MENU
klinika

Disidenti legjendar

Publikohet dosja e shkrimtarit Uran Kostreci

25.01.2022 - 10:18

         “Ju thoni liria, në fakt nuk ekziston. Në rast se ka liri, përse atëherë nuk lejohet edhe Shqipëri demokracia, grevat e të tjera si në vende të botës? Këtu nëse flitet kundër partisë ose pushtetit juve të fusni menjëherë në burg. Atëherë, pse thoni ka liri?”

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka vënë në dispozicion të studiuesve dhe të interesuarve dosjen e Uran Kostrecit, i burgosur politik nga diktatura komuniste. Mendimet e Uran Kostrecit për barazinë, lirinë dhe demokracinë mund t’i lexoni në dosjen e përpunimit me nr. 5997, deklasifikuar me vendim të KDZH nr. 2, më 22.01.2018.

Uran Kostreci u lind më 1938 në Sarandë. Arrestohet më 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.

Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi.

Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, pa mundur t’i botonte për arsye biografie. Ndërsa, botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist, në shtypin e përditshëm.

Ka botuar disa vëllime me poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, vargjet që i shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi t’i botonte më vonë, sepse i mësoi përmendsh…

Epopeja e Karkalecave

U mbush dyniaja
Me karkalecë
Ka mall njeriu
Përdhe të ecë

Kërcejn’ përpjetë
Të çajn’ turinjtë
Lëvrijnë sheshit
Më keq se minjtë;

Ca bark jeshilë
Kok’ kuqalashë
Me yll në ballë
Me këmb’ si mashë

Roitën, befas,
Plot zhurmë e bujë
Duke përhapur
Panik, rrëmujë:

-Ne karkalecët
Më nuk durojmë
Pushtuesit, vetë
Do t’i luftojmë
……………….
Ndërkaq fajkojtë
Në ajr luftonin
Që, ata, qiellin
Ta zotëronin

Mësynin egër
Mbi shpesërinë
Ua shkulën puplat
Bënin kërdinë

Zogjt’ e gjith’ botës
Përball rrezikut
Në fyt i hidhshin
Sqifter armikut

Të dyja palët
Një mizëri,
Në ajr luftonin
Si ushtëri

E duke klithur
Lart midis resë
Me sqep i binin,
Shoshoqit, kresë

Sy, këmbë e pupla
Përgjakur, prore,
Nga qielli binin
Si flok’ dëbore!

Kërdi e zezë
Në qiell zhvillohej
Kur karkaleci
Përposh trimrohej…

Zvarrisej… bythas
Zinte pusira
Kur nga lart binin
Fajkoj me mijra

Dhe një fajkua
Përdhe’ sa piqte
I ngordhur fare
A shpirt tek hiqte,

Gjith’ karkalecët
I jepnin dërmën
Duke çukitur
Si korbat kërmën!

Këto çukitje
Përmbi kufoma
A mbi t’plagosur
E gjallë akoma

Dhe ec-e-jaket
Në pyll, në mal
I trumbetonin
Si front special!

Uran Kostreci ishte kryeredaktori i parë i gazetës “Liria”, gazetë e të përndjekurve politikë, ku solli për herë të parë frymën antikomuniste, lëvroi dhe publikoi dosje, figura, klerikë të persekutuar nga regjimi komunist.

Shkrimtari, poeti, gazetari Uran Kostreci u nda nga jeta në korrik të viti 2021, në moshën 83-vjeçare.