MENU
klinika

Ylli Pata/ "Kanë minuar hetimet e SPAK për inceneratorët"

Ish-kreu i Kushtetueses, akuza Jorida Tabakut e Komisionit Hetimor

24.02.2022 - 19:26

Deri tani, mediat dhe opinion publik, duhet thënë se ka llastuar në plot kuptimin e plotë të fjalës, opozitën e Lulzim Bashës, e cila pasi u kthye në sistem, po përdorte instrumentet e luftës parlamentare, një nga të cilët është edhe komisioni hetimor.

Por PD-ja e Bashës, nuk ka shkuar në asnjë milimetër më përpara se parardhësit e tij, në keqpërdorimin dhe politizimin e një pozite, me të cilët mund të kishte krijuar një standard krejt ndryshe dhe europian.

Në një kohë, kur Lulzim Bashann ë Parlament, kërkonte si në tym arrestime qeveritarësh nga SPAK e fliste për “makina policie të kthyer mbrapsht”, një nga konstitucionalistët më në zë të vendit, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, edhe pse në moshë të thyer, e sapo ka kaluar ca telashe familjare, pranon të flasë për atë që ai ka parë gjithë këto ditë në “reality show-un” e fundit politik.

I cili solli një përballje të nivelit të lartë ndërmjet PS-së e PD-së në vend-pra Komisioni Hetimor për Inceneratorët.

Fehmi Abdiu, i cili edhe pse në pension, mblidhet shpesh me ca kolegë shumë të moshuar të tij si Thimio Kondi, Luan Omari, Niazi Jaho, e flasin për çështjet kushtetuese në vend, e bëjnë studime, të cilët arrijnë ti botojnë në ndonjë broshurë, për të dhënë ndonjë qëndrim analitik.

Me një tufë me letra para, duke folur për gazetën TemA, Fehmi Abdiu, rrufit kafenë dhe të fton në një zyrë që ka së bashku me disa kolegë të tij avokatë, në një pallat pranë Gjykatës së Tiranës.

Kur hyn në zyrë, hap një sirtar dhe nxjerr prej andej një tjetër tufë me letra. “Nga viti 1991, janë ngritur një numër i madh komisionesh hetimore parlamentare në Shqipëri”, thotë pa u ulur në vend dhe nis t’i rendisë: “Komisioni për 2 prillin, Komisioni për Arin, Komisioni për grabitjen e rezervave të shtetit….”, e kështu deri në ditët e sotme që bëhen një pirg me letra.

“E di çfarë ka ndodhur në të gjitha këto komisione hetimore? Nuk kanë pasur asnjë impakt në zbardhen e ngjarjeve që kanë ngritur, por ajo që është më e keqja, nuk kanë arritur të bëjnë një raport. Të gjithë kanë dalë me dy raporte sipas ndarjeve politike. Domethënë pesë me hiç”, thotë duke hequr syzet, e u ulur në karriken e vjetër rrotulluese, e cila nuk ka dy rrota.

Abdiu, ka qenë deputet nga viti 1991 deri në vitin 1998 kur u zgjodh kryetar i Gjykatës Kushtetuese. i zgjedhur nga radhët e PS-së, ai ka qenë një nga zërat më të rëndësishëm të ligjit jo thjesht në grupin e tij, por edhe në Kuvend, megjithatë ai nuk ka drejtuar asnjëherë një Komision Hetimor Parlamentar. Pyetjes përse i përgjigjet: “Shiko, kjo ka ndodhur gjithmonë.

Në vend që të zgjidhet një jurist profesionist në krye të komisioneve, kanë vëmë partiakë militantë e të besuar të shefave të mëdhenj. Pasi nuk kanë dashur të zbardhin, por të bëjnë zhurmë”, thotë, teksa ka shënuar në një nga fletët e studimit të tij për Komisionet Hetimore edhe një citat të vjetër të Churçillit që ka thënë: “Nëse doni që një çështje të mos zbardhet, atëherë ngrini një komision hetimor”.

Edhe pse Fehmi Abdiu, në studimin e tij shkruan se kjo shprehje i është atribuar ish-kryeministrit britanik, por ai nuk mendon se Churçill se ka thënë atë aksiomë tepër të “keqpërdorur” sipas tij.

