Ish -Presidenti kroat, Stipe Mesiq, ka qëndruar fundjavën që shkoi në Kosovë. Ai ka takuar krerët kryesorë të shtetit, por për të mos i shkuar vizita nëpër zyra e hotele, 87-vjeçari ka zgjedhur të shkojë, të dielën, në mëngjes, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. I pyetur “A ju njohën serbët atje”, Mesiq thotë se kishte “pak njerëz, por askush nuk provokoi”. Politikani karizmatik kroat, të cilit i shkon shumë mirë epiteti mik i Kosovës, në një bisedë për Gazetën Express, qëllimshëm iu ikën hollësive rreth procesit negociator Kosovë – Serbi. Ai flet në vija të trasha, për të kaluarën, luftërat e Millosheviqit për zgjerimin e Serbisë, duke konstatuar me qejf debaklin e Kasapit të Ballkanit në fund. Mesiq është i informuar për vrullin aktual të BE’së dhe SHBA’së në përpjekje për të bërë paqe mes Kosovës e Serbisë, por konsideron se ky nuk është fundi. “Unë mendoj që nuk është zgjidhja afër, bisedimet ende po zhvillohen”.
Ka mbështetur Kosovën që nga fundi i viteve të 80’ta, kur e humbi autonominë, ka bërë deklarata në favor të saj gjatë viteve të okupimit, ka dëshmuar kundër Slobodan Milosheviqit në Hagë dhe në fund qeveria kroate ka njohur Kosovën, kur Stipe Mesiqi ishte në krye të saj, si President. Por jo vetëm këto, nëse kërkoni në google fotografitë e Mesiqit, do të shihni edhe dy gjeste që u pëlqejnë kosovarëve: ka mbajtur plis në kokë dhe veshje kombëtare, si dhe ka improvizuar shqiponjën me duar.
Stipe Mesiq është tani ndër figurat më të vjetra të historisë së shpërbërjes së Jugosllavisë. Të premten, ai ka ardhur për vizitë në Prishtinë, të shtunën ka takuar krerët e shtetit të Kosovës, ndërsa të dielën, nën masa të sigurisë së shtuar, ka shkuar në pjesën veriore të Mitrovicës, të banuar nga serbët.
87-vjeçari pasi ka kryer punë, në prag të largimit nga Kosova, pa asnjë shenjë lodhjeje, ka ndarë disa minuta për bisedë me Gazetën Express.
Si erdhi ideja për të shkuar në Mitrovciën e Veriut?
“Unë kam biseduar me miqtë e mi, që i vizitoj këtu sikurse edhe ata mua në Zagreb dhe dikush propozoi që të shohim edhe pjesën veriore”
-E kaluat urën?
“Po e kaluam urën dhe shkuam në pjesën veriore të Mitrovicës dhe më thanë që, edhe Pacolli kur ishte zgjedhur president, ka shkuar atje dhe njerëzit mjaft mirë e kanë pritur nuk e kanë përjetuar këtë si ndonjë provokim?
-Ju njohën?
“Kishte pak njerëz, por askush nuk e kishte provokuar as Behgjetin , por as mua nuk më provokoi” thotë Mesiq.
Por, në Beograd do të ketë reagime, sikur të keni bërë diçka ilegale?
“Nuk do të ketë sepse unë jam qytetar i lirë, mund të shkojë ku të dua s’jam i lidhur me politikat e qeverisë pra unë e kam fituar të drejtën për të folur atë që e mendoj” shton ish -presidenti i Kroacisë.
I rryer me debate dhe paraqitje publike, intervista me gazetarët, që kohëve të fundit mund të incizohen me smart phone pa prani të kamerës, Mesiq para se të hyjë në bisedë më politike, thotë vetëm më tregoni kah të shikoj.
Vizita e tij në veri nxit çështjen e temës provokative të debatuar gjatë në Kosovë. Si e sheh ish-presidenti kroat shkëmbimin e territoreve?
“Që të flitet për ndryshimin e kufijve, vendi që ka të bëjë me këtë, pra Kosova, duhet të jetë sovrane në gjithë territorin e saj, kur ajo të jetë sovrane në krejt territorin e saj, atëherë, ajo mund të bisedojë me këdo që dëshiron, por derisa nuk është sovrane në gjithë territorin, kur disa pjesë të saj dikush tjetër i mbulon, ato bisedime nuk janë të barabarta. Pra duhet të përfundojnë bisedimet politike në nivel të Evropës (BE’së) bashkë me Amerikën, që Kosova të bëhet sovrane në secilin milimetër atëherë mund të bisedohet për gjithçka” thotë ish-Presidenti.
Mesiq thekson se kjo temë mund të kthehet në tryezën e bisedimeve.
“Është e mundur, por së pari Kosova duhet të jetë sovrane në secilin qosh të saj, atëherë si vend sovran mund të negociojë, por jo në një situatë kur ajo në një mënyrë është e cenuar”, shton ai.
Ish-presidenti kroat komenton edhe presionin me të cilën pala kosovare mund të përballet për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
”E dini nëse ka shumë presion atëherë gjërat pëlcasin, më së miri është të mos ketë presion e së pari të zgjidhen çështjet e mbetura”
“Në këtë pyetje unë u përgjigja, nëse Kosova është sovrane në secilin milimetër të saj atëherë me të mund të negociohet”, shton ai.
Një ditë para bisedës me Express, ai ka folur me Kurtin, Osmanin dhe Konjufcën. Nuk heziton të ndajë përshtypjet për ta dhe për ish lidershipin që ndodhet në Hagë.
“Mendoj se janë kompetentë, mendoj se i përgjigjen momentit aktual të Kosovës”, thotë Mesiq për zyrtarët aktualë.
“Lidershipi luftës ka qenë adekuate për atë kohë” thekson ai. Duke i përmendur këta të fundit, Mesiq thotë se NATO ndali spastrimin etnik të Kosovës dhe krijimin e Serbisë etnike, por lëvdon UÇK’në që rroku armët dhe ndihmoi që Kosova të bëhet e pavarur”.
Tutje, Mesiqi i kthehet Miloseviqit, figurës politike serbe me të cilën është marrë shumë, gjatë karrierës së tij.
“Ai mendoi se bota do të rrijë e qetë e askush nuk do të ndërmarrë asgjë edhe pasi t’i çojë kosovarët drejt Maqedonisë dhe Shqipërisë ai do të jetë fitues dhe Europa dhe Bota nga ai do të kërkojë, pra nga Milosheviqi, ta stabilizojë Maqedoninë dhe Shqipërinë, por bota u kthjell. Për herë të parë në histori veproi Pakti Atlantik, bombardoi Serbinë dhe u desh që ata të tërhiqen nga ky plan i zgjerimit dhe krijimit të Serbisë etnikisht të pastër. Por e gjithë kjo s’do të ndodhte nëse kosovarët nuk do ta krijonin UÇK ‘në, të cilët anë të armëve ndihmuan që Kosova të bëhet e pavarur”, thotë Mesiq.
Javëve të fundit në Kosovë kanë qëndruar diplomatët e ngarkuar me bisedimet Kosovë-Serbi, Mesiqi nuk sheh se gjithçka do të përfundojë shpejt.
“Unë mendoj që nuk është zgjidhja afër, bisedimet ende po zhvillohen ka shumë cështje neuralgjike”.
Si çështje neuralgjike përmend situatën në Mal të Zi.
“Pse është kjo çështje neuraligjike. Serbia asnjëherë nuk e ka pranuar që Mali i Zi të ndahet ose largohet nga Serbia, i kanë provuar të gjitha për ta mbajtur Malin e Zi, kur nuk funksionoi ata e përdorën Kishën Ortodokse Serbe të gjithë ata kryepeshkopë dhe filloi pastaj kampanja nëpërmjet Kishës, por dëgjoni kjo do të jetë afatshkurtër sepse nuk e di nëse një malazez ka të bëjë shumë me Kishën”.
Por kur do të “lodhet” Serbia nga mosnjohja e pavarësisë, a do të bëjë këtë edhe Rusia dhe a do të anëtarësohet Kosova në OKB apo kjo është diçka që s’mund të parashikohet, Mesic thotë se Beogradi nuk do të durojë gjatë.
“Nëse nuk e njeh Kosovën edhe Serbia është invalide, kështu që ata nuk do ta durojnë gjatë këtë gjendje prej invalidi. Ata do të tentojnë që me Kosovën të vendosin lidhje të vërteta, por nuk mund të kushtëzojnë në atë mënyrë që Kosova duhet të bëjë diçka që i konvenon Serbisë, nuk mund të negociohet në atë mënyrë”, thekson Mesiq.
I mësuar që deklaratat e tij të citohen në krejt hapësirën e ish-Jugosllavisë kur jep ndonjë intervistë, Mesiq përmend edhe situatën në Bosnjë.
“Sa i përket Bosnjë e Hercegovinës ajo e ka përjetuar një luftë të tmerrshme, mbi 100 mijë të vdekur dhe bota e ka lejuar këtë. Tre vjet Sarajeva ka qenë e rrethuar, në fund Amerika u desh të reagojë dhe ndodhi marrëveshja e Daytonit. Marrëveshja e Daytonit në fund e ndali luftën, por shumë gjëra mbetën të pazgjidhura, kështu që sot Bosnja ka dy entitete, 3 popuj, krejt kjo këtë shtet nuk e bën funksional. Qytetarët e Bosnjës do ta donin një shtet funksional, për këtë arsye tash do të zhvillohen bisedime edhe për ligjin zgjedhor edhe për funksionimin e shtetit. Edhe unë e kam dorëzuar një propozim timin me të cilin është pajtuar ish-anëtari i Republikës së Jugosllavisë, Vasil Tupurkovski, nga Maqedonia dhe Bogiq Bogiqeviq, nga Bosnja”, thekson ai.
Mesiq që ka mbajtur udhëhequr Kroacinë në dy mandate duke pasur pikëpamje të forta mbi politikën e jashtme, në intervistën për Gazetën Express ka folur edhe për konfliktin e mundshëm në Ukrainë.
“Objektivisht unë nuk pres luftë, por këtu bëhet fjalë për një problem të pazgjidhur. Kur Amerika e kishte kërkuar bashkimin e Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore, kusht i palës sovjetike ka qenë që, ata do ta shpërbëjnë Paktin e Varshavës, por Pakti Atlantik të mos zgjerohet në vendet e Paktit të Varshavës. Por, kjo nuk ka qenë e nënshkruar dhe një kohë kësaj i janë përmbajtur. Por, pas një kohë vendet që ishin pjesë e Paktit të Varshavës iu bashkuan NATO’s. E gjithë kjo e nervozon Rusinë, ndihen të cenuar dhe ata kërkojnë që të ndalet përafrimi i vendeve të Paktit Atlantik drejt kufirit të Rusisë. Rusët gjithë këto i duruan por kur tash kjo situatë po ndodhë me Ukrainën, që ajo të hyjë në Paktin Atlantik në BE, rusët po reagojnë, por unë mendoj se bëhet fjalë për një reagim politik, sepse Rusia është shëruar, nuk është ajo që ka qenë gjatë kohës së Jelcinit, ajo është bërë fuqi e madhe, nuk është superfuqi dhe tani ajo do që edhe të tjerët të sillen ndaj si ndaj një fuqie të madhe. Kjo është arsyeja që ata tani reagojnë, kanë lejuar që Gjermania të bashkohet por tani thonë: mos i ngarkoni kufijtë e saj me ushtritë e huaja. Tash në gjithë këtë situatë do të ketë ngritje të tensioneve, por nuk do të ketë luftë”, thekson Mesiq.
SHBA dhe shtetet perëndimore e madje edhe Kosova u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që të largohen nga Ukraina. Mesiq megjithatë është i gatshëm edhe për bast se atje s’do të shpërthejë lufta.
“Unë mendoj se do të zgjidhet me mjete diplomatike”. /Gazeta Express