MENU
klinika

Nga Roger Cohen

Evropa bën thirrje për paqe, por jo me çdo çmim

09.02.2022 - 21:52

Dy ditë diplomaci intensive në të dy anët e Atlantikut e lënë ende të ngrirë situatën e krizës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

BERLIN – Pas dy ditësh diplomacie intensive në të dyja anët e Atlantikut në lidhje me krizën në Ukrainë, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë thanë se qëllimi i tyre kryesor ishte ruajtja e paqes në Evropë, por paralajmëruan Rusinë për pasoja të rënda, nëse ajo fillon inkursione të mëtejshme në Ukrainë.

“Ne ndajmë një qëllim,” tha kancelari gjerman Olaf Scholz, të martën, pas takimit të liderëve në Berlin. “Ruajtja e paqes në Evropë me diplomaci, me mesazhe të qarta dhe me gatishmëri të përbashkët për të vepruar së bashku”.

Por, ai e bëri të qartë se paqja nuk mund të vij me çdo çmim. Duke folur një ditë pas takimit me Presidentin Biden në Uashington, zoti Scholz vazhdoi: “Një shkelje e mëtejshme e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës është e papranueshme dhe do të çonte në pasoja të gjera për Rusinë, politikisht, ekonomikisht dhe me siguri edhe me pasoja strategjike.”

Kjo ështe një nga deklaratat më të forta të z. Scholz për krizën, ndërkohë që Gjermania është përballur me kritika sepse qëndrimi i saj është perceptuar si një përgjigje e dobët ndaj përqëndrimit të madh të trupave ruse në kufirin ukrainas. Por takimi me zotin Biden duket se e ka forcuar vendosmërinë e kancelarit, i cili mori detyrën vetëm dy muaj më parë.
Ai u shoqërua në konferencën pë shtyp nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti i Polonisë Andrzej Duda, i cili e quajti situatën “më të vështirën që nga viti 1989”. “Evropa –
shtoi ai – nuk i ka parë këto lloj lëvizjesh trupash që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Ndjeshmëritë e Polonisë ndaj agresionit rus janë veçanërisht të mprehta pasi ajo i ka kaluar dekadat e pasluftës nën çarkun e perandorisë totalitare sovjetike, ndjenja të cilat i ndajnë gjerësisht të njëjta edhe vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Përqëndrimi i trupave nga Rusia ka bërë që Shtetet e Bashkuara të kthejnë sërisht vëmendjen drejt Evropës, të ringjallin aleancën e NATO-s të fokusuar në misionin e saj origjinal, ndaj kërcënimit të sigurisë së kontinentit, të arritur me aq mundim.

Pas takimit të hënën me Presidentin Putin, Presidenti Macron u takua të martën në Kiev me Presidentin Zelensky të Ukrainës. “Ne duam të vazhdojmë dialogun me Rusinë për të shmangur rrezikun e përshkallëzimit të situatës, për ti hapur rrugë uljes së krizës ”, tha ai.

Më herët Macron tha se kishte marrë nga Rusia angazhimin për “mos degradimin apo përshkallëzim të situatës” në Ukrainë, duke hapur rrugë të reja negocimi për “sigurinë kolektive të hapësirës evropiane”.

Por Kremlini përmes zëdhënësit Dmitri S. Peskov bëri një deklarim më të rezervuar; ai hodhi poshtë raportimet se të dy presidentët kishin arritur ndonjë marrëveshje për mos-përshkallëzim të situatës, dhe sugjeroi se ishin Shtetet e Bashkuara, jo Franca, ato që kanë synuar për të negociuar një marrëveshje të tillë.

Në një bisedë 45-minutëshe me reporterët gjatë fluturimit me aeroplan nga Moska në Kiev, Macron tha se nuk e kishte pritur kurrë “për asnjë sekondë” që Putin do të bënte një gjest madhështor, por ai ndjeu se kishte sukses në qëllimin e tij për të “ngrirë lojën.” Ky mund të duket një objektiv i vogël, por me rreth 130,000 trupa ruse të vendosura jashtë Ukrainës, çdo pauzë do të ishte një mundësi negocimi.

Nëse zoti Putin është zotuar të mos përshkallëzojë situatën, prap mbetet e paqartë se sa kohë mund të zgjasë ajo. Presidenti francez sugjeroi të paktën një periudhë javësh, por në Moskë, fjala e zëdhënësit Peskov tingëllonte me nota më kërcënuese.

Pavarësisht “sensit të arsyes” në qasjen e zotit Macron, tha ai, “deri më tani, ne nuk e kemi parë dhe nuk e kemi ndjerë gatishmërinë e homologëve tanë perëndimorë për të marrë parasysh shqetësimet tona”.

Kriza – bëri të qartë ai – nuk është zbutur, edhe pse këshilltari i lartë diplomatik i zotit Macron i gjykoi shanset për luftë si “të ulëta”.

Pas bisedimeve me zotin Zelensky, zoti Macron tha se të dyja palët ishin të hapura për të ndjekur paqen në provincat lindore të Ukrainës të kontrolluara nga përfaqësuesit e mbështetur nga Moska.

Z. Zelensky, duke qëndruar pranë presidentit francez në Berlin, e përshkroi hapjen e zotit Putin ndaj bisedimeve si “të mirë – nëse është serioze dhe jo një lojë”; megjithëatë, në pamjen e tij ai dukej skeptik.

