MENU
klinika

Leku, një shekull!

Aleksandri i Madh dhe kartëmonedha shqiptare

17.02.2022 - 11:34

         “Leku” kartëmonedha jonë kombëtare, feston ditëlindjen… njëshekullore. Në shkurt 1922 u bë për herë të parë në mënyrë ligjore, emërtimi i monedhës zyrtare shqiptare Lekë.

Ajo që ndodhi në Shqipëri në seancën e shkurtit të vitit 1922, në fakt ishte krijimi i një njësie të re monetare, pasi nuk u shfuqizua frangu ar, por paralelisht u krijua një njësi e re monetare, e emërtuar ”Lekë”. Situata do të vijonte të ishte e tillë deri më 1947, kur u miratua dekretligji që hoqi nga qarkullimi kartëmonedhat ”Frang”. Në këtë mënyrë, njësia bazë e monedhës në vend do të caktohej ”Leku”.

Ky emërtim thuhet se është bërë në nderim të Aleksandrit, apo Lekës së Madh. Sipas bisedimeve parlamentare në 1922, propozimet alternative kanë qenë Skënder ose Shqipe”, shkruan Arkiva, duke rrëzuar versionin se ”Leku” ka lidhje me Leka Zogun.

Histori:

Shqipëria e pasluftës së Parë Botërore: Kartëmonedha e hedhur në qarkullim në Bashkinë e Vlorës, në vlerën e 50 (qind-kartë), kishte figurën e Ismail Qemalit, ajo e Bashkisë së Korçës ishte ende kartëmonedha që hodhën në qarkullim francezët. Në shkallë vendi ndërkohë, kishin filluar prerjet 20-she dhe 5-she franga, si dhe monedha metalike prej nikeli me figura dhe simbole nga më të ndryshmet.

Ekonomistët e panë shumë alarmante situatën. Në këto kushte në parlamentin shqiptar, në vitin 1923 u diskutua për një monedhë shqiptare, të emërtuar me një emër shqip. Ahmet Zogu propozoi emrin Lekë, në nder të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Propozimi u prit me duartrokitje, por vetëm në vitin 1926 filloi prerja e parë e Lekut, nga Banka Kombëtare Shqiptare.

Ky ishte 5-lekëshi, i barabartë me 1 frangë ari të mëparshme. Në anën kryesore mbante portretin e Zogut, ndërsa pas një bujk duke ngarë një pendë qe. Në të shkruhej ”Shqipni-Albania”. Kjo kartëmonedhë u hoq shpejt nga qarkullimi, pasi u kritikua për shqiponjën, që ishte e stilit romak. Më pas u emetua një monedhë tjetër, po me këtë vlerë. Vit pas viti u bënë përmirësime në emetimet e reja. Në kartëmonedha pasqyrohej figura e Aleksandrit, Pirros, Herkulit, madje edhe e Akilit që jetoi 900 vjet përpara tyre.

Lufta e Parë Botërore:

Shqiptarët, dikur, nën sundimin osman përdornin monedhat turke, lira, aspra etj. Gjatë Luftës I hynë monedha të tjera të huaja, austriake, italiane, greke dhe serbe, ndërsa në Korçë, në kohën e francezëve u bë një monedhë shqiptare që qarkullonte në vetëm në këtë qytet. Këto monedha qarkullonin në treg të lirë dhe të pakontrolluar.

Monedhat lokale:

Francezët, kur administronin Korçën në vitin 1918, nxorën monedhën e titulluar “Korça”. Pati 44.000 franga me emrin “Korça”, në prerjet e bankënotave. Mbi frangat u stampua kisha dhe xhamia, pranë njëra-tjetrës. Gjithashtu, Këshilli i Qeverisë së Krahinës Autonome nxori në tri pjesë bankënotat për një frangë dhe gjysmë frange, një pjesë të të cilave i emërtoi “Shqipëria vetëqeveritare” dhe pjesën tjetër “Republika shqiptare”. Të tria misionet patën shqiponjën me krahë të hapur. Monedha të tilla dolën edhe në Vlorë dhe Shkodër.

