Dy kryevepra! Për një NOBEL, një shkrimtari çfarëdo do t’i kishin mjaftuaR “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”. Por, jo Tolstoit të madh…
Leon Tolstoi, gjerësisht vlerësohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Autori dhe mendimtari gjenial rus, i dha kontribut të madh letërsisë dhe historisë ruse.Shkrimtari rus ishte novelist, eseist, dramaturg dhe filozof. Gjeniu rrjedh nga familja aristokrate e Tolstojve. Njihet për dy veprat kryesore “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”.
Pavarësisht kësaj, Tolstoi, shembulli më madhështor i realizmit letrar në histori dhe mbase, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj në histori, nuk mori asnjë NOBEL. Dy veprat e tij të mëdha, “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina” do të kishin qenë më se të mjaftueshme për t’i siguruar një shkrimtari çfarëdo një çmim Nobel. Por jo të madhit, Tolstoi. Komiteti nuk mendoi se Tolstoi, po e çonte letërsinë moderne në “drejtimin ideal”.
Leon Tolstoi u lind më 9 gusht 1828 në katundin Jasnaja Poljana pranë Tulës, nga një familje e vjetër fisnikësh. Sa pati mbushur dy vjeç i vdiq e ëma. Për edukatën e tij u kujdes shumë tezja. Në shtëpi, për edukatën e fëmijëve kishte mësues e kujdestarë të huaj. Më 1844, hyri në universitetin e Kazanit dhe nisi të bënte jetën e çrregullt të studentëve aristokratë, duke u dhënë pas ballove e dëfrimeve. Po kjo jetë e zbrazët e lodhi; nuk e kënaqën as studimet, prandaj i la mësimet përgjysmë dhe u kthye në katundin e tij me vendim të prerë, që të përmirësonte gjendjen fshatare. Po në atë kohë ai iu përvesh një pune jashtëzakonisht të madhe për të zgjeruar e forcuar kulturën e tij. Më 1851 hyri në ushtri; shërbeu në vende të ndryshme, si në Kaukaz, në ushtrinë e Danubit e sidomos në Krime.
Gjatë shërbimit ushtarak, ai boti prej 1852-1856 kujtimet e fëmijërisë në tre romane: “Fëmijëria”, “Adoleshenca”, “Rinia”. Këto vepra patën sukses dhe tërhoqën vëmendjen e botës letrare mbi oficerin e ri.
Pasi mbaroi lufta e Krimesë ku ai pat marrë pjesë, dha dorëheqjen dhe shkoi në Peterburg. As këtu nuk qëndroi gjatë. Pas një udhëtimi jashtë Rusisë, në Francë e Zvicër, më 1859 filloi punën si mësues në Jasnaja Poljana. Mblodhi rreth vetes mësues të mire, nisi të botojë edhe një revistë pedagogjike. Më 1862 ai u martua. Shkroi vepra të ndryshme letrare, nga të cilat shquhen romanet “Lufta dhe paqja“ (1864-1869) dhe “Ana Karenina“ (1873-1877), por u mor edhe me aktivitet pedagogjik e me bujqësi. Gjatë viteve 1881-1901 Tolstoi jetoi në Moskë ku mësonin fëmijët e tij. I kësaj kohe është romani i tij ”Ringjallja“ (1899). Më 1901 u kthye sërish në fshatin e tij ku bënte një jetë sa më të thjeshtë.
Më 1908 mbarë bota nderoi tetëdhjetë vjetorin e tij. Pas kësaj, nuk jetoi më gjatë. Më 28 tetor 1910, fshehurazi u largua nga familja e tij, nga Jasnaj Poljana, me qëllim që të vendosej në jug, pranë disa fshatarëve për të jetuar njësoj si ata. Vetëm në këtë mënyrë shpresonte të plotësonte idealin e tij. Por rrugës u ftoh dhe vdiq më 7 nëntor 1910 në stacionin hekurudhor ”Astapova” ( sot Leon Tolstoi). Sipas dëshirës së tij, u varros në Jasnaja Polijana. Veprat e Rusoit e patën magjepsur shumë Leonin. Po mbi ndërgjegjen e Tolstoit, gjurmë ta pashlyeshme la sidomos ambienti i Jasnaja Poljanës, jeta e shëndoshë fshatare dhe natyra e bukur ruse.
Tolstoi mohoi krejt klasën e fisnikëve dhe kaloi në pozitat e fshatarësisë patriarkale; kuptimin e jetës së vërtetë e gjeti te mbarë populli, te mbarë njerëzimi, që ndërton jetën me duart e veta e që s’është parazit. Me këtë prizëm ai kritikoi ashpër regjimin shoqëror e politik të Rusisë cariste, kishën, kulturën oborrtare dhe pronën.
Veçse ai kishte edhe pikëpamje jo të drejta, nuk predikoi luftën kundër këtyre institucioneve të kalbura. Sunduesve u këshillonte që të hiqnin dorë vullnetarisht nga pronat dhe nga privilegjet, kurse klasave të shtypura u këshillonte të durojnë, të ushqejnë dashuri vëllazërore. Ai mendonte se zgjidhja e kontradiktave shoqërore dhe përparimi do të bëhej jo me anë të luftës së klasës, jo me anë të revolucionit.
Nën influencën e kësaj filozofie, morale, ai hoqi dorë për një kohë nga letërsia artistike, duke u marrë me vepra mësimore, me anë të të cilave kërkonte t’i mësonte popullit moral. “Ana Karenina” është një ndër veprat më të njohura ruse e shkruar nga Leo Tolstoi gjatë viteve 1873 – 1877. Në këtë vepër trajton stilin realist, duke treguar për familjet aristokrate në Rusi në atë kohë. Personazhi Ana Karenina u frymëzua nga motra e Aleksandër Pushkinit, Maria Hartungu.
“Lufta dhe Paqja”, është një vepër historike, në përkthimin shqip e ndarë në katër libra, flet për ngjarjet e trazuara në Rusi gjatë luftrave të Napoleonit në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Mbështetur mbi një stil jete aristokratike që tashmë kish filluar të zhdukej gjatë kohës që Tolstoi shkroi librin, në vitet 1860, vepra përmbledh një periudhë relativisht të shkurtër, pesëmbëdhjete vjet, por pasqyron jetët e karaktereve të ndryshëm nga të gjitha segmentet e shoqërisë me detaje të gjalla dhe të mirërealizuara. Tregimi pasqyron përballjen e një gjenerate me ndryshimin: një pjesë që të luftojnë për të mbrojtur strukturën ekzistuese edhe me jetën e tyre, ndërsa të tjerët e kuptojnë se mënyrat e vjetra po zhduken.