MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Identikiti i presidentit të ri, pas kazusit Meta dhe ri-arnimi i Kushtetutës

18.02.2022 - 20:32

Nga Ben Andoni

“Pasoja juridike” e munguar: Kjo ishte kamerdarja që shpëtoi sipas specialistëve të së Drejtës Kushtetuese, presidentin e vendit, Meta. Që do të thotë, thirrjet e tij të çartura të na kishin hedhur në luftë me njëri-tjetrin dhe vendi të digjej e të ngulfatej prej sfurqeve të artikuluara prej tij, atëherë do e meritonte shkarkimin. Sa i përket ligjërimit dhe shprehjes “artistike”, ai mund të bëjë çfarë të dojë. Por, menjëherë pas dhënies së verdiktit, afër mesnatës, ndërsa presidenca gëzonte lajmin, një pjesë e madhe e publikut që e shikonte shkarkimin e Metës si çështje orësh, po mundohej të kuptonte logjikën e duhur në verdiktin e Kushtetueses. Për hir të së vërtetës, Gjykata Kushtetuese duket se eci në shtrat normal dhe i shpëtoi perceptimit paragjykues për të, por që tek e fundit sërish dha një verdikt me plot ekuivoke. Ashtu si bëri edhe për teatrin.

Në fakt, specialistët e ligjit e kishin shumë të vështirë të perceptonin sesi kjo trupë me vetëm një magjistrat do ta shprehte togfjalëshin ligjor “shkelje e rëndë” e Kushtetutës. Dhe, realisht cilët ishin faktorët kryesorë përkatës që duhet të përcaktonin veprimet, të cilat mund të konsideroheshin si  shkelje e “rëndë” e Kushtetutës prej presidentit Meta. Për fat, këtë herë, Gjykata Kushtetuese nuk i kërkoi interpretim Komisionit të Venecias, që do të jepte një shenjë ende të pamuturimit të këtij institucioni. Kurse gëlimi i diskursit të Metës indirekt iu la si e drejtë, por që publiku e lexon tashmë thjesht si mungesë etike të institucionit të vet.

Duket se në të ardhmen çështja “META dhe Gjykata Kushtetuese” mund të mbetet në ushtrimet e simuluara të Fakultetit të Magjistraturës për ta parë nga të dy anët, por kjo pak rëndësi tani kur vendimi është bërë temë interpretimesh publicistësh, gazetarësh dhe më pak juristësh.

Relativizimi i gjithçkaje është një nga sëmundje më të mëdha të vendit tonë dhe në vend që të lihet arsyeja dhe ligji flasin lloj-lloj profesionistësh shpesh në frymën e tifozerisë. Problemi është se pas të gjithë kësaj, pyetja që vjen është e saktë: A do kemi dot mundësi, që të kemi një president të ardhshëm, që duke pasur në kokë precedentin Meta, të sillet të paktën normal?!

Pa i paragjykuar paraardhësit e Z.Meta, duket se atributet e mira kanë qenë për vetëm pak prej tyre, kurse anatema e politikës i ka ndjekur jo pak herë deri në jetën private. Megjithatë, mënyra sesi zgjidhet presidenti i ri i vendit, lë sërish shteg për një identikit zhgënjyes të presidentit të ardhshëm. Kjo na shpëton vetëm nëse subjekti i ri president nuk do dojë vetë të tregojë staturë dhe të dijë të respektojë jo thjesht kushtetutën, por edhe atë hapësirë etike që merret me mënd dhe nuk ka nevojë të shkruhet. Që do të thotë të jetë mbi palët, të shqyrtojë si duhet ligjet para dekretimit,  të mos marrë pjesë në fushatë i anësuar, të dijë të mbajë një ligjërim presidencial, të mos e teprojë me shfaqjen e privatësisë dhe të jetë sa më i pakët për sytë e publikut. Në fund, duke pasur parasysh Metën, të flasi përmes dekreteve dhe firmës, por jo malit me dekorata, të tilla që shpërndau ai gjatë presidencës së vet apo edhe paraardhësi i tij, e mbi të gjitha të jetë një personazh që t’i rrisë kreditet e munguara një institucioni të kthyer në zyrë patetike të metaforave të lodhshme, si ajo e Presidencës. Kuptohet që për këtë do të duhet të ri-arrnohet sërish Kushtetuta dhe të rregullohet ligji përkatës për zgjedhjen e tij, në mënyrë që të mos kenë jetë kriza të tilla kaq qesharake, ku shteti ynë është telendisur frikshëm, së pari para qytetarëve të vet. Dhe, çfarë duhet të bëjë presidenti i ri shqiptar?

Ronald Regan, në një nga presidencat më interesante të SHBA-së, na la një moto të bukur: “Jeto thjesht, duaj bujarisht, kujdesu gjithnjë thellësisht, fol me mirësi, të tjerat lëria në dorë vetë Zotit”. Ndoshta duke u nisur nga koncepti i Zotit, që politikanët e përdorin gjithkund, do mjaftonin edhe aktet e para, që na këshilloi plaku, që shembi komunizmin, për të përfytyruar dhe kërkuar një identikit të mirë presidenti për vendin tonë.