Monedhat e Zogut:

Meqenëse ngritja e Bankës së Shqipërisë përkon me kohën e mbretit Zog, në monedhat dhe kartëmonedhat e para vendin kryesor e zinte pikërisht portreti i tij. Në kartëmonedhat e kësaj kohe gjejmë edhe heronj mitikë: Anteu, Herkuli, apo mbretër ilirë si Pirro i Epirit, Genti, Teuta etj, por filluan të përdoreshin edhe pamje urash, ndërtesash e qytetesh.

Një prej kartëmonedhave të para të emetuara në vitin 1926, kishte vlerën e 20 Frangave Ari. E shkruar në dy gjuhë, në italisht dhe shqip, mban përsipër portretin e një djaloshi shqiptar, me kostum popullor, me qeleshe dhe jelek.

Monedhat e fashizmit:

Në kohën e pushtimit fashist monedhat e lekut shqiptar me monumente, qytete, ura, lagje gjatë kohës së pushtimit fashist u zëvendësuan me kokën e Viktor Emanuelit II dhe Duçes, me mbishkrimet përkatëse, ndërsa në anën e prapme shkruhej “Shqipni”. Me një dekret të gushtit të ’39-ës: “Monedhat e reja do të kenë në një anë portretin e Mbretit Vitorio Emanuele III, me mbishkrimin rreth e qark ‘Mbret. E për Vitt. Em.III Re e Imp’ dhe në anën tjetër shqiponjën dykrenore me mbishkrimet ‘Shqipni-Albania 1939-R”.

Monedhat e komunizmit:

Në kohën e socializmit monedhat ishin mbushur me punëtorë fabrikash, të rinj hekuruadhash me kazma e lopata, me trena dhe turbina, traktorë dhe autokombajna. Ndërsa në periudhat e tjera kishte prerje të monedhave metalike ku vendoseshin simbolet emblematike të Aleksandrit të Madh, në socializëm ato u hoqën, leku mbeti pa Aleksandrin e madh, megjithëse mbante emrin e tij. Në të gjitha kartëmonedhat, por edhe monedhat metalike u vu stema e Republikës, që përmbante si datë ”24 Majin”, Kongresin e Përmetit.

Monedhat në periudhën e demokracisë:

Pas rënies së komunizmit, për të qenë sa më “korrekt” mbi kartëmonedha u stampuan portretet e heronjve kombëtarë, apo rilindësve, kurora lulesh apo dafinash. Në monedhat e pasvitit 1992, kanë sunduar portretet e figurave kombëtare, si: Skënderbeu, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Pjetër Bogdani, Fan Noli, ndërsa në anën e pasme Kalaja e Krujës, ndonjë libër, një qiri, fjalët e Naimit, ndërtesa e shpalljes së pavarësisë, pamje e kishës katolike etj.

Muze i Lekut

Megjithëse prej kohësh ka patur një projekt për ngritjen e një muzeu të monedhave, numizmatikës, megjithëse kishte një bazë të mirë materiale dokumentare në arkivat e Bankës së Shqipërisë, megjithëse ka patur një numër të madh koleksionistësh profesionistë dhe amatorë, përsëri pak është bërë për një trajtim shkencor të monedhës, kësaj trashëgimie kulturore me vlerë.

Historia e monedhave dhe kartëmonedhave është pasaporta e shtetit, i cili duhet ta ketë të plotë e të pa cunguar këtë histori. Këtij projekti i përket inaugurimi në 2016 i Muzeut të Parave nga Banka e Shqipërisë, një muze që ka në thelb valutën shqiptare ndër shekuj, por edhe objekte të tjera historike që lidhen me të shkuarën e Bankës dhe me antikitetin.

Dhoma e Thesarit

Pas përrimit të godinës së re të Bankës së Shqipërisë është hapur për herë të parë, Dhoma e Thesarit. Kjo dhomë, e ndërtuar në vitin 1938, në formë 6- këndore, është prej çeliku dhe betoni, krejtësisht e blinduar dhe ka një derë me trashësi 50 cm në çelik. Gjithçka është prodhuar në Parma të Italisë dhe është montuar që në fillim të hapjes së bankës. Dhoma e thesarit, nuk ka qenë hapur kurrë dhe sot është bërë muze. Brenda tij është ekspozuar një lingotë ari me peshë 12,4 kilogramë dhe me vlerë afro 500 mijë euro, si dhe të gjitha llojet e monedhave të floririt që kanë qarkulluar në Shqipëri në 200 vitet e fundit. Kjo është dhoma më e madhe kasafortë, që ka ekzistuar në Shqipëri.

Numizmatika shqiptare

Numizmatika dhe koleksionimi i monedhave dhe kartëmonedhave në Shqipëri është një hob relativisht i vjetër. Një nga figurat më të shquara që ka filluar koleksionimin e monedhave të lashtësisë ka qenë Shtjefën Gjeçovi, françeskanët e Shkodrës etj.

Në vitet e sundimit komunist, numizmatika është zhvilluar në heshtje, e privuar nga e drejta për të mbledhur e për të mbajtur monedha të metaleve të çmuara. Gjithashtu, Banka e Shtetit Shqiptar u kishte mohuar numizmatëve shqiptarë të drejtën për të koleksionuar emetimet përkujtimore. Emetimet për 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, argjend dhe ar, prerje komemorative të vitit 1966, ‘67, ‘69 u shitën të tëra në tregun e jashtëm dhe koleksionistët shqiptarë kanë mundur t’i gjejnë ato vetëm në vitet e demokracisë, me zhvillimin e ankandeve onlineebay. Ndërkaq, Banka e Shtetit Shqiptar ende nuk ka një listë për numizmatët që t’i përfshijë në abonimet e emetimeve të tyre.

***

Aleksandri i Madh

Aleksandri III, (356-323 para Krishtit), mbreti i Maqedonisë, pas pushtimit të Greqisë nga babai i tij, Filipi II, e shndërroi atë në perandori duke u zgjeruar nga Ballkani në lumin Nil dhe në Himalaje, duke gjunjëzuar me dhjetëra miliona njerëz përgjatë rrugës.

I ati ka marrë Aristotelin si instruktorin e djalit 13-vjeçar.

Filipi bleu një kalë me emrin Bucefalus që kishte frikë, por Aleksandri e mësoi dhe kali i mbeti besnik gjithë jetën, deri në vdekje, në Pakistanin e tanishëm. Babai i Aleksandrit u godit me thikë nga truprojat në vitin 336 para Krishtit, në një banket dasme. Disa mendojnë se Aleksandri fshihej pas vrasjes, madje detyroi Olimpian të vrasë beben e Filipit nga gruaja e fundit.

Aleksandri perfeksionoi stilin ushtarak maqedonas, falangën.

I zhvilluar nga Filipi, falanga ishte një formacion i ngushtë ushtarësh, që me taktikën e tyre ishin të pathyeshëm. Pasi konsolidoi sundimin në Maqedoni dhe Greqi, Aleksandri hodhi vështrimin nga Azia dhe Perandoria Perse, që drejtohej nga Darius III. Me 60 anije, ai kaloi Helespontin, që tani quhet Dadanele, në vitin 334 para Krishtit.

Kur zbriti në breg, nguli shpatën në rërë dhe i deklaroi ato toka të tijat.

Vizita e parë ishte për turizëm, në Trojë, pasi mbante nën jastëk ”Iliadën” e Homerit. Zgjidhi nyjën Gordion. Sipas legjendës, thuhej që kushdo që zgjidhte nyjën, do të pushtonte Azinë. Që prej asaj dite, nyja Gordon është sinonim i një problemi të vështirë, që kërkon një zgjidhje origjinale.

Pasi mundi persianët në betejën e Isusit, Aleksandri vendosi të hyjë në Egjipt, që ishte nën sundimin pers prej 200 vitesh.

Themeloi Aleksandrinë dhe 20 qytete të tjera, duke iu vënë emrin e tij. Vizioni i tij në Azi, përfundoi në pjesën tjetër të Indisë. Shpejt e kuptoi se Azia ishte më e madhe nga ç’e kish imagjinuar. Atëherë mblodhi ushtrinë e tij dhe u kthye, por nga një tjetër rrugë dhe ky ishte gabimi i Aleksandrit. 15 mijë burra vdiqën nga uria dhe nxehtësia në shkretëtirën Gedrosan, më shumë nga ç’humbi në betejë. Udhëtimi bëri të vetën dhe në shëndetin e Aleksandrit. Në një banket në Babiloni, ai piu shumë dhe më pas u sëmur, thonë prej malaries. Vdiq disa ditë më vonë, në moshën 33-vjeçare.

Pothuajse të gjithë historianët dhe biografët kanë pranuar prejardhjen e tij ilire, prej të atit dhe prej së ëmës, Olimpias.