MENU
klinika

Nga Carlo Bollino

Ilir Meta bëhet si Berisha në “zanatin” e shpifjeve

08.02.2022 - 20:26

Sëmundja berishiste e shpifjes ka infektuar tashmë edhe Presidentin e Republikës, sapo ky i fundit i është bashkuar politikisht. Siç ndodh tashmë historikisht me të gjithë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Sali Berisha ja ka ngjitur tashmë edhe Ilir Metës strategjinë e tij politike: Shpif, shpif se diçka mbetet! Një model ideologjik dhe sjellje e mësuar në shkollat marksiste-leniniste që Sali Berisha ka frekuentuar në rini të tij (me vota të shkëlqyera) dhe që prej 30 vitesh e imponon si një rregull “moral” ndaj kujtdo që i qëndron pranë, qoftë ai familjar apo shërbëtor. Për t’u çliruar nga metoda e shpifjeve mjafton të dalësh nga rrethi magjik i Sali Berishës, por sa je brenda (apo vendos të rikthehesh), nis ngjitja dhe rishpërthen te cilido nevoja e dëshpëruar për të gënjyer.

Sot Ilir Meta ju rikthye sulmeve ndaj Shqiptarja.com duke e akuzuar se ka publikuar një “fake news”, kur në të vërtetë “fake” (gënjeshtër) ishte pikërisht përgënjeshtrimi i Ilir Metës. Ilir Meta gënjen ndaj nesh ashtu si prej 30 vitesh Sali Berisha dhe klani i tij. Nuk njoh praktikisht asnjë mes politikanëve, gjykatësve, policëve apo gazetarëve që duke qëndruar nën influencën e “Doktorit” nuk është përpjekur të baltosë profesionalizmin tonë përmes shpifjeve. Ndoshta i vetmi përjashtim që meriton të njihet si i tillë u bë nga Tritan Shehu i cili në 1995, edhe pse ishte në majat e drejtimit berishian, pati kurajon të pranonte se dëbimi im nga Shqipëria si person non grata nuk bazohej në asnjë nga akuzat që kishte hedhur në qarkullim Berisha dhe shpifësit e tij (përfshi dhe disa diplomatë perëndimorë), por thjeshtë për arsye ”mospërputhje” politike. Pra, isha tepër i pavarur.

Pasi ka qene ai vetë viktima e sulmeve verbale te ”doktorit”, Ilir Meta ka vendosur të hipë në të njëjtën varkë të gënjeshtrës mbi të cilën Berisha lundron prej vitesh tashmë gjithnjë e më i vetmuar. Edhe pse të shtyrë që të dy nga nevoja për t’i bërë shoqëri njëri-tjetrit, nuk është vetëm vetmia ama ajo që i bashkon. Ndërsa kanë mbetur edhe 30 ditë nga afati i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që duhet të vendosë nese ta shkarkojë dhe 5 muaj nga përfundimi i mandatit të tij të natyrshëm, Ilir Meta jeton në një hapsirë në të cilën nuk është më totalisht President, por as akoma totalisht lider partie. Një situatë hibride e ngjashme me atë që përjeton dhe Sali Berisha, i katandisur në pak muaj nga pozicioni dominant i liderit historik të Partisë Demokratike në një rol periferik të mbështetësit të jashtëm të LSI. Njëri përfaqësues i pjesës më radikale të së djathtës, tjetri, militant i një të majte unikale sovraniste, siç i ndodh shpesh politikanëve të veshur me një ego të pamatë, pikërisht tani që po humbasin identitetin e vet, janë të bindur se mund të sfidojnë këdo me forcën e delirit të tyre, përfshi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që të dy gënjejnë në të njëjtën mënyrë, dhe fakti që tani gënjejnë bashkë, mendojnë se janë bërë më të fortë. Në realitet, pikërisht falë gënjeshtrave të tyre, ato qe i kanë bashkuar janë vetëm dobësitë.