MENU
klinika

LSI konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhjet e 6 marsit

Xhixho: Kemi reflektuar për djegien e mandateve 3 vite më parë

24.01.2022 - 10:04

Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhjet e 6 marsit, për 6 bashkitë e vendit që kanë mbetur pa kryetarë. Deputetja Erisa Xhixho është shprehur se LSI do të marrë pjesë në këto zgjedhje sepse janë të rëndësishme dhe qytetarëve duhet t’u prezantohen kandidatë me vlera.

“Ne do të jemi pjesë e procesit, për LSI-në gjithmonë ka pasur rëndësi standardet e zgjedhjeve. Standardet për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Fatkeqësisht, kultura, historia na ka treguar zgjedhjet e fundit të përgjithshme të 25 prillit”, tha ajo në Ora News.

Erisa Xhixho u shpreh se opozita ka reflektuar për djegien e mandateve 3 vite më parë.

“Mendoj se ka pasur një reflektim të asaj vendimmarrje. Klasa politike mendoj se nuk mund t’I shmanget asnjë lloj zgjedhje. Zgjedhjet janë aty për të përfaqësuar qytetarët që të besojnë. Mendoj se është një reflektim i duhur. Zgjedhjet janë një moment shumë i rëndësishëm dhe duhet parë si moment për t’u ofruar qytetarëve njerëzit më përfaqësues në vlera njerëzore dhe intelektuale.”