MENU
klinika

''Testamenti i Musinesë''

Gjirokastra nderon kujtimin e shkrimtares

10.02.2022 - 15:20

         Qytetit të vjetër, të gurtë, një pas një i shtohen muzetë. Gjirokastra e Kadaresë, do të ketë së shpejti edhe shtëpinë-muze të shkrimtares së parë shqiptare, demokrates dhe disidentes së palëkundur, Musine Kokalari.

Vajza dhe gruaja shqiptare me formimin perëndimor, do të përballej me egërsinë brutale të ideve komuniste, ide që nuk do ta zmbrapsnin luftën e saj në emër të një Shqipërie të lirë dhe demokratike.

Një shkrimtare e re, që do të privohej nga jeta dhe aktiviteti i saj letrar e kulturor, për shkak të mendësisë dhe nivelit të lartë intelektual që reflektonte. Një e re që do të kundërshtonte me forcë, regjimin dhe mbylljen komuniste të vendit të saj të varfër, që kjo grua e emancipuar do të donte ta shihte si çdo vend tjetër i Evropës, ku ajo ishte shkolluar.

“Musine Kokalari ishte një grua e rrallë që shenjoi një epokë dhe udhëhoqi përpjekjet për emancipim të gruas shqiptare, një mendje e bukur dhe shpirt i lirë që s’u dorëzua deri në frymën e fundit. Në bashkëpunim me familjen Kokalari synojmë kthimin e shtëpisë së saj në Gjirokastër, në muze që do të jetë edhe një atraksion tërheqës për turistët”.

Është ky, mesazhi që vjen këtë ditë, nga kreu i Bashkisë, Golemi.

(Shtëpia ku ka jetuar familja e Musine Kokalarit dhe vetë Musineja, gjatë viteve të qëndrimit në Gjirokastër, e fotografuar gjatë kohës së restaurimit, para zjarrit që e dëmtoi krejtësisht – Fotografia nga: Tomi Luzati)

Gjirokastra shënoi 105-vjetorin e lindjes së intelektuales, me aktivitetin titulluar “Testamenti i Musinesë”.

Përfaqësues të institucioneve publike, pushtetit vendor, të afërm të Musine Kokalarit, intelektualë, studiues, etj vlerësuan kontributin e rëndësishëm të saj, për një Shqipëri demokratike dhe të zhvilluar.

U ekspozuan sakaq relikte dhe dokumente nga jeta e Musine Kokalarit, si dhe u shfaq filmi dokumentar “Nusja me shifon të zi”, kushtuar jetës së saj.

Musine Kokalari ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit XX.

Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pas qenë themeluese e Partisë Socialdemokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.

Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Franca në burgun e Burrelit

Avokatja që fshinte natën rrugët e Tiranës

Shkrimi i ’61-it te “Shejzat”, ku Enveri akuzon Koliqin

“Pas 30 vitesh takova Çabejn, ai s’ka bërë krime si Ernest Koliqi”