MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Domethënia e përplasjes së Presidentit Meta në Gjykatën Kushtetuese

02.02.2022 - 18:16

Nga Mentor Nazarko

Institucionet më të rëndësishme të Shqipërisë janë përfshirë  në një konflikt të paprecedent, i cili do të marrë drejtësi në Gjykatën më të rëndësishme të vendit, vendim i cili ka implikime kombëtare, por dhe ndërkombëtare. Presidenti vetë duke injoruar si institucion të paqenë, parlamentin që e vendosi shkarkimin  apo dhe vetë Gjykatën si institucion ose i paplotë, ose në konflikt interesi, nuk po merr pjesë në vetë të parë në konfliktin teorik, por ama beteja është e plotë, në nivelin më të lartë, të paktën profesional.

Kësisoj në një rrafsh të parë analize, ajo teorike, investimi i GJykatës Kushtetuese është një mundësi për pasurimin e  të drejtës kushtetuese të vendit. Institucionet kryesore që përbëjnë shtetin janë të përfshirë në një përplasje ku janë angazhuar juristët më të mirë te vendit. Mbrojtja e Presidentit, argumentimet e Gjykatës, impianti përfundimtar i vendimit të saj, shefi i shumicës dhe kreu i komisionit të ligjeve në çdo shtet normal janë autoritete profesionale, apo të asistuara nga autoritetet më të larta profesionale, kësisoj debati apo konflikti është pasurues.

Mirpo, në rrafshin politik, atë kushtetues, por jo vetëm, presidenca është duke zhvilluar një betejë me disa qëllime. Elementi i parë i betejës së Presidentit Meta, është që të tregojë koherencë me betejat e mëparshme politike dhe institucionale. Konkretisht Meta po demonstron në mbrojtjen e tij se Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese nuk po funksionon si duhet (mbarimi i mandateve të disa anëtarëve; konflikti i interesave të disave prej tyre; vonesat në emërime nga Gjykata e lartë, etj) dhe kështu ai vijon të sulmojë shumicën si shkaktare të kësaj mungese funksionale apo të ekuilibrit të institucioneve. Sipas tij, reforma në Drejtësi i ka de-funksionalizuar institucionet kryesore në vend – kjo ishte teza kryesore e mbrojtjes, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Po ashtu Presidenti Meta nga kjo pedanë kushtetuese po përgatit kërcimin në terrenin e politikës. Nga ana tjetër mbrojtja e tij, ai vetë po krijon premisa për atë që është ankimimi i çeshtjes në Gjykatën e Strasburgut me argumentin e mohimit të një drejte universale- mungesës së një procesi të rregullt ligjor.

A vlen kjo dhe për drejtuesit e lartë të shtetit- kjo pritet të shihet. Momenti i fundit është taktik: për ta shtyrë gjykatën që të marrë sa më shumë kohë me shumë pyetje dhe pretendime. Mbase Presidenti do të donte që Gjykata ta shtyjë marrjen e vendimit derisa ai të mbyllë të plotë mandatin. Dhe Gjykata e lodhur nga një punë aq e madhe, e shtyu seancën për të enjten. Koha e zgjedhur -1 shkurti, për shqyrtim pas shtyrjes së seancës në 18 janar, ngjante se përputhej me vizitën e të dërguarit amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar. Madje dhe kembëngulja e Gjykatës, shpejtësia e saj dje, ngjante sikur donte të përputhej me këtë vizitë në Ballkan, por kjo hipotezë nuk u vërtetua.

Pra për herë të parë Gjykata e një vendi në Ballkan, po merret me shkarkimin e një kryetari shteti, një precedent i paparë në historinë e institucioneve kombëtare, ndonëse kemi parë konflikte si ai i Kryeministrit Berisha me presidentët Moisiu dhe Topi, apo Rama dhe Nishani. I ndërkombëtarizuar ky konflikt, kjo përpjekje brenda institucioneve, që mund të përfundojë në Strasburg, do të ndikojë jo thjesht brenda Shqipërisë. Ky fakt mund ta cënojë imazhin e vendit si vend normal. Disa argumenta që vlejnë per të drejtën tonë- si ai i zgjatjes së mandateve, etj, nuk besohet se do të vlejnë kur do të shqyrtohen në Gjykatën e Strasburgut. Ndaj disa pretendime të mbrojtjes së Presidentit që kanë natyrë proceduriale, janë plotësisht të arsyeshme, megjithë qasjen puritane të tyre në përdorimin e konceptit të konfliktit të interesit Parlament-Presidencë.  Perkundër këtyre argumenteve të mbrojtjes, përkundër vullnetit të mbrojtjes së Metës për të marrë kohë,  Gjykata Kushtetuese megjithatë po  përgjigjet me shpejtësi, diçka që tradhëton cilësinë e vendimit, pavarësisht se pala akuzuese ka argumenta të fotë: marrja e anës politike, nxitja e dhunës, dhe sulmet mbi institucionet.

Pse po insiston Presidenti Meta në Gjykatë? Janë disa arsye.

Largimi i presidentit Meta me shkarkim, që konfirmohet nga Gjykata kushtetuese në Tiranë, dhe ajo e të drejtave të njeriut në Strasburg do të thotë një pamundësi për rikandidim në nje moshë te caktuar. Me të drejtë ai kërkon ta shmangë mbylljen me shkarkim të karrierës së vet institucionale.

Si shkon Presidenti Meta në Strasburg, nëse dështon në Tiranë? Po, ngjan se një pjesë e argumenteve proceduriale kryesisht që ka ngritur mbrojtja e zotit Meta janë argumente logjike dhe solide kushtetutshmërisht. Ama beteja kushtetuese e mban presidentin Meta në nivel të lartë të përplasjes politike në vend, duke i dhënë aureolën e protagonistit, kur opozita është e përçarë. Kësisoj, ndërkohë i jep atij atë premisën për të hyrë i nxehtë në betejën politike të radhës. Nëse Gjykata Kushtetuese do shprehet shpejt, ndoshta ai mund të përfshihet në zgjedhjet e 6 marsit. Nëse ai zgjedh të lirojë zyrën, kjo pritet të ndodhë, dhe ai e ka lënë të kuptohet këtë. E kjo hyrje e tij në betejë, me siguri e ekstremizon betejën politike në vend. Dy dinosaurë të politikës si Berisha dhe Meta në një krah, përballë Ramës, të gjendur në cepin e ringut politik, nuk duan të dorëzohen lehtë. Beteja e Gjykatës është thjesht vetëm antipasta formale e këtij ekstremizimi.