Ka nisur në ambientet e jashtme të ambasadës ruse në Tiranë protesta e shoqërisë civile kundër pushtimit të Ukrainës. Qytetarë të shumtë me flamuj të Shqipërisë dhe Ukrainës, shprehin