MENU
klinika

Hamami, ky oaz qetësie!

”Gratë” e Kiço Londos… ju presin në Korçë

08.02.2022 - 17:00

         Një komedi e hareshme, mes bisedash vetëm… për vajza! ”Hamami i grave” vjen si një rrëfim i sinqertë për miqësinë. Për solidaritetin midis grave. Për të gjitha detajet, ngjarjet dhe episodet që vërtiten në jetën e secilës prej kësaj shtatëshje gazmore.  

Ngjarjet e komedisë me autore, britaniken Nell Dunn, zhvillohen brenda një hamami.

Vajzat, le të themi kështu, gjejnë atje jo vetëm një trajtim e çlodhje trupore, por edhe paqen e munguar shpirtërore. Ato duket se kanë zbukuar këtë treapi të re, për t’iu ikur problemeve të pafundme: braktisja, dhuna në familje, humbja e vetëbesimit, keqtrajtimi i një fëmije prej vetë prindit. Por, si çdo herë, politika nuk do t’i kursejë as këto gra që i vidhen botës. Vendimi këshillit bashkiak për ta mbyllur hamamin, zgjon tek ato përpjekjet për ta përmbysur atë.

Megjithëse këtyre ”vendimeve” u dihet fundi, ato, gjithsesi arrijnë të përcjellin mesazhe për shoqërinë. Optimizmi, nuk i braktis për asnjë çast.

Me fundin e komedisë, vjen edhe një një fillim i ri.

Gratë, pra akoret, ju premtojnë një lojë brilante, sikur edhe kostumet e tyre bashkë me dekorin.

Komedia e suksesshme “Hamami i grave”, për tri net radhazi, vjen në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, në qytetin e Korçës. Një shfaqje me regji nga Kiço Londo, që ka pasur sukses në skena të ndryshme deri tani, ngjitet në skenën e Korçës, më: 9, 10 dhe 11 shkurt.

Çfarë ndodh kur shemben vendet e shenjta?

Gjashtë gra të traumatizuara nga jeta e përditshme, takohene miqësohen në hamam, si për t’u shpëtuar dhembjeve fizike dhe shpirtërore, deri kur… papritur bota e tyre shembet. Vjen lajmi se ky vend qetësie, hamami ku ato gjejnë shpëtimin, duhet të prishet dhe të shndërrohet në bibliotekë.

Teatri Shëtitës Çajupi çeli aktivitetin artistik këtë vit, me komedinë brilante “Hamami i grave”, në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, për të shkuar edhe në Korçë. Komedia nga Nell Dunn, nën regjinë e Kiço Londos, është e përkthyer nga Artur Lena.

“Hamami grave” është një komedi e jashtëzakonshme, që i afrohet anës optimiste të jetës përmes historisë së disa femrave, secila prej të cilave ndihet e vetmuar dhe e dhunuar. Shfaqja flet me guxim, butësi dhe me humor për ecurinë e botës madhështore të femrës. Në materialin rreth shfaqjes thuhet se është një vepër e vështirë, e egër, realiste, njerëzore, e ndjeshme, e butë dhe humor, që zhyten në vendet e shenjta të shpirtit femëror. “Hamami duket si mitra, ku heroinat mund të jenë të sigurta, të shijojnë çdo minutë çlodhjeje dhe pushimi, të vetidentifikohen dhe të kuptojnë realitetin e vrazhdë. Teatri Shëtitës shndërrohet në një hamam të dobishëm dhe figura femërore, plot besim e fantazi”.

Një banjë turke e rrënuar, në një zonë të Londrës, është vendi i pushimit dhe takimit, për këto shtatë gra të vetmuara, me mosha të ndryshme, nivel shoqëror, ekonomik dhe arsimor të ndryshëm. Pas dyerve të mbyllura dhe brenda mureve të lagura të hamamit, secila shpreh mendime, ankth, gëzim, ëndrra dhe zhgënjime, aventura të një mënyre retorike. Ato janë të mërzitura me lajmet kërcënuese për prishjen e vendit të tyre të preferuar dhe krijimin e një biblioteke komunale, por më pas, bashkohen të vendosura kundër shtypjes së pushtetit lokal, për të mos e shembur strehëzën e tyre.

Lufta e tyre, bazohet vetëm… në vërtetësinë e ndjenjave dhe solidaritetin.

Ndaj, “Hamami” është himni për forcën e miqësisë. Për solidaritetin mes grave.

Në role: Albana Koçaj, Esela Pysqyli, Adriana Tolka, Linda Jarani, Ola Harizaj, Dajana Nenaj, Aiola Laska dhe Elios Shuli. “Hamami i grave” është streha e tyre në një botë që vlon. Fjalët e tyre janë si monologje, sikur flasin me veten e tyre dhe po përpiqen të kuptojnë pozicionin e tyre. Burrat mungojnë, por ata janë të gjithëpranishëm në çdo rrëfim. Një botë e vështirë i pret jashtë hamamit, me të gjitha llojet e shtypjes, dhunës dhe skllavërimit.

Vepra deri tani është mirëpritur nga publiku, gjë që e bën me dije dhe vetë regjisori: “Në Durrës shfaqja u prit shumë mirë”, thotë ai. Por më parë në reagimet e tij regjisori Londo është shprehur mes të tjerave se shfaqja ka një qëllim, ku sipas tij vepra do ti flasë shpresës. “Në fakt ajo që mua më shqetëson më shumë është vrasja e shpresës…..Mendoj që vepra jonë do t’i flasë shpresës”, ka pohuar Londo.