Gjithsesi, duke ju kthyer situatës aktuale, anëtari i Gjykatës Kushtetuese që ka rrëzuar së bashku me 7 kolegët e tij Marrëveshjen e Detit me Greqinë, nuk dëshiron të hyjë në politikë.

I larguar shumë kohë më parë nga PS, ku pas ardhjes së Edi Ramës nuk ja kanë varur asnjëherë, ai nuk ka hyrë e nuk dëshiron t’i hyjë anësimeve politike.

Por kur e pyet sërish për atë që ka parë në “big brotherin” e inceneratorëve, nuk ka asnjë dyshim’.

“Është shkelur me të dyja këmbët ligji për komisionet hetimore. Anëtarët e Komisionit nuk kanë të drejtë të bëjnë akuza penale, apo të hyjnë në kompetencat e organeve gjyqësore. Mënyra që u ndoq nga kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku, dhe anëtarët e tjerë të opozitës që përsërisnin të njëjtat pyetje, sipas Abdiut është model edhe më i keq se komisionet hetimore që janë ngritur nga parlamenti në këto 30 vjet.

“Komisioni Hetimor Parlamentar është në parim një mekanizëm institucional në dorë të pakicës, qoftë kjo pakicë politike apo edhe sociale. Pasi ligji thotë se ngrihet me ¼ e deputetëve, e si e tillë ajo ka mundësinë të pyesë, të hetojë, të ketë akses në dokumente që nuk përbëjnë sekret hetimor të organeve të drejtësisë, të pyesë dëshmitarë, e në fund të hartojë një raport.

Por nuk ka asnjë të drejtë të anatemojë. Unë këtu nuk dua të shfajsoj askënd për çështjen që bëhet fjalë, pra për impjantet e përpunimit të mbetjeve, madje sit ë gjithë dua të zbardhet gjithçka, por kështu është e pamundur”, thotë ndërsa kërkon që të shikojmë studimin e tij dhe kolegët e tij të famshëm për çështjen e komisioneve hetimore.

“Ore nuk ja kemi futur kot, kemi bërë studim të mirëfilltë, juridik, historik e krahasues me botën. Kemi nxjerrë edhe rekomandimet e duhura për rregullime ligjore edhe institucionale. Lexojeni njëherë ju mediat se mund t’i interesojë publikut. Ka edhe interesa të tjerë përveç atyre sharjeve e akuzave pa fund”, thotë pas bisedës për gjatësinë e materialit e vështirësinë për tu lexuar nga publiku i mediave online.

Ndërkohë, në televizionin e vogël që ndodhet në zyrën ngjitur, dëgjohet zëri i Lulzim Bashës që kërkon arrestimin e qeveritarëve.

Ish-kryetari i Kushtetueses acarohet: “Ja kjo sjellje është shumë e dëmshme, madje aq e dëmshme sa mund të dëmtojë hetimet e nisura nga SPAK për çështjen e inceneratorëve. Madje edhe ngritja e Komisionit Hetimor njëkohësisht me hetimet e filluara, dhe mënyra e ekspozimit të njerëzve dhe dokumenteve prish, ndot dhe shkatërron prova, frikëson dëshmitarë etj etj, pra dëmton shumë procesin.

Madje e mira e të mirave, ishte që në kohën që zhvillohej hetimo, të mos ishte ngritur komisioni hetimor. Pse nuk e ngritën përpara se të hapeshin hetimet, e pa zhurmë të kishin bërë një raport të plotë, professional e ta dërgonin në SPAK? Ish-kryetari i Kushtetueses, harron se përpara ka një kakao që kamarjerja e ka sjellë gjysmë ore para por që nuk e ka vënë re. “Po e pat thënë Churçilli atë frazë, paska pasur shumë të drejtë thotë”, por telefoni ja ndërpret mendimin.

“Tani duhet të takoj gruan se ne në këtë moshë kemi oraret kur pimë kafen te liqeni”, thotë Fehmi Abdiu duke qeshur e zbret shkallët me qejf, duke vrapuar…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN