MENU
klinika

Mund të konsiderohen burime ‘të pastra’ të energjisë?!

Si funksionojnë termocentralet e gjeneratës së re

27.01.2022 - 14:54

Nëse është e vërtetë që Marrëveshja e Gjelbër të cilës ne po i përmbahemi kërkon që ne ta çojmë bilancin neto të emetimeve të gazeve serrë në zero në Europë deri në vitin 2050, është gjithashtu e vërtetë se diku duhet të marrim energji. Dhe energjia bërthamore, me të gjitha të metat e saj, ka një avantazh të padyshimtë: nuk prodhon gazra serë.

Çështja u bë përsëri aktuale në fillim të vitit 2022, kur Komisioni Europian vendosi të përfshijë energjinë bërthamore në një listë të aktiviteteve ekonomike të konsideruara të qëndrueshme nga pikëpamja mjedisore, e ashtuquajtura “taksonomia” e parashikuar nga Marrëveshja e Gjelbër Europiane si një mjet themelor për të udhëhequr qeveritë dhe bizneset në zgjedhjet e tyre të zhvillimit.

Parimi mbi të cilin bazohen të gjitha termocentralet bërthamore është ai i ndarjes, sipas të cilit bërthama e një elementi me masë të madhe si uraniumi-235 ndahet në dy bërthama më të vogla duke emetuar një neutron (bërthamat atomike përbëhen nga neutrone dhe protone të ngjitur së bashku nga forcat bërthamore). Ky neutron i lirë nga ana tjetër mund të godasë një tjetër bërthamë uranium-235, duke shkaktuar një reaksion tjetër të ndarjes. Në këtë mënyrë, mund të shkaktohet një proces zinxhir që gjeneron energji dhe elementë të tjerë mbetjesh (skorje).

Energjia që çlirohet është e madhe, shumë më tepër se sa mund të prodhojnë në proporcion reaksionet kimike tradicionale të djegies; dhe kjo është arsyeja pse janë ndërtuar këto impiante. Mbetjet dhe aksidentet si ato të Çernobilit (1986) dhe Fukushimës (2011), nga ana tjetër, janë arsyet kryesore pse energjia bërthamore është e neveritshme nga pjesë të mëdha të popullsisë.

Ndërkohë, megjithatë, teknologjia ka bërë përparim, kështu që në një periudhë relativisht të shkurtër kohore kemi kaluar nga reaktorët eksperimentalë të gjeneratës së parë, si ai në Latina në 1963, në ato të gjeneratës së katërt që tashmë kanë filluar të studiohen dhe që premtojnë për të zgjidhur edhe problemin e mbetjeve; jo vetëm të ardhmes, por edhe ekzistueseve. Në këtë mes, ka një larmi të pafund zgjidhjesh mbi të cilat duhet të fokusohet debati.

Për të treguar brezat, siç bëhet normalisht, në fakt nuk ka klasifikime zyrtare. Përgjithësisht, reaktorët e gjeneratës së parë janë ata të lindur në vitet 60-70, që ishin reaktorë të vegjël, domethënë rreth 2-300 megavat fuqi.

Gjenerata e dytë u zhvillua pas kësaj faze disi pioniere, dhe karakterizohet nga reaktorë gjithnjë e më të mëdhenj, për të reduktuar kostot në bazë të një ekonomie të shkallës: energjia bërthamore – në krahasim me lëndët djegëse fosile – në fakt kërkon një investim të lartë fillestar për të ndërtuar impiantin, ndërsa operimi kushton relativisht pak. FCS