MENU
klinika

''Lord i Krujës''

Gjon Kastrioti II

02.02.2022 - 15:35

       Portreti i Gjon Kastriotit II [italisht: Giovanni Castrioto (1456–1502)], i biri i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar dhe i Donika Kastriotit, bijë e princit të fuqishëm shqiptar, Gjergj Arianitit, një punim i shkëlqyeshëm nga Roberto Gammone.

Gjoni ishte për një kohë të shkurtër ”Lord i Krujës, pas vdekjes së të atit (1468), pastaj Duka i San Pietro në Galatinë (1485), Konti i Soletos, Signore i Monte Sant’Angelo dhe San Giovanni Rotondo.

Në vitin 1495, Ferdinandi I i Napolit i dha atij titullin Signore i Gagliano del Capo dhe Oria.

Kur ishte adoleshent, ai u detyrua të largohej nga vendi pas vdekjes së babait të tij në vitin 1468. Ai njihet edhe për rolin e tij në kryengritjet shqiptare të vitit 1481, kur, pasi arriti nga Italia në bregdetin shqiptar, duke u vendosur në Himarë, ai udhëhoqi një rebelim kundër osmanëve.

Pas marrëveshjes së paqes të vitit 1483 ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit, ushtritë osmane e forcuan veprimtarinë e tyre për ripushtimin e zotërimeve të Kastriotëve dhe territoreve të tjera të lira shqiptare. Ndonëse në janar të vitit 1484, luftëtarët e Gjon Kastriotit mundën një ushtri osmane pranë lumit Erzen, rezistenca dhe lufta e organizuar e shqiptarëve nisi përkohësisht të dobësohej nga presioni i madh dhe i pandërprerë i forcave pushtuese osmane.

Në verën e vitit 1484, osmanët ripushtuan kështjellën e Himarës. Rënia e rezistencës antiosmane e detyroi Gjon Kastriotin të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej sërish në pronat që kishin Kastriotët në Itali.

Histori

Vdekja e Skënderbeut më 17 janar 1468, qe një gjëmë e madhe për Shqipërinë. Po aq e madhe qe edhe për familjen e Heroit. Donika Kastrioti dhe djali i saj Gjon Kastrioti, 13-14 vjeç, e patën të vështirë të jetonin në Shqiperi, pa kryefamiljarin e tyre. Rreziku i vazhdueshëm i pushtueve osmanë i detyroi Donikën me të birin, të largoheshin nga Shqipëria.

Republika e Venedikut e kishte shpallur Gjonin, birin e Skënderbeut, “Qytetar Nderi”.

I kishte siguruar edhe një shtëpi banimi në ishullin Kurcola. Por, Donika preferoi Mbreterinë e Napolit.

E para, se ajo trashëgonte nga i shoqi, në Apuli, dy feude me të ardhura, që mbreti i Napolit, Ferdinandi, ia kishte dhuruar me dekret Heroit, më 1464 – njërën në Monte SantAngelos, tjetrën në San Giovanni Rotondo.

E dyta, se Mbretëria e Napolit nuk bënte si Venediku kompromise të papritura me turqit.

Gjon Kastrioti jetonte ne Mbretërine e Napolit, në pronat që i kishte trashëguar prej të atit, Skenderbeut. Ai po luftonte kundër osmanëve në Otranto, kur përfaqsues të kryengritësve shqiptarë i kërkuan Gjon Kastriotit që të kthehej në Shqipëri, kërkesë që ai e pranoi. Duke përfituar nga interesimi që kishte në këtë kohë oborri napolitan për zgjerimin sa më shumë të frontit të luftës kundër pushtuesve osmanë, Gjon Kastrioti arriti të siguronte nga mbreti Ferdinand, mjetet e nevojshme të lundrimit për të ardhur në Shqipëri, së bashku me një numër luftëtarësh. Në katër anije galera napolitane i ngarkoi forcat e veta dhe u nis në drejtim të atdheut, bashkë me kushëririn e tij, Konstandin Muzakën.

Pasi Gjon Kastrioti zbarkoi në jug të Durrësit, anijet napolitane iu drejtuan Shqipërisë së Poshtme dhe zbarkuan Konstandin Muzakën në zonën e Himarës, ku ishte krijuar një vatër tjetër kryengritjesh antiosmane.

Ndërkohë, në Shqipërinë e Epërme, në rajonet malore të Lezhës e Shkodrës vepronin forcat e Nikollë Dukagjinit e Lekë Dukagjinit. Këta sulmuan edhe qytetin e Shkodrës, gjë që e detyroi Sulejman Pashën të dërgonte përforcime ushtarake edhe në këtë zonë.

Gjon Kastrioti u mirëprit nga banorët e Shqipërisë Qendrore, si trashëgimtar i ligjshëm i vendit.

