MENU
klinika

Një udhëheqës nobel

Uinston Çërçilli: dritëhijet e një burrështetasi të madh

24.01.2022 - 16:41

         Më 24 janar 1965, ndërroi jetë Uinston Çërçill, nobelist në letërsi, fituesi real dhe moral i Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 50 vjet nga vdekja e tij, Uinston Çërçill konsiderohet ende sot një nga liderët më karizmatikë dhe më të diskutuar të shekullit XX. Me energjinë e paepur dhe popullaritetin që dinte si ta arrinte, ai mishëroi vullnetin e rezistencës së Mbretërisë së Bashkuar dhe popujve aleatë kundër kërcënimit nazist, kur bota ishte në buzë të humnerës, në vitet 1940-41./Konica.al

Cila ishte forca e Çërçillit?

Falë një udhëtimi në Gjermani në vitin 1934, e kishte kuptuar shumë shpejt rrezikun e jashtëzakonshëm që përfaqësonte Hitleri, i cili synonte dominimin kontinental. Dhe ishte i vetmi, edhe në qeverinë e tij, që i shpalli luftë të përgjithshme, absolute, dramatike. Edhe kur gjithçka dukej e humbur, nuk reshti së konfirmuari se nazistët nuk do mundeshin kurrë të mbështeteshin në një paqe të fshehtë, të ndarë. Si rrjedhojë, forca e tij ishte guximi i jashtëzakonshëm moral dhe fizik, i palëkundshëm (shkoi në fronte, u fut mes popullatave të bombarduara), i atashuar me një vizion politik afatgjatë, që e lejonte të kuptonte se nëse Hitleri nuk do të ishte goditur, Anglia do të mbetej e izoluar dhe në atë pikë mund të humbiste perandorinë e saj. Dhe Çërçilli vepronte gjithnjë në interes të perandorisë. Mirëpo, nuk u kufizua vetëm në mbrojtje, ai u përpoq të kundërsulmonte, duke dërguar divizione ushtarësh në Afrikën e Veriut, ku mbështeti fuqishëm RAF-in, betejën detare në Atlantik dhe mbi të gjitha shpëtoi ushtrinë britanike nga katastrofa e Dankërkut, duke arritur të riatdhesojë 300,000 ushtarë britanikë dhe 100 mijë francezë. Në të vërtetë, Çërçilli kishte aftësi pune të jashtëzakonshme, si pakkush, duke marrë parasysh edhe faktin që kur mori drejtimin e qeverisë ishte 65-vjeç. Prandaj, forca e tij e madhe ishte një përzierje e guximit moral, fizik, vizionit të gjerë politik dhe palodhshmërisë. Gjithsesi, nuk mund të kishte qenë burrështetasi i madh që ishte, nëse nuk do të kishte pasur me vete solidaritetin e opinionit publik anglez: populli britanik nuk do të kishte qenë kurrë i gatshëm të negocionte, ashtu si ai.

Sa e rëndësishme ishte të kishe një perandori?

Fitorja britanike nuk mund të kuptohet pa praninë e një grupi thuajse të pashtershëm forcash që vinin nga e gjithë bota. Në të vërtetë, Mbretëria e Bashkuar hyri në luftë me të gjithë perandorinë e saj dhe jo vetëm me një shtet. Për shembull, një nga divizionet që mundi gjeneralin Graziani në Afrikë ishte indian dhe një tjetër kanadez. Sidoqoftë, kjo forcë e madhe ndikimi duhej të organizohej dhe Çërçilli i zgjodhi me kujdes gjeneralët e lartë britanikë për këtë detyrë. Edhe pse ai kurrë nuk ia delegoi udhëheqjen e konfliktit ushtarakëve; ishte një lider luftëtar dhe vendimet më të rëndësishme i merrte gjithmonë në vetëqeverisje./Konica.al

Përse i humbi zgjedhjet e 1945-ës?

Britania e Madhe doli nga Lufta e Dytë Botërore fitimtare, por e rraskapitur. Ai e kishte vënë gjithë pasurinë e vendit në luftë, mjafton të thuhet se në fabrika, gjatë viteve të luftës, vepronte kodi ushtarak. Njerëzit e thjeshtë donin të linin pas kujtimin e kaq shumë dhimbjeve dhe sakrificave dhe kishin dalë të varfër nga lufta. Kështu, në zgjedhjet e vitit 1945, mbi të gjitha proletariati erdhi me nevojën për të rikuperuar minimumin e mirëqenies dhe mbrojtjes sociale dhe dekretoi fitoren e Partisë Laburiste, tradicionalisht në favor të politikave sociale më të drejta. Megjithëkëtë, disfata e konservatorëve nuk ndikoi në prestigjin apo madhështinë personale të Çërçillit. Sidoqoftë, Partia Laburiste kishte qenë pjesë e sindikatës së shenjtë kundër Hitlerit: deri në fund, nuk i ishte kundërvënë asnjëherë politikës së luftës së Çërçillit.

Çfarë ka mbetur nga trashëgimia e Çërçillit?

Në Mbretërinë e Bashkuar të ditëve të sotme, në imagjinatën kolektive angleze, Çërçilli është ende një mit, ati i vendit, sidomos mes mbi 40-vjeçarëve ai është një personazh i klasit të parë. Sigurisht, së fundmi dikush ka hedhur baltë mbi disa statuja, duke e quajtur racist. Mirëpo Çërçilli nuk mund të kufizohet me kaq, është një nënvlerësim. Sot historiografia, pas momentit të mitit, kërkon errësirë, dritëhije, ngre pyetje, sheh disfatat dhe jo vetëm fitoret e personazhit. Nga ana tjetër, nuk vë në dyshim madhështinë e tij: vetëm disa aspekte. Ç’është e vërteta, Çërçilli ka treguar, se në kohën më të errët mund të luftosh dhe të humbësh, qoftë edhe në dukje: e rëndësishme është të kesh guximin të vazhdosh, të mos dorëzohesh. Pikërisht kjo mbeti në trashëgiminë e përbashkët të britanikëve.

Cilët shtetarë janë të krahasueshëm me Çërçillin?

Me Çërçillin mund të krahasohet vetëm presidenti i Shteteve të Bashkuara Frenklin Delano Ruzvelt, i cili lëvizi njëlloj si ai në një strategji lufte të përbotshme dhe kishte paanshmërinë e tij në aleancat ndërkombëtare./Konica.al