MENU
klinika

Pushtimi ndaj Ukrainës

Nazarko: Qasje destruktive e Rusisë në rendin ndërkombëtar!

25.02.2022 - 20:50

Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën “Opinion“ në News 24 ka komentuar situatën e krijuar në Europë pasi Rusia vendosi të sulmojë Ukrainën.

Sipas Nazarkos ky veprim i Rusisë është një qasje destruktive për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ky zhvillim që po e defunksionalizon rendin ndërkombëtar, po nxjerr jashtë funksionimit institucionet dhe organizatat ku funksionon parimi i vetos si Këshilli i Sigurimit i OKB, G7, G20, etj, tregon se sa e madhe është vepra që ka bërë Perëndimi për Kosovën. U kapërcye vetoja ruse kur u bombardua Jugosllavia pa autorizim paraprak të Këshillit të Sigurimit dhe po njëjtë u njoh Kosova nga 117 shtete, në një proces që nuk ka kaluar ende në këtë organ. Pikërisht kjo vendimmarrje pa lejen ruse, po përdoret paradoksalisht sot nga Rusia, që ka vendosur të sulmojë Ukrahinën dhe të njohë dy republikat pa vendim paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB, ku SHBA-të kanë të drejtë vetoje.

Ky konflikt është duke u zhvilluar në një konjukturë të caktuar të marrëdhënieve ndërkombëtare ku shqiptarët, si komb, si dy shtete, kanë rëndësinë e tyre. Në gjykimin tim shtohen pikëpyetjet se kur do të marrë fund dialogu Kosovë-Serbi.

Si reflekton kjo që po ndodh?

Këshilli i Sigurimit i OKB-së është një lloj presidence kolektive e botës edhe pse bota, e drejta ndërkombëtare nuk funksionon me ligje të forta si shteti i veçantë, por shpesh funksionon me precedent. Ky organizim aktual i botës, që sot po vendoset në krizë, është i lidhur me rolin e Rusisë, sepse është produkt i vendimeve të ndërmarra nën gërmadhat dhe zjarrin e Luftës së dytë botërore prej shteteve fituese që themeluan OKB, organet e saj, parimet e funksionimit, ku BRSS dje dhe Rusia sot ishin shtete kyç. Pasoja e parë e sulmit mbi Ukrahinën është de-funksionalizimi i Këshillit të Sigurimit. Rusia po shihet si dele e zezë e aktorëve botërorë dhe as që mund të mendohet se për një kohë të gjatë do të kemi vendime të këtij organi, për çështje si konfliktet apo anëtarësimi i shteteve të rinj.

Mësimet që duhen nxjerrë?

Kjo qasje destruktive e Rusisë ndaj rendit ndërkombëtar ku Rusia e ka humbur peshën vendimmarrëse- si u theksua në fjalimin e Putinit para sulmit mbi Ukrahinë, nuk ka qenë njëlloj gjithmonë. Rusia e presidentit Jelsin, e dobët ekonomikisht, e dalë nga ndarja e BRSS, ishte shumë më bashkëpunuese me Perëndimin dhe falë tij kishte një bashkëpunim të fuqive të mëdha për çështjen e Kosovës. U tolerua në heshtje bombardimi i Serbisë, ndonëse pa autorizim të KËshillit të Sigurimit, pra pa votën ruse. Po ashtu edhe pas ikjes së Jelsin, Rusia e Putin ka patur qasje koperative në lidhje me Kosovën deri në njëfarë kohe. Dhjetori 2006-ta shënon fundin e një periudhe, kur nëse figurat e zgjedhura të Kosovës do të kishin sjellje shumë më koperative me Perëndimin ndoshta do kishim anëtarsimin e saj në OKB shumë më shpejt. Në dhjetor në Londër, kemi mbledhje të ministrave të jashtëm të vendeve të Grupit të Kontaktit, NATO-s, BE-së, ku u diskutua për statusin e Kosovës dhe u pranua një formulë që hapte rrugën për pranimin e pavarësisë, formulë e firmosur dhe nga ministri Lavrov.

Në gjykimin tim çështja e Kosovës zgjidhet vetëm kur Rusia ka marrëdhënie të mira me Perëndimin dhe nuk dihet sa kohë do të kalojnë deri në normalizim. Ka patur një moment tjetër të favorshëm: negociatat Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Presidentit Trump, të cilat ngjajnë se kishin njëlloj autorizimi rus, për të cilin kishin folur mediat serioze. Edhe atëherë ndërlidhej Ukrahina, gjegjësisht Krimeja me Kosovën. Dukej se Rusia e toleronte njohjen e Kosovës, nëse SHBA-të e Trump, e pranonin apo legalizonin aneksimin e Krimesë, marrëveshje për të cilin ishte negociuar në Helsinki, në takimin Putin Trump.

Ky zhvillim i sotëm që po e defunksionalizon rendin ndërkombëtar tregon se sa e madhe është vepra që ka bërë Perëndimi për Kosovën. Duhet hequr dorë nga egocentrizmi që ajo që mendohet ne Prishtinë dhe Tiranë ka rëndësi globale, duhet t’i nënshtrohemi interesave të Perëndimit. Nuk mund të hamë ne kumbulla dhe t’i mpihen dhëmbët perëndimit apo NATO-s.

Si e tregoi fjalimi i Putinit, apo bisedimet Scholz Putin, në aksionin dhe narrativën ruse për Ukrahinën, Krimeja, apo dy provincat separatiste ndërlidhen me Kosovën. Precedenti i përdorur nga Perëndimi (pa Rusinë) për Kosovën, tani po përdoret prej Rusisë pa Perëndimin.

Por loja e precedentit nuk mbaron ende këtu. Si e dimë, Serbia nuk ka ende një qëndrim për Ukrainën. Nëse Serbia njeh ato dy provinca, nuk ka argumenta pse nuk duhet të njohë edhe Kosovën. Nuk i besoj ndërkaq skenarit që prospektohet sipas të cilit, SHBA do të ushtrojnë presion ndaj vendeve jo njohëse në BE dhe NATO, që ta njohin Kosovën, që kësisoj mund të hyjë në NATO. Edhe kjo nuk do të sillte automatikisht anëtarësimin në OKB, që lidhet me qëndrimin rus.