Një vajzë 3-vjeçare ka ndërruar jetë në rrethana misterioze në qytetin e Elbasanit ditën e mërkurë. Policia konfirmoi se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, fëmija i mitur me iniciale A.I., është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit dhe pas disa orësh ka ndërruar jetë.
Pas ngjarjes, grupi hetimor, ka marrë në pyetje për disa orë një mjek dhe një mjeke të Urgjencës së Pediatrisë.
Tanimë, pritet ekspertiza mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.
Burimet thanë se hetimet janë thelluar që në dokumentimin e vizitës dhe mjekimin e parë dhe atë që ka vazhduar 3-vjeçarja.
DËSHMIA
Babai i fëmijës 3 vjeç që humbi jetën paraditen e djeshme në Spitalin e Elbasanit, deklaroi se vajza e tij kishte nëntë ditë e sëmurë dhe mjekët i kanë thënë se kishte virozë.
Ai deklaroi për mediat se nuk e dinte shkakun e saktë të humbjes së jetës së vogëlushes, duke theksuar se një ditë më herët kishte pasur nxirrje të buzëve. Ai deklaron gjithashtu se mjekët i kishin dhënë ilaçe për kurimin e të miturës tri ditë para vdekjes, por shton se gjendja e saj ishte përkeqësuar.
“Pa u sëmurë asnjëherë. U sëmur para një jave, e prura për vizitë para dy-tri ditëve para se të vdiste, doktori tha virozë. Më dha një qese me ilaçe, e çova në shtëpi. Dje u bë goca keq pasi iu nxi buza. E solla në spital, mori 2 bidonë serum dhe goca vdiq. Kishte 8-9 ditë që ishte sëmurë. Nuk ishte në gjendje të rëndë. Pasi u bë keq e solla për vizitë. Mjekët më thanë se është virozë. Se si iku kjo gocë unë nuk e di. Nuk na kanë dhënë asnjë shkak për vdekjen”, ka deklaruar babai i vajzës.
Ky është rasti i dytë kur një fëmijë 3- vjeçar humb jetën pas vdekjes së një djali në mënyrë ende të pasqaruar mirë në qytetin e Fierit. Ngjarja e rëndë u regjistrua më 7 janar në kopshtin ku shkonte fëmija.
Edukatorja dhe stafi i kopshtit kanë deklaruar se fëmija ishte varur me anë të kapuçit të xhupit kur kishte shkuar për të marrë çantën dhe për t’u larguar nga kopshti.
“Fëmija të ka ardhur pa shenja jete dhe me dy reanimatorë nuk u kthye dot në jetë. Jo me një, po me dy. Fëmija ka qenë pa shenja jete dhe këtë e ke të shkruar edhe në kartelë d.m.th. Çfarëdo lloj problemi, gjithë çfarë ka ndodhur atje, ty fëmija të ka ardhur pa shenja jete këtu. Më vjen keq, që po ta them kështu”, ka deklaruar mjeku i urgjencës dy ditë më parë në lidhje me rastin, duke hedhur poshtë aludimet se fëmija mund të jetë mbytur, pasi sipas tij, një person i mbytur nuk mund të ketë të vjella.