MENU
klinika

Grekët nën ethet e inflacionit të lartë

Çmimet po vështirësojnë jetën e banorëve

13.02.2022 - 15:07

Rritja e çmimeve të energjisë në Greqi, që kanë nxitur inflacionin në nivele rekord të larta në vend, kanë rritur çmimet tek tregjet ushqimore të vendit, ku konsumatorët gjenin gjithnjë një zgjidhje më të lirë për frutat dhe perimet. Këto tregje popullorë gjenden në çdo lagje të Greqisë dhe arrijnë në një total prej 850 në të gjithë vendin. Së bashku me dëmet e stuhive dimërore në Janar, çmimet janë rritur nga 20-50% në disa produkte, sipas Federatës Greke të Tregjeve në Rrugë.

“Çdo gjë është bërë më e shtrenjtë, por pagat janë të njëjtat”- tha një kalimtare në qendër të Athinës për Reuters.

Një tjetër kalimtare, pensionistja Ioanna Nastouli, tha se me 400 euro në muaj, jetesa është bërë e pamundur, përballë rritjes së çmimeve. Që prej muajit Shtator, qeveria ka shpenzuar mbi 2 miliardë euro për të subvencionuar faturat e energjisë elektrike dhe të gazit për familjet, bizneset dhe fermerët. Me inflacionin që ka arritur në nivelin më të lartë në 11 vite në Dhjetor prej 5.1%, si pasojë e rritjes së energjisë, qeveria greke lajmëroi gjatë javës se do të zgjasë subvencionet drejt Shkurtit.

Qeveria ka lajmëruar gjithashtu një rritje me 2% në pagën minimale dhe do të ulë më tej normën e taksës së pronës me 13%. Megjithatë, federata e konsumatorëve grekë, INKA, thotë se masat nuk janë të mjaftueshme për të zbutur situatën e familjeve, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta. Sondazhet e INKA tregojnë se që prej Shtatorit, rritja e çmimeve nga energjia e deri tek disa produkte përfshirë ato ushqimore, ka variuar nga 5 – 40%. Drejtori i Federatës, Aggelos Pilatis, ka bërë thirrje për më shumë ulje të taksave dhe uljes së akcizës të karburantit, për të zbutur kostot e transportit dhe ngrohjes.

“Po marrim ankesa nga konsumatorët mbi faturat e mëdha të energjisë, qoftë nga kompania publike e energjisë apo ofrues të tjerë. Është problem i madh që nuk dijmë si të gjejmë zgjidhje. Ka njerëz që nuk ndezin energjinë elektrike për të ngrohur shtëpitë”, u shpreh Aggelos Pilatis, Drejtor i Federatës së Konsumatorëve në Greqi

Presidenti i Federatës së Prodhuesve të Tregjeve në Rrugë, Pantelis Moschos, që është gjithashtu fermer, tha se i gjithë zinxhiri i dërgimit të produkteve tek tregjet në rrugë, është ndikuar nga çmimet e energjisë, nga prodhimet bujqësore dhe transporti e deri tek energjia elektrike në magazina.

Duke treguar faturën e energjisë elektrike të magazinës së tij, që u rrit nga 3,500 euro në nisje të vitit 2021 në 10,505 euro në Dhjetor, ai tha se nëse çmimet vazhdojnë të rriten, prodhuesit bujqësor do të detyrohen të kultivojnë më pak, ç’ka do të rrisë më tej çmimet. Që prej javës së kaluar fermerët në Greqinë qëndrore kanë parkuar qindra traktorë në autostradën kombëtare, për të kërkuar më shumë ndihmë shtetërore për kostot e energjisë, që kanë rritur kostot e tyre të prodhimit me deri 50%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"...nuik mund t'u lihet shteteve anëtare ta menaxhojnë""

Çfarë duhet të bëhet me borxhin Sovran të Eurozonës?

Të pestët në Europë për rritjen më të lartë që prej marsit

Pandemia rriti ndjeshëm çmimet e ushqimeve në Shqipëri

Nga Project Syndicate

Si Euro ndau Evropën!

Vala e re e pandemisë thellon pasigurinë

Rimëkëmbja e Europës në rrezik!