MENU
klinika

Kreu i grupit detyroi anëtarin të vetëvritej

Goditet banda e grabitësve shqiptarë në Greqi

21.02.2022 - 11:16

Një grup kriminal shqiptar që kryente vjedhje në stacionet dhe mjetet e transportit publik në Greqi është goditur nga Policia vendase. Pjesëtarët e bandës janë me origjinë nga Saranda, Fieri, Gjirokastra, Berati e Vlora, ndërsa veprimtaria e tyre kriminale rëndohet për shkak të përfshirjes në vetëvrasjen e një personi si pasojë e një borxhi prej 10 mijë eurosh.

Operacioni për “çmontimin” e grupit ka nisur në tetor 2021, kur Policia greke i ka filmuar, fotografuar e përgjuar hajdutët gjatë veprimtarisë së tyre.

Nëngrupi i parë drejtohej nga Klodjan Zeneli, 37 vjeç, nga Saranda, i njohur në Greqi me pseudonimin “Klodi”, i cili drejtonte 10 persona: Gimin, 23 vjeç; Turin, 44 vjeç (Artur Bashimi); ÇeloN, 35 vjeç; Minin ose Minen, 37 vjeç; Colin, 33 vjeç, aktualisht në Burgun e Korfuzit; si dhe tre shqiptarë 31, 43 dhe 52 vjeç.

Nëngrupi i dytë drejtohej nga Aldo Bramellari, 32 vjeç, nga Tirana, i njohur në Greqi me pseudonimin “Martin”.

Nën drejtimin e tij ishin rreth 14 persona, shqiptarët Mandi, Niku, Nari dhe Miri, 45- vjeçari Armando, 42-vjeçari Turi (Artur Dinaj), 27-vjeçari Eltjon, 52-vjeçari Mondi, një bullgare me emrin Maria, katër shqiptarë 42, 43, 53 dhe 63 vjeç dhe një rumun. Nëngrupi i tretë drejtohej nga 43-vjeçari Dilaver Alushi nga Gjirokastra, i njohur në Greqi me pseudonimin “Laveri”, ndërsa në grup ishin edhe dy shqiptarë, njëri prej të cilëve ende i paidentifikuar, me pseudonimin “Blendi”.

Grupi i “xhepistëve” vidhnin portofola, celularë, dokumente dhe sende të tjera personale. Viktimat e tyre ishin kryesisht të moshuar, vajza të reja dhe turistë. Anëtarët e grupit niseshin në mëngjes me makina, motorë ose në këmbë dhe shkonin nëpër stacione, ndërkohë që zgjidhnin oraret 06:00- 12:30 dhe 17:00-21:00.

Ndërkohë, Marsel Bashimi, 35 vjeç, nga Gjirokastra, është përfshirë edhe në plagosjen me thikë të një gjeorgjiani për shkak të sherrit për kalimin e mjeteve në rrugë. Një anëtar i grupit i njohur si “Lame” kreu vetëvrasje pasi detyrohej 10.000 euro dhe i bëhej presion nga drejtues të grupit që t’u jepte paratë.

Teksa banda kishte planifikuar qe ta rrihte me qëllim që të jepte borxhin, i riu nuk e duroi presionin dhe vrau veten. I riu u gjet i varur në një dhome hoteli në Omonia.