Familjarët e Musine Kokalarit i dhurojnë Arkivit Qendror Shtetëror, dorëshkrimet origjinale të shkrimtares disidente, ku spikasin mendimet në fushën politike, përmbledhje etnografike dhe shkrime, përpiluar veçanërisht në kohën që ajo kaloi në burg.
“Musineja kalon në pavdekësi! Familjarët e Musine Kokalarit i dhuruan sot Arkivit Qendror Shtetëror, dorëshkrimet origjinale të saj, ku spikasin mendimet në fushën politike, përmbledhje etnografike dhe shkrime, të përpiluara veçanërisht në kohën që ajo kaloi në burg.
Ne nuk do t’i ruajmë me zemër si Bibika, por do t’i ruajmë me kushtet tekniko-profesionale që mundësojnë që dokumentet të mbeten përjetë të paprekura e të lexueshme! – kështu shkruan kreu u Arkivave, Ardit Bido.
Musineje u lind më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana ,Turqi, në gjirin e një familjeje Gjirokastrite patriotike e të etur për dije. Më 1920, së bashku me familjen u kthye në Gjirokastër. Si fëmija më i vogël i familjes, Musineja u trajtua me një dashuri e përkujdes të veçantë. Që në moshë të re, vajza tregoi një pasion të veçantë për letërsinë në përgjithësi dhe për folklorin kombëtar në veçanti. Pasionin e saj e kultivoi përmes librarisë “Venus” që i vëllai Vesim Kokalari, zotëronte në Tiranë, në mesin e viteve ’30.
Në periudhën 1930-1937 u shkollua në Tiranë, fillimisht në institutin “Qiriazi” e më pas në institutin e ciklit të mesëm “Nëna Mbretëreshë”.
Përgjatë vitit 1937, një sërë artikujsh të Musinesë mbi problemet sociale u publikuan në gazetën “Shtypi” nën pseudonimin “Muza”.
Më 1938, Musineja nis studimet në Fakultetin e Letërsisë Moderne në universitetin “La Sapienza” në Romë.
Më 1939, Musine Kokalari shkruan veprën e saj të parë profesionale letrare të titulluar “Siç më thotë nënua plakë”. Kjo vepër u publikua rreth vitit 1941 në Tiranë, si një koleksion i përbërë nga dhjetë rrëfenja të frymëzuara kryesisht nga kultura popullore e zonës së Gjirokastrës dhe të kompozuar në dialektin toskë. Në qendër të kësaj vepre qëndon figura e gruas gjirokastrite dhe mundimet që duhet të përballeshin prej saj brenda një shoqërie thellësisht patriarkale.
“Siç më thotë nënua plakë” cilësohet si vepra e parë letrare e shkruar dhe publikuar nga një grua shqiptare.
Veprimtaria e saj si mbrojtëse e idealeve demokratike dhe patriotike përqendohet në librarinë “Venus” që zotërohej nga vëllezërit e saj.
Kjo librari u kthye shpejt në një qendër ku mblidheshin dijetarë dhe dashamirës të ndryshëm të letërsisë dhe politikës që ndanin pikëpamjet progresiste të Musinesë. Përgjatë vitit 1944, Musineja shkroi një sërë studimesh gjuhësore. Në të njëjtin vit, përmes Shtëpisë së Botimit “Mesagjeritë Shqiptare” që zotërohej nga vëllezërit e saj, Musineja publikoi dy veprat e saj me titujt “Rreth Vatrës” dhe “Sa u tunt jeta”. Këto vepra të kompozuara në formën e koleksioneve me tregime të shkurtra apo në formën e rrëfenjave folklorike u pritën mjaft mirë nga një numër i madh shkrimtarë brenda dhe jashtë vendit si dhe konfirmuan vlerat si shkrimtare të Musine Kokalarit. Gjithashtu, shkrimtarja vazhdoi punën në fushën e folklorit shqiptar, duke arritur të mbledhë një numër të madh legjendash e rrëfenjash nga vende të ndryshme, si: Gjirokastra, Tepelena, Vlora, Elbasani, Korça, Shkodra dhe Shkupi.
Fatkeqësisht, kjo kohë e frytshme në rrafshin letrar për Musinenë, përkonte me një kohë tragjike në rrafshin njerëzor e shoqëror në Shqipëri.
Më 12 nëntor 1944 forcat komuniste ekzekutuan dy vëllezërit e saj më të mëdhenj: Vesim dhe Muntaz Kokalarin. Vëllai më i vogël, Hamit Kokalari shpëtoi vetëm për shkak se ishte i sëmurë rëndë.
Për këto bindje, që binin ndesh me qëllimet e komunistëve për një regjim diktatorial, Musine Kokalari u arrestua dy herë gjatë periudhës 13-28 nëntor 1945. Në të njëjtin muaj, ajo përfshihet në një lëvizje intelektuale dhe politike të cilën ajo e quajti “Koalicioni Demokratik”.
Kjo lëvizje përfaqësonte të gjitha grupimet opozitare që kërkonin shtyerjen e zgjedhjeve të 2 dhhjetorit 1945, nga ku asnjë parti tjetër veç asaj komuniste, nuk ishte lejuar të regjistrohej me kandidatët dhe platformat e tyre përkatëse. Në “Koalicionin Demokratik” Musineja ishte përfaqësueja e vetme e Partisë Social Demokratike Shqiptare, por njëkohësisht dhe figura kryesore e këtij koalicioni. Kështu, ajo përpilon e vetme një notë me kërkesat e forcave opozitare për shtyerjen e zgjedhjeve të 2 Dhjetorit dhe për caktimin e një date të përshtashme zgjedhjesh parlamentare ku do të mund të merrnin pjesë shumë forca politike. Kjo do të kishte bërë të mundur kështu zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri. Në të njëjtën notë, kërkohej që zhvillimi i këtyre zgjedhjeve pluraliste e të lira të garantohej nga forcat ndërkombëtare e në veçanti nga përfaqësuesit e qeverive britanike dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për këtë qëllim, nota e përpiluar iu dërgua zyrtarisht përfaqësuesve të qeverive britanike dhe amerikane. Por, projekti i “Koalicionit Demokratik” nuk u realizua. Në janar të vitit 1946, të gjithë firmëtarët e tij u arrestuan. Musine Kokalari u arrestua më 23 janar të vitit 1946 dhe iu nënshtrua torturave të vazhdueshme në qeli, por refuzoi të hiqte dorë nga bindjet e saj për një sistem pluralist dhe shoqëri të lirë.
Më 2 qershor 1946, Musine Kokalari u gjykua nga komunistët.
Edhe pse e kërcënuan dhe e trajtuan në mënyrë çnjerëzore, Musineja nuk e refuzoi idenë e saj mbi rëndësinë e zgjedhjeve demokratike e pluraliste.
Gjatë gjyqit, ajo e shfaqi gjithë guximin e saj, kur i ripërsëriti qëndrimet e saj përgjatë kohës shumë të shkurtër që iu la për të folur. Rezistenca stoike e Musinesë gjendet e ilustruar në një mënyrë shumë fisnike në një foto të saj gjatë proçesit gjyqësor, e shkrepur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Duke u parë si një kërcënim për regjimin totalitar, Musine Kokalari u dënua me 25 vjet burgim (nga të cilat 16 vite i kaloi në burg), si dhe me persekutim të përjetshëm.
Gjatë kohës së burgut, iu nënshtrua torturave të tmerrshme e nga më të ndryshme të regjimit.
Sidoqoftë, edhe torturat e vazhdueshme nuk ia ndryshuan pikëpamjet, idetë progresiste dhe qëndrimin e lartë moral.
Më 1962, Musineja u transferua nga ambientet e burgut, në internim në Rrëshen. Këtu u detyrua të punojë në punë të rënda ndërtimi, në kushte shumë të vështira e nën vëzhgimin e rreptë të agjentëve të sigurimit. Përndjekja e vazhdueshme dhe mungesa e kushteve më minimale ndikoi drejtpërdrejtë në aktivitetin letrar të Musinesë, që u ndërpre në mënyrë brutale. Vetëm në vitin 1972, Musine Kokalari arriti të përfundonte në fshehtësi një libër të saj, titulluar “Si lindi Partia Social Demokrate” ku ajo shpjegon pikëpamjet antikomuniste dhe shpjegon alternativën e saj progresiste e demokratike. Arriti ta ruante këtë vepër përmes një serie shkrimesh që ia dërgoi nipit të saj, Platon Kokalari, nën tematikën “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale”.
Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer dhe ashtu e sëmurë, u refuzua dhe u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Mungesa e mjekimit, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen, në gushtin e vitit 1983. Izolimi i plotë gjatë përndjekjes, mohoi edhe veprat që do të mund të ishin krijuar dhe publikuar nga vetë Musine Kokalari, në kushte të tjera më të favorshme, si disidentja e parë shqiptare.