MENU
klinika

Analiza

Pesë zhgënjimet e vitit të parë të Joe Biden

22.01.2022 - 07:13

Nga Alberto Bellotto “Il Giornale

Viti i parë i Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë nuk ishte aspak i lehtë. 365 ditë pas marrjes së detyrës, pasardhësi i Donald Trump ka jo pak telashe përpara. Muajt ​e tij të parë në detyrë nisën mirë. Biden arriti të kalojë në Kongres paketën stimuluese në kuadër të rimëkëmbjes nga pandemia, dhe planin e rindërtimit të infrastrukturës, ndërkohë nisi fushata e shpejtë e vaksinimit dhe pati një rënie të numrit të të infektuarve me Covid-19. Por më pas mbërriti vera, dhe aty nisëm problemet e vërteta.

  1. Pandemia:Nga suksesi tek valët e reja goditëse të pandemisë

Në gati gjithë fushatën zgjedhore të vitit 2020, Biden sulmoi Trump mbi mënyrën e menaxhimit të pandemisë. Dhe në fakt, në 100 ditët e para, qasja e presidencës së tij u duk të ishte ndryshe. U rrit numri i të vaksinuarve, dhe ra ai i vdekjeve. Më 4 korrik 2021, me rastin e ditës së pavarësisë, presidenti shkoi aq larg sa të deklaronte se SHBA “ishte më afër se kurrë pavarësisë nga virusi vdekjeprurës”.

Por brenda pak muajsh u shfaqën dy variante të Sars-Cov2, Delta dhe Omicron, që ia prishën planet. Në vjeshtën e vitit të shkuar, presidenti u detyrua të vendoste kufizime të reja. Ndërkohë, rastet janë në rritje në disa shtete, vdekjet po ashtu, ndërsa sistemet shëndetësore janë sërish nën presion.

Ndërkohë administrata federale është përplasur me shumë administrata shtetërore të kontrolluara nga republikanët, si dhe me Gjykatën e Lartë. Me të parët për zbatimin e rregullave për distancimin fizik dhe maskat, dhe me të dytën për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve në kompanitë e mëdha.

2 . Ekonomia: Makthi i inflacionit

Nën presidencën Biden, u krijuan 6.4 milionë vende pune, me një normë rritjeje ekonomike të paprecedentë, dhe me një normë papunësie gati të përgjysmuar. Edhe pagat janë rritur me 4.7 për qind krahasuar me vitin 2020. Por të gjitha këto shifra nuk perceptohen nga amerikanët e zakonshëm.

Pasi inflacioni ka arritur në 7 për qind, niveli më i lartë që nga viti 1982. Joe Trippi, një këshilltar politik i demokratëve, tha për “Washington Post” se “shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se janë krijuar miliona vende pune, përkundrazi ata po e shohin se për të mbushur makinën me naftë duhet të paguajnë 10 dollarë më shumë, dhe se buka është më e shtrenjtë”.

Në fillim të këtij viti, administrata Biden shpjegoi se rritja do të ishte vetëm e përkohshme, dhe se ishte pasojë e pandemisë, por kurba në rritje e çmimit të disa produkteve si energjia, ushqimi dhe shtëpitë, e zbehu optimizmin e demokratëve. Sipas një sondazhi të Universitetit Kuinkipiak 54 për qind e amerikanëve mendojnë se ekonomia po përkeqësohet, dhe 57 për qind janë të pakënaqur me mënyrën e menaxhimit të situatës nga Shtëpia e Bardhë.

  1. Drejtësia sociale dhe emigrantët

Gjatë vitit të tij të parë në detyrë, presidenti Biden shpërndau ndihma ekonomike për komunitetet më të prekura, sidomos ato afrikano-amerikane, si dhe një paketë ndihme prej 5 miliardë dollarësh për fermerët me ngjyrë. Megjithatë, as kjo ndihmë nuk mjaftoi.

Shumë afro-amerikanë mbetën të zhgënjyer, dhe përmendin si shembull mos-reformimin e trupës policore.

Një zhgënjim i ngjashëm vërehet edhe mbi çështjen e emigracionit. Viti i parë i Bidenit u shënua nga vazhdimësia e politikave të Trump. Pasi e pezulloi përkohësisht, administrata ka riaktivizuar rregullin që u kërkon azilkërkuesve të paraqesin kërkesën e tyre kur janë në Meksikë dhe të presin atje për një përgjigje të mundshme.

  1. Politika e jashtme:Largimi kaotik nga Afganistani peshon shumë

Pavarësisht heqjes dorë nga izolacionizmi i Donald Trump me sloganin “Amerika është rikthyer!”, simboli dominues i politikës së jashtme të Biden është tërheqja kaotike nga Afganistani në fundin e muajit gusht 2021. Sigurisht, ai dështim i atribuohet në tërësi gabimeve të 4 administratave.

Zgjedhja e Biden për të zbatuar Marrëveshjen e Dohës midis Shteteve të Bashkuara dhe Talebanëve, u diktua edhe nga fakti se një pjesë e madhe e opinionit publik ishte dakord me largimin sa më shpejt që të ishte e mundur nga ky vend. Problemi është se ky proces mund

të ishte zbatuar në një mënyrë më pak katastrofike.

Por problemi kryesor mbetet marrëdhënia komplekse me Vladimir Putin. Përgjatë 1 viti, Biden ka biseduar disa herë me homologun e tij rus, por tensionet sidomos rreth çështjes së pazgjidhur të Ukrainës, mbeten shumë të larta. Pastaj janë edhe dështimet në raport me çështjet e Kinës dhe Iranit.

5 – Demokracia:Dështoi qasja e butë ndaj autokracive

Gjatë gjithë fushatës elektorale, Biden e prezantoi veten si të aftë për të “shëruar shpirtin e Amerikës”, pra për të kapërcyer përçarjen e madhe midis partive,si edhe midis vetë amerikanëve. Problemi është se pas një viti kjo përçarje nuk duket aspak e riparuar, madje vendi mbetet më i polarizuar se kurrë më parë.

Gjatë shumë viteve si kongresmen dhe senator, Biden ka arritur të ndërtojë imazhin e një negociatori të aftë dhe të gjejë gjithmonë mirëkuptimin mes palëve. Problemi është se Kongresi ka ndryshuar vitet e fundit, dhe partitë janë gjithnjë e më larg njëra-tjetrës në qëndrimet që mbajnë.

Viti 2022 do të shënojë përfundimisht atë që do të jetë presidenca e Joe Biden. Dy pjesë nga reformat e tij më të rëndësishme janë të bllokuara. E para “Build Back Better” mund ta ndihmonte atë në luftën kundër inflacionit, por kundërshtimi i demokratëve të moderuar si Joe Manchin dhe Kyrsten Sinema rrezikon të jetë fatal.

E dyta është projekti për zgjerimin e të drejtës së votës, që do ta ndihmonte me votat shtesë të afro-amerikanëve. Por edhe kjo nismë është e bllokuar nga obstruksionizmi republikan dhe vështirë se do të miratohet.