MENU
klinika

Në kërkim të Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit

RENEA dhe FNSH kthejnë “përmbys” tre qytete

18.01.2022 - 14:50

Dy nga njerëzit më të kërkuar në Shqipëri për një sërë vrasjesh duket se kanë arritur të sfidojnë edhe institucionet e shtetit. Bëhet fjalë për Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin, të akuzuar si të përfshirë në disa vrasje në vend, kryesisht në Elbasan dhe në Durrës.

Bëhet me dije se rreth 10 operacione policore për arrestimin e këtyre dy personave kanë dështuar. Burimet thanë se më shumë se 10 operacione kontrollesh janë kryer nga skuadra operacionale e Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcave RENEA për kapjen e të shumëkërkuarve Talo Çela dhe Nuredin Dumani. Mësohet se kontrollet policore janë kryer në banesa në qytetin e Elbasanit, në qytetin e Peqinit, por edhe në Njësinë Administrative Luz të Bashkisë Kavajë.

“Panorama” ka mësuar nga burime të sigurta se operacionet janë mbajtur top sekret që të mos dekonspiroheshin. Por kjo nuk ka mjaftuar, dhe gjatë këtyre kontrolleve, efektivët e FNSH-së dhe RENEA-s kanë dështuar. Mësohet se të gjitha kontrollet e kryera në banesa ku dyshohej se strehohen të shumëkërkuarit janë kryer me urdhër të lëshuar nga gjykata.

AKUZAT NDAJ TALO ÇELËS

Talo Çela është një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare për përfshirje në një sërë krimesh, por rezulton edhe në kërkim ndërkombëtar. Ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Talo Çela rezulton si autor i dyshuar për grabitjen spektakolare të 9 prillit 2019 në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, ku një grup personash të armatosur grabitën miliona euro, të cilat po transportoheshin jashtë vendit nga një bankë e nivelit të dytë.

Një nga krimet e rënda ku dyshohet se është përfshirë është edhe ekzekutimi i Besmir dhe Viktor Haxhisë, ngjarje e ndodhur më 27 prill të vitit 2020 në zonën e Sukthit në Durrës, vrasja e cila dyshohet për shkak të humbjes së një shume parash të grabitura në Rinas dhe që ruheshin në servisin e Besmir Haxhisë.

Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, i arrestuar për vrasjen e dy vëllezërve. Për këtë ngjarje është arrestuar edhe Altin Ndoci.

NUREDIN DUMANI

Nuredin Dumani, 37 vjeç, është mik i Talo Çelës dhe dyshohet të jetë vrasës me pagesë. Ai akuzohet nga organet e drejtësisë si i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Haxhia. Dumani ishte shok i Klevis Kapllanajt, i ekzekutuar me 14 plumba më 14 shtator të vitit 2020.

Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, teksa sot ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij.