MENU
klinika

“Berisha ka falimentuar”

Ngjela: do sulmohet nga SHBA deri në eliminimin e tij me dënim penal

20.02.2022 - 18:06

Avokati Spartak Ngjela ka ngritur sot disa pyetje për mbështetësit e Sali Berishës, të cilin e quan antishqiptarin më të madh që ka kaluar nëpër pushtetet politike në Shqipëri.

Në një postim në “Facebook”, Ngjela pyet se “si ka mundësi që të pranohet ende në Shqipëri një njeri i inkriminuar që, me urdhrin e tij, ka vrarë katër njerëz të pafajshëm në bulevard; si ka mundësi që të vijojë e të pranohet ende në Shqipëri një dëmprurës kaq i përbindshëm, i cili, me kërkesë nga padronët e tij, si president i plotfuqishëm (1992 – 1997) ka shkatërruar në Shqipëri 500 fabrika e uzina?”.

Sipas tij, të fantaksurit e brohorasin dhe se fakti që është i akuzuar nga SHBA, ia shton edhe më shthurjen mendore Saliut.
Ngjela thekson se Saliu ka falimentuar, sepse është kundërshtar i politikës amerikane dhe se do të sulmohet nga politika amerikane me fakte; deri në eliminimin e tij me dënim penal gjyqësor për krime.

POSTIMI I PLOTË
Tani që dihet kush është Sali Berisha, ç’janë këta që brohorasin për të?
Nuk ka rëndësi, sepse ata janë të pakët në numër; por ky është një fenomen negativ me rëndësi të brendshme psikologjike që shqetëson tërë shoqërinë.
l.
Të gjithë këta tani dihet se janë jashtë kohës, por nuk e kuptojnë dot, se nuk i lë pasioni. Prandaj përbëjnë një fenomen shoqëror të kufizuar në numër; por që gjithsesi është fenomen.
Pyetjet më kryesore që mund të ngrihen për këtë fenomen, janë këto që vijnë më poshtë:
Si ka mundësi që të pranohet ende në Shqipëri një njeri i inkriminuar që, me urdhrin e tij, tani e provuar, ka vrarë katër njerëz të pafajshëm në bulevard?
Si ka mundësi të pranohet në drejtim ky njeri, i cili menjëherë pas vrasjes së katër personave të pafajshëm gënjeu botërisht, duke klithur si i marrë se ata i kishte vrarë kundërshtari i tij; dhe pastaj tha se, “unë edhe më shumë do të vrisja”?
Si ka mundësi që të vijojë e të pranohet ende në Shqipëri një dëmprurës kaq i përbindshëm, i cili, me kërkesë nga padronët e tij, si president i plotfuqishëm (1992 – 1997) ka shkatërruar në Shqipëri 500 fabrika e uzina?
A keni dëgjuar ndonjë kryeministër në botë – përveç Hitlerit – që si Saliu të deklarojë botërisht se “do të vrasja me dorën time shefin e opozitës”?
Si ka mundësi që vijon e sokëllin mitingjeve antishqiptari më i madh që ka kaluar nëpër pushtetet politike në Shqipëri?
Këto janë pyetjet…
Kurse të fantaksurit e brohorasin…
E kuptoni se në çfarë fenomeni amoral po jetohet jeta shoqërore në Shqipëri; sepse shqiptarët nuk kanë pasur forcë të dënojnë një vrasës?
ll.
Ja, shihni se në ç’gjendje të plotë amorale është konflikti i Sali Berishës me Lulzim Bashën.
Saliu tani, i gjithi i rënë në qerthullin e gënjeshtrës së tij, flet e stërflet për Lulzim Bashën. Dhe të fantaksurit e tij e brohorasin. (!)
Po këta të fantaksur që bërtasin në jerm siç janë, a e dinë që Lulzim Bashën e ka mbajtur Saliu si kryetar të Partisë Demokratike?
Si nuk po duan ta mendojnë këtë të vërtetë?
Në fakt, duhet ta theksojmë se kjo është tani një histori e vjetër e tyre: ata i adhurojnë gënjeshtrat primitive të Saliut; çjerrjen e zërit të një njeriu anormal, dhe frazat e tij në mohim të plotë të së vërtetës dhe të interesit kombëtar.
Sepse, këta të fantaksur e dinë gjithashtu që, pasi Basha humbi dy zgjedhje radhazi; Saliu nuk tha asnjë fjalë kundër tij. Pse? Sepse e kishte vënë Bashën me dorën e tij për ta pasur si kukull. Kuptohet se sërish, për të fantaksurit rrotull Saliut, që në fakt, nuk janë më shumë se 1000 persona, ishte po ajo arsye pranimi – ky është kukulla e Saliut.
Si ka mundësi?

Por, më saktë, këtë konkluzion e mban brenda vetes kjo pyetje:
Po, ky Saliu, që i paska ditur të gjitha këto yneret e Bashës dhe po i denoncon tani; atëherë, kur qe me të bashkërisht dhe fort i bashkuar, pse e ka përkrahur Bashën?
Dhe pyetja vijon:
Po përkrahësit fanatikë të Saliut, nuk e bëjnë dot këtë pyetje?
Ata nuk e bëjnë dot, sepse dinë një të vërtetë të cilën nuk e pranojnë edhe ata njëlloj si vetë Saliu: Basha e përjashtoi Saliun nga Partia Demokratike menjëherë pas ndëshkimit absolut që i bënë këtij për korrupsion Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Domethënë për fanatikët e Saliut, Basha nuk është më kukulla e Saliut.
Kjo i ka futur të gjithë bashkë në një thes: edhe Saliun, edhe përkrahësit e tij të fantaksur. Po, vërtet mendojnë këta se do ta shpëtojnë Saliun? Nuk e kuptojnë dot që sot ai është i akuzuari i Amerikës?
lll.
Ja kjo, fakti që është i akuzuar nga SHBA, ia shton edhe më shthurjen mendore Saliut. Një gjendje e tillë e cila ka disa muaj që po e sorollat atë në jem nëpër Shqipëri, duke folur a thua se ka vendosur një pllakë gramafoni në grykë.
E shihni që Saliu çdo ditë po flet me të njëjtat fjalë boshe e gënjeshtrash prej fëmije, dhe, në jem siç është, nuk do ta kuptojë që vetë ai është duke folur mbi kalin e të mundurit?
Nuk don ta kuptojë këtë, dhe del te fanatikët e tij, sepse nën pushtetin e frikës, kërkon t’ia fshehë vetes faktin që tani ai është një njeri pa vlerë në Shqipëri; pa asnjë forcë popullore. Kjo sepse, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sali Berisha po gjendet nën akuzën e korrupsionit dhe të krimeve të tjera më të rënda.
Në fakt kjo është e vërteta absolute e kësaj kohe.
Por Saliu mendoi se akuzës amerikane do t’i shpëtonte me forcën e shqiptarëve të bashkuar rreth tij. Ndërsa shqiptarët po e përbuzin dhe po e lënë të xhirojë në jerm, me sorollatjen e tij qesharakë në komedinë ditore që po e luan ai vetë.
IV.
Nuk është qesharake vetëm sorollatja e përditshmes me falsitet ideor e Saliut, por qesharake është edhe përkrahja e fanatikëve të tij: mos vallë këta fanatikë e dinë që ai është kryetari i fesë së tyre?
Në fakt, kudo, kjo është psikologjia e fetarëve për kryetarin e fesë së tyre, por ajo që ne duhet të dimë në rastin aktual Sali, është kjo:
Pse ndodh kjo rëndom në Shqipëri, sepse nuk është Saliu i pari që po e bën dhe nuk është ky i pari që shihet nga shqiptarët si kryetar i fesë së tyre, edhe pse në fakt ka qenë apo është vetëm kryetar i shtetit të tyre?
Saliu vërtet që nuk është i pari, por në këtë nivel të ligësisë, atë nuk e arrin dot asnjë tjetër nga e gjithë historia e Shqipërisë. Por kjo nuk mjafton.
Po, mirë mo mirë: po shqiptarët që e përkrahin ligësinë e pështirë të Saliut; çfarë janë?
Kjo pyetje ka vetëm këtë përgjigje:
Ata janë njëlloj si Saliu dhe nuk e pranojnë ndershmërinë dhe moralin e shëndoshë shoqëror; ose, pastaj, janë nga ata që s’janë në gjendje të kuptojnë se pasioni që i mban me Saliun, po i poshtëron.
Dhe ne nuk mendojmë se ka edhe ndonjë arsye tjetër.
Por, a nuk mund të quhet ky një defekt moral i një pjese të shoqërisë shqiptare?
Kjo do studim.
Por, a ka shans Saliu ta vijojë ligësinë e tij antishqiptare?
Jo. Saliu ka falimentuar, sepse është kundërshtar i politikës amerikane. Nuk ka më asnjë mundësi që ky të dalë përsëri në një stad drejtues në Shqipëri.
Atëherë?
Sali Berisha do të sulmohet nga politika amerikane me fakte; deri në eliminimin e tij me dënim penal gjyqësor për krime. Kjo, do të jetë rrjedha e kësaj kohe të afërt që do të sjellë gëzim të madh në Shqipëri.
Keni për ta parë.