MENU
klinika

Nga Alfred Lela

Berisha-Meta, “Aleanca e qelbësirave 2”

02.02.2022 - 19:20

Nga Alfred Lela

Koalicionin Shtëpia e Lirisë, më shumë e rrezikojnë Monika Kryemadhi, Floriana Garo dhe logoja amatore se sa binomi Berisha-Meta. Për të shkundur qafe etiketimin misogjen duhet me shtu’ se zonjat ilustroze janë përmendur vetëm si metaforë për ata që bërtasin prej dy ditësh për këtë ngarkesë politiko-socialo-morale, që trojet tona nuk e durokan dot. Pra, rikthimin e the inglorious bastards, Sali Berisha e Ilir Meta.

Duhet thënë se, ata që e kanë duartrokitur koalicionin e vitit 2013 mes Ramës dhe Metës, nuk mund të shohin si të padenjë dhe të padrejtë atë mes Metës dhe Berishës. Sidomos, kur Ilir Meta ka kaluar nga procesi i ‘purifikimit’ të një mandati në aleancë me shefin e PS, dhe të një 5 vjeçari si President i Republikës, zgjedhur me votat e së njëjtës shumicë.

Pra, z. Meta është më ‘i kulluar’ sot se sa në kohën kur Mustafa Nano fliste për ‘aleancë qelbësirash’ dhe, ata që sot bërtasin e miratonin, me fjalë a me heshtje. Për kujtesë, mes Ilir Metës të prillit 2013 dhe Edi Ramës së duartrokitësve të sotëm, ngrihej sa një mur Hadriani blloku i ‘Fiksit’, protestat e 21 janarit, megjithë dëmin kolateral, apo dhe mijëra akuza të përfaqësuara nga gërdia estetike e ‘gishtat obezë të babëzisë’.

Për ta ritheksuar, sot Meta ‘vjen’ në koalicion me Berishën si President i Republikës dhe ish- partner thelbësor në ‘Qeverinë Rama I’, ku mbajti detyrën e Kryetarit të Kuvendit.

Paketimi i dyshes Berisha-Meta si një leviatan politik mund të bëjë punë për propagandën, por politikisht nuk thotë gjë.

Edhe për dy arsye, jo dhe aq të thjeshta. Sali Berisha ka më shumë se 8 vjet i larguar nga pushteti (e kam fjalën për ekzekutivin, jo simbolikun-si mund t’ja heqësh atë, kur nuk e bëri as non grata-amerikane), që do të thotë se, të paktën si parim, ai është i amnistuar nga identifikimi me të këqijat e pushtetit.

Sigurisht, ai ka historikun e tij të pushtetit, por e kam fjalën për togfjalëshin, tashmë pa markë ‘fajin e ka Saliu’.

Së dyti, si Berisha ashtu dhe Meta, edhe pse mund të jenë zhvendosje pas, janë thirrje e dëshpëruar për të rikthyer dikotominë e humbur politike, elektorale dhe shoqërore. Teatri politik i katër viteve të fundit është kthyer në një vodëvill. Lulzim Basha ka dështuar, edhe pse, në dukje të paktën, është stërmunduar në skenë për të mbajtur gjallë mekanizmat politikë që i japin kuptim procesit politik.

Pavarësisht se ai nuk mund të fajësohet ekskluzivisht për këtë, shtrembërimi ka ndodhur në orën e tij. Ilustrimi më flagrant është pamundësia e strategjisë së tij për ta sjellë në qeveri pas dy ciklesh elektorale, gjë e herës së parë në 30 vite ciklesh pushteti.

Më e rëndë se kjo ka qenë prishja e manifakturës së përballjes (dikotomisë). Shenjues ishte mosbesimi ndaj aksioneve të tij, sa më të zhurmshme bëheshin ato.

Gjendja, e vrojtuar nga ky kënd, ofron dy alternativa. Të shpresosh te një e ardhme virtuale, kinematografike dhe amerikane të cilën e pompojnë L. Basha dhe Y. Kim, ose të vësh bast te një e tashme e ashpër, që ka nota të së shkuarës, që është deri diku imitim i vetes dhe të tjerëve, por që, të paktën e kthen procesin në shina, rithemelon dikotominë. E thënë me terminologjinë e atyre që sot e qajnë si kataklizëm, më mirë një ‘Aleancë qelbësirash 2’, apo vazhdim i vodëvillit politik?

Kush zgjedh të rrejshmen, edhe para asaj që sot ngjan e pamundur, por është të paktën procesor politik, do të banojë te pamundësia nga letargjia në letargji.

“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!