Presidenti Macron gjatë vizitës nëKiev, të Martën

“Pool photo” nga Thibault Camus
Zyrtarët që përfaqësojnë Rusinë, Ukrainën, Francën dhe Gjermaninë do të takohen në Berlin nesër, e enjte 10 shkurt, për të diskutuar ringjalljen e marrëveshjes Minsk 2, e cila synonte t’i jepte fund luftimeve në provincat separatiste në Ukrainën lindore. “Kjo është e vetmja rrugë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme politike,” tha zoti Macron për marrëveshjen, e cila është rrënuar nga mosmarrëveshjet mbi kuptimin e saj dhe është dëshmuar si jo-funksinale, që kur u përfundua në 2015.

Megjithatë, kjo çështje përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të problemit; më shumë se një mosmarrëveshje kufitare, kriza shtron pyetjen se si do të garantohet siguria evropiane për shumë vite në të ardhmen.

Duke ndjerë se fuqia e SHBA e NATO-s po zhvendoset në drejtimin e tij, Putini dëshiron të zgjidhë ato që ai i sheh si hesape të vjetra që duhen rregulluar që prej kohës së poshtërimit të Rusisë nga Perëndimi, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. NATO përmes zgjerimit, u ka afruar siguri dhe stabilitet vendeve të shtypura në ish sistemin sovjetik, por me çmimin e zemërimit dhe tjetërsimit të Rusisë, për një periudhë sa më të gjatë të jetë e mundur.

Macron e përshkroi Putinin si të mbyllur në një logjikë “revizioniste”, ndërsa zyrtarët pranë udhëheqësit francez e portretizuan president rus si “të ngurtësuar” dhe “të shtangët.”

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i kanë hedhur poshtë – si baza për fillimin e bisedimeve – kërkesat e rusisë për të ndërprerë zgjerimin e NATO-s në pjesë të Evropës Lindore që Moska i konsideron të jenë në sferën e saj të influencës, si dhe largimin e trupave të NATO-s nga vendet e dikurshme të kontrolluara nga sovjetikët.

Putin ka grumbulluar trupa në kufirin lindor të Ukrainës, por edhe në veri, në Bjellorusi, të dislokuara për stërvitjet ushtarake që do të përfundojnë më 20 shkurt. Prania e tyre ka ngritur frikën se presidenti rus mund të krijojë baza ushtarake në Bjellorusi, të mbajë trupa atje vetëm 200 km nga Kievi, dhe madje, të vendosë armë bërthamore në territorin e fqinjit të saj.

Pamje satelitore dislokimi javën e kaluar i sistemeve të raketave ose predhave reaktive,në veri-perëndim të qytetit Yelsk Bjellorusi.

Foto nga Maxar Technologies, përmes Reuters

Macron tha se kishte marrë garanci nga Putini se trupat do të tërhiqeshin menjëherë pas stërvitjes, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, zoti Peskov tha se Presidenti Putin nuk dha një datë për tërheqjen, duke shtuar: “Askush nuk ka thënë ndonjëherë se trupat ruse do të qëndrojnë në Bjellorusi.”

Duke analizuar sjelljen e zotit Putin përpara se të mbërrinte në Berlin, Macron tha se lideri rus “legjitimon atë që bën si një përgjigje ndaj NATO-s”. Rezultati ishte se zoti Putin, në narrativën e tij, mund të gjejë gjithmonë një pretekst për agresion. “Sa herë që ne flasim për zgjerimin e NATO-s, përballemi me veprime ushtarake ruse që reduktojnë sovranitetin e Gjeorgjisë apo të Ukrainës”, tha zoti Macron.

Duke qenë se Macron e ka për zemër temën e një konfigurimi të ri për sigurinë evropiane me një Evropë më të fuqishme, ai tha se “ne duhet të mendojmë për sovranitetin dhe pavarësinë e këtyre vendeve në një formë tjetër”. Pavarësia e një vendi si Ukraina duhet të garantohet, së bashku me sovranitetin dhe sundimin e ligjit, por edhe qëndrueshmërinë e saj. Kjo ishte një kohë, argumentoi ai, “për të rimenduar një rrugëzgjidhje drejt stabilitetit.”

Në Berlin, presidenti polak Duda, kishte shqetësime më imediate sesa arkitektura strategjike e ardhshme e Evropës. “Të gjithë ne po pyesim, çfarë do të ndodhë më pas? Cili do të jetë rezultati?” tha ai. “Na takon ne të ruajmë ligjin ndërkombëtar dhe integritetin territorial, edhe për vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian apo NATO-s, por janë aleatët tanë”, due shtuar: “Ne duhet të tregojmë se nuk bëjmë asnjë hap prapa. Ne nuk lëmë askënd pas.”

Përgatitur nga Flamur Hadushi

Shënim:
Roger Cohen punon për New York Times që nga viti 1990. Ai ka qenë korespondent i jashtëm për më shumë se një dekadë, përpara se të bëhej botues i jashtëm në mars 2002.

Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes në klinikën dentare të Roland Xhaxhos

Ekspertiza e Brian Spahiut do të kryhet nga një grup mjekësh italianë

Një itinerar udhëtimi nëpër fshatra, ferma, shtigje e rafting

‘Forbes’ zgjedh Shqipërinë për aventurë emocionuese

"Do ketë ndikim të dëmshëm në mbrojtjen e refugjatëve"

Ligji për Ruandën, OKB thirrje Britanisë së Madhe: Rimendojeni!