Me ardhjen e tij, kryengritesit e këtyre rajoneve e fuqizuan luftën për dëbimin e pushtuesve osmanë. Në këto kushte, Sulejman pashë Eunuku nisi kundër tyre një pjesë të ushtrisë osmane, që po përgatitej në rrethinat e Vlorës, për të shkuar në Itali. Për të përballuar sulmin e ushtrisë osmane, Gjon Kastrioti dërgoi një pjesë të luftëtarëve të vet në mbrojtje të një shtegu nga do të kalonin trupat armike. Por, luftëtarët shqiptarë nuk e përballuan dot sulmin e forcave osmane dhe thuajse të gjithë u kapën rob. Kjo humbje ia lëkundi besimin Gjon Kastriotit, për suksesin e kryengritjes, prandaj ai mendoi të largohej nga Shqipëria dhe të kthehej në Itali. Por banorët e zotërimeve të Kastriotëve shprehën një gatishmëri masive për të vazhduar luftën kundër pushtuesve osmanë. Rreth 7 mijë luftëtarë u grumbulluan rreth Gjon Kastriotit dhe në gjysmën e parë të muajit gusht të vitit 1481 i sulmuan dhe i shpartalluan trupat osmane. Krahas kësaj fitoreje u arrit të liroheshin edhe shqiptarët që ishin zënë rob prej osmanëve në betejën e mëparshme. Po gjatë muajit gusht të vitit 1481 edhe në viset perëndimore të Shqipërise së Poshtme, sidomos në rajonin e Himarës, u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe trupave osmane.

Nën drejtimin e Konstandin Muzakës luftëtarët shqiptarë rrethuan dhe sulmuan kështjellën e Himarës dhe të Sopotit, Borshit. Gjendja shumë e vështirë që u krijua për forcat osmane, që vepronin në këto vise, e detyroi Sulejman Pashën të nisej vetë në krye të 3 mijë ushtarëve në drejtim të Himarës. Por, rrugës këta u shpartalluan prej shqiptarëve dhe lanë mbi 1 mijë të vrarë dhe robër. Midis robërve ishte edhe bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman Pasha, të cilin himariotët ia dhanë si trofe lufte Gjon Kastriotit, shprehje kjo e ndjenjave të tyre të thella për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si dhe të respektit që ata tregonin për veprimtarinë e djalit të tij. Për të tërhequr vëmendjen e përkrahjen e shteteve evropiane për luftën e shqiptarëve, Gjoni i dërgoi mbretit të Napolit si trofe bejlerbeun e Rumelisë. Pas fitores së himariotëve mbi trupat e Sinan Pashës, në viset bregdetare të Shqipërisë se Poshtme u çliruan kështjella e Himarës më 31 gusht 1481 dhe më pas, ajo e Sopotit. Shpartallimi i ushtrisë së Sulejman Pashës në Shqipëri, i lehtësoi së tepërmi aksionet luftarake antiosmane që zhvilloheshin në mbretërinë e Napolit.

Më 10 shtator të vitit 1481 ushtria e Napolit çliroi kështjellën e Otrantos dhe i dëboi kështu osmanet nga Italia. Pas fitoreve të shqiptarëve gjatë muajit gusht të vitit 1481, kundër ushtrisë së Sulejman Pashës, u zgjeruan veprimet e tyre luftarake për çlirimin e qyteteve dhe të kështjellave të vendit. Luftëtarët e Gjon Kastriotit iu drejtuan Krujës dhe ndërmorën sulme për çlirimin e qytetit. Megjithëse nuk arritën ta merrnin, sepse kështjella e Krujës ishte shumë e fortifikuar dhe e papushtueshme me forcën e armëve, deri në fund të vitit 1481, shqiptarët çliruan një pjesë të konsiderueshme të zotërimeve të Kastriotëve, duke përfshirë edhe kështjellën e Stelushit, si dhe krahina të tjera rreth saj.

Si kryezot i viseve të çliruara u njoh Gjon Kastrioti.

Pas marrëveshjes së paqes, të vitit 1483, ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit, ushtritë osmane fuqizuan veprimtarinë e tyre për ripushtimin e zotërimeve të Kastriotëve dhe të viseve të tjera të lira shqiptare. Edhe pse në janar të vitit 1484, luftëtarët e Gjon Kastriotit shpartalluan një ushtri osmane pranë lumit Erzen, qëndresa dhe lufta e organizuar e shqiptarëve përkohesisht filloi të dobësohej prej presionit të madh, të pandërprerë të trupave pushtuese.

Në verë të vitit 1484, osmanët ripushtuan kështjellën e Himarës. Rënia e qëndresës antiosmane e detyroi Gjon Kastriotin të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej përsëri në pronat që Kastriotet kishin në Itali. Të njëjtën gjë bënë edhe sundimtarët e tjerë shqiptarë, që kishin emigruar dhe që në fillim të viteve 80 erdhën në Shqipëri, për të udhëhequr kryengritjet antiosmane.

Gjon Kastrioti vdiq pas vitit 1502 dhe la pesë fëmijë: Gjergjin Skënderbeu i Ri, Konstandinin, peshkop i Izernias që vdiq në vitin 1500, në moshën 20-vjeçare, Ferrantin të cilit Marin Barleti i ka kushtuar një parathënie në veprën e tij “Historia e Skënderbeut” dhe që ka vdekur më 1561, Federikon, që vdiq më 1503 në moshën 15-vjeçare, në Valencie të Spanjës, ku u varros me nderime mbretërore, si dhe Marien, e cila iu përkushtua artit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

Gjashtëqind vjet mall...

”Moti i madh” troket në UNESCO


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit