MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 17

Vllaznia ndalet nga Egnatia në “Loro Boriçi”

21.01.2022 - 19:48

Vllaznia ndalet në shtëpi nga Egnatia, në një sfidë që mendohej e fituar para ndeshjes. Shkodranët nuk shkojnë më shumë se një barazim 1-1, duke lënë dy pikë shumë të vlefshme. Barazimi i katërt radhazi për kuqeblutë, që humbin mundësinë për t’u afruar me kreun.

Vllaznia ishte dominuese në pjesën e parë, duke mbajtur topin mbi 70%, por mungoi përsëri finalizimi në metrat e fundit, pavarësisht se deri para portës shkonte gjithçka mirë. Në minutën e 40-të, në të vetmin rast, Egnatia ndëshkoi.

Gabim i mbrojtjes shkodrane, që lejon Ademin të bëjë 50 metra me topin në këmbë, duke u shfaqur para Zogoviç dhe mposhtur lehtësisht këtë të fundit.

U mendua se në pjesën e dytë Vllaznia mund të përmbyste shifrat, por nuk shkoi më shumë se një barazim. Në minutën e 71-të, pas një rivënie anësore, Mustedanagiç harkon në zonë, aty ku Krymi me shpejtësi godet me kokë dhe mposht Pujën. Nuk ka më gola, mbyllet 1-1.