MENU
klinika

Evropa, autoriteteve turke

”Dervish Hima duhet liruar nga burgu”

20.02.2022 - 20:37

        Nga: Aurenc Bebja, Francë

“Correspondance d’Orient” ka botuar, me 1 dhjetor 1908, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me letrën e presidentit të Lidhjes belge per të Drejtat e Njeriut drejtuar asokohe atij francez, për të mbështetur lirimin e Dervish Himës, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar:

Z. Georges Lorand, president i Lidhjes belge për të Drejtat e Njeriut, sapo i ka dërguar letrën e mëposhtme z. Francis de Pressensé, president i Lidhjes franceze për të Drejtat e Njeriut:

“Disa miq shqiptarë, rumunë dhe belgë, në veçanti gazetarët nga foltorja (tribuna) e Dhomës, më kërkojnë që të ndërhyj urgjentisht te xhonturqit që drejtësia të vendoset për kolegun tonë fatkeq Dervish Hima, një patriot shqiptar, shumë i njohur në Bruksel, ku ka qenë pjesë e shtypit parlamentar gjatë mërgimit dhe ku mori pjesë veçanërisht në konferencën e Francis de Pressensé, për të drejtat e zezakëve.

Ai u kthye në vendin e tij për të përfituar nga liritë kushtetuese, për të mbrojtur idetë e tij dhe për të kandiduar për Dhomën e Përfaqësuesve. Ai është një patriot shqiptar, ndoshta separatist, nuk e di, por kjo do të ishte padyshim e drejta e tij dhe në një regjim lirie, as propaganda separatiste nuk do të ishte një shkelje.

Megjithatë, sapo mbërriti në vendin e tij, Dervish Hima u fut në burg nga autoritetet turke dhe miqtë e tij më sigurojnë se flitet për ta varur, pas një gjykimi të shkurtuar pa asnjë garanci, sepse turqit e konsideronin një kundërshtar veçanërisht të rrezikshëm.

Nuk dua të besoj, se xhonturqit që sapo kanë realizuar, nën duartrokitjet e Evropës, një revolucion kaq të bukur për lirinë dhe të drejtën, mund të lejojnë që ai të çnderohet nga një akt i tillë dhe jam i bindur se do të mjaftonte që Lidhja për të Drejtat e Njeriut t’u kishte vënë në dukje situatën e Dervish Himës, që ata të vepronin në favor të tij me energjinë dhe shpejtësinë e tyre të zakonshme dhe ta linin atë të lirë, edhe sikur ta konsiderojnë kundërshtar, që të mbrojë kandidaturën para bashkëqytetarëve.

Nëse ai akuzohet për një vepër penale, do të ketë gjithmonë kohë për t’i bërë një gjyq të rregullt, të rrethuar nga garancitë e drejtësisë së paanshme.

Menjëherë, për këtë i shkrova mikut tim Ahmed Riza, duke kërkuar ndërhyrjen e tij. Miku dhe kolegu im i shquar Hector Denis, sapo i ka shkruar për të njëjtin qëllim dhe ju bëj thirrje, miku im i dashur, në mbështetjen tuaj të plotë, duke ju lutur të veproni me të gjitha fuqitë tuaja, në favor të Dervish Himës.”

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit