MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Me përkufizim, sondazhet s’janë instrumente precize

15.02.2022 - 10:45

Këto javë priten të publikohen disa sondazhe rreth zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit. Si zakonisht, pritet të bëhen shumë komente e citime të rezultateve të këtyre sondazheve.

Dhe si zakonisht, në komentet e citimet, me gjasa, do të harrohet një detaj shumë i rëndësishëm i sondazheve – marzhi i gabimit statistikor të tyre. Duke harruar kështu se, me përkufizim, sondazhet s’janë instrumente precize – çdo sondazh ka një marzh të gabimit statistikor.

Kur diskutohet në media apo nëpër kafene se, bazuar në filan sondazh, kandidati fistek ka sot X% të votave, rrallë përmendet që marzhi i gabimt statistikor të kësaj përqindjeje është plus/minus Y%. Dhe jo në pak raste, diferenca mes kandidatit fistek dhe konkurentit të tij mund të jetë brenda intervalit të gabimit statistikor – pra, nuk mund të thuhet me siguri se cili është realisht në epërsi ndaj tjetrit…

Por përse sondazhet kanë marzh gabimi statistikor?

Përgjigjia mund të gjehet tek Ligji i Numrave të Mëdhenj – nga më të rëndësishmit e teorisë së probabilitetit. Dikush mund të hedhë 100 monedha të njëjta e t’i bien 44% kokë, ose (në ekstremin tjetër) 56% kokë. Po ta përsërisë ky dikush këtë eksperiment me 1 mijë monedha, intervali i rënies kokë pothuaj me siguri do të jetë nga 47% deri në 53%; goxha më afër probabilitetit real 50%. Ndërsa po të hedhë 100 mijë monedha, intervali i rënies kokë do të jetë shumë, shumë më i ngushtë: 49.9% deri në 50.1%.

Me fjalë të tjera (duke u kthyer tek sondazhet), sa më shumë të anketuar të rastësishëm të përfshihen në kampionin statistikor të një sondazhi, aq më shumë i afrohemi përqindjes reale të përkrahjes ndaj një kandidati. Por kostoja e anketimit të 100 mijë qytetarëve të rastësishm është tejet e lartë. Prandaj sondazhistët mjaftohen me kampione relativisht të vogla, që zakonisht prodhojnë marzhe gabimi statistikore plus/minus 3%.

Dhe kur përqindjet e dy kandidtëve kanë një diferencë që përfshihet brenda intervalit të gabimit statistikor të sondazhit, thjesht mund të thuhet se ata janë statistikisht rrotë-më-rrotë. Sepse mund të qëllojë që në një garë dyshe, një sondazhisti t’i rezultojë kandidati filan me 47% (me marzh gabimi +/- 3%) dhe kandidati fistek me 53% (me marzh gabimi +/- 3%), ndërsa një sondazhisti tjetër (në të njëtën kohë e me të njëjtën metodologji) mund t’i rezultojë bash e anasjellta. Në një rast të tillë, as njëri e as tjetri s’janë gabim. Si në rastin e hedhjes së 1000 monedhave, dy kandidatët thjesht mund të jenë në një garë të barabartë 50% me 50%…

Po përse atëherë vlen të bëhen sondazhe parazgjedhore?

Në qoftë se në një garë dyshe, kandidati filan rezulton me 55% (me marzh gabimi +/- 3%) dhe kandidati fistek rezulton me 45% (me marzh gabimi +/- 3%), mund të thuhet me siguri statistikore se filani ka epërsi ndaj fistekut. Në rastin më të keq për filanin, ai ka përkrahje 52% (55% minus 3%), ndërsa konkurenti vetëm 48%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN