Të shtunën në “San Siro” luhet derbi i Madoninës mes Inter dhe Mila. Në Serie A kësaj here është më shumë se një derbi, kjo edhe për shkak të renditjes, por kësaj here i ka kaluar kufijtë e Italisë, madje edhe të kontinentit.
Zikaltrit kryesues dhe kushërinjtë disa hapa më tutje në bashkëjetesë me Napolin. Gjithçka brenda një qyteti që në terma futbollistikë duket i pashoq. E thënë ndryshe, të gjithë projektorët janë drejtuar në Milano këtë fundjavë.
Derbi në Premer League – Në Angli, krahasimi mes dy ekipeve të Manchesterit nuk është kaq prestigjioz. Siti kryeson, ndërkohë që United ndodhet në vendin e katërt. Ndërkohë, asnjë nga derbet e shumta të Londrës nuk luhet në të tilla kuota e aq më pak në Liverpool, ku të kuqtë mendojnë vendin e parë, ndërkohë që Evertoni lufton për të mos rënë nga kategoria.
Në La Liga – Edhe Spanja nuk ofron ndonjë gjë të madhe, pasi Real Madrid mban vendin e parë, ndërsa Atletico është jashtë podiumit. Punët nuk janë më mirë në Katalonjë, ku Barça thur ëndrra Champions-i ndërsa Espanyol dergjet në anonimatin e mesit të renditjes.
Serie A – Të shtunën në 18:00, jo vetëm Europa, por e gjithë bota do të ketë sytë nga “San Siro”. Milano, përmes Inter dhe Milan, është qyteti që ka më shumë pikë, më tepër fitore e krenohet me gola të shënuar.
Nuk është vetëm çështje supremacie, pasi ekipet janë pika referimi për soliditetin difensiv, ndërkohë që në gjirin e tyre kanë personalitete si Ibrahimovic apo vëllezërit e golit, Dzeko e Martinez, që kanë dërguar në harresë Lukakun dhe ëndrrën fëminore për të qenë lojtar zikaltër apo kuqezi.
Krenaria e qytetit – Derbi i Milanos ngjall zili në të gjithë kontinentin sepse ka rritur vëmendjen ndaj Serie A që në vitet e fundit ka qenë jo pak e keqtrajtuar. Projekte dhe rezultate që detyrojnë të tjerët të mbajnë shënime, pasi Milan dhe Inter kryesojnë kampionatin me 102 pikë, falë një mesatareje prej 2.3 pikësh për ndeshje.
Dy ekipet e Manchester mundohen të mbajnë ritmin, por kanë vetëm 95 pikë së bashku dhe një mesatare prej 2.1 pikësh për ndeshje. Vetëm 2 pikë çdo 90 minuta për ekipet e Madridit, që së bashku mezi arrijnë 86 pikët.
Më shumë pikë si pasojë e një numri më të madh fitoresh. Milan dhe Inter kanë grumbulluar së bashku 31 fitore në kampionat. Në Manchester 29 për të njëjtin numër ndeshjesh si milanezët, ndërkohë që Real e Atletico dhe Chelsea e Tottenham kanë zbritur në fushë respektivisht 25 dhe 24 herë.
Golat – Inter dhe Milan janë dy skuadra të forta që suksesin ua kushtojnë golave. Plot 100 për të dyja, me Inter që ka firmosur 53 të tillë, kundrejt 47 të Milanit.
Rivaliteti mungon, sepse në Manchester janë vetëm 91 gëzime, ndërsa Liverpooli i vetëm nuk mund të bëjë shumë. Lukaku me shokë dhe Tottenham kanë shënuar 74 gola në total, ndërsa Madridi sapo ka kaluar 80 golat (83 për të qenë të saktë). Gjermani dhe Franca nuk futen fare në krahasim se janë poshtë shumë në ndeshjet derbi
Tifozëria – Sa keq që “San Siro” do të jetë i hapur vetëm për gjysmën e kapacitetit: një kufi që dëmton buxhetet e klubeve dhe ngadalëson investimet në të ardhmen.
Nëpërmjet fushës së blertë, Milano bëhet kryeqyteti i Europës, pa krahasim edhe me simotrat e tjera të mëdha: PSG komandon Ligue 1, por është shprehja e vetme e Parisit.
Bayern kryeson Bundesligën, por nuk ka një rival të denjë në të gjithë Gjermaninë e jo më në Mynih. Milano si qytet dyfishohet me zikaltrit dhe Milanin e përsëri mund t’i shikojë të gjithë nga lart.