus që shkroi parathënien e përmbledhjes së tij të parë me lirika në Rusisht në vitin 1960, dhe i ndjeri Drago Siliqi, perfaqsuesi më i shquar, dhe ndoshta i vetëm i kritikës letrare praktike në shqip, prej viteve 60-të e më pas. I pari vë në pah tendencat moderniste të Kadaresë, prirjen e tij të brendshme për ta injoruar socrealizmin, i dyti ngashnjehet nga ngulmimi Kadarean për të kërkuar të rënë me eksplorime eksperimentale lirike.

IV

Vazhdon te mbetet masivisht i pakuptuar dhe shpesh i sulmuar nga hjekës lugjesh të pabesa—produkte të mjera të një kulture inferiore dhe ende të izoluar. Tipologjia e sulmuesve te tij eshte aq e larmishme saqe perfshin tërë mercenarët dhe psikopatët e çdo ngjyre, një amalgamë ku përfshihen nja dy akademikë “trukokallë” nga Prishtina, të mbetur në paradigmën vulgare të historicizmit serbo-kroat, dhe disa persëritës litanish nga Tirana që guxojnë ti ofrojnë shkrimtarit receta morale për të shkruar letërsi skematike. Ka ndër ta madje edhe ish-doganiere te kontrabandes se viteve 90-te, tashme “historianë” antikomunistë në biznesin e te folurit pa doganë.

Vepra letrare e Ismail Kadarese e ngriti gjuhën Shqipe në majat e letërsisë planetare—një kauzë legjitime për celebrimin e arritjes më të madhe të shkrimit në tremen e asaj “gluhës sonë” siç pat thënë dikur Buzuku në vetminë e famullisë së tij gati 600 vjet më parë.

 

Titulli, redaksional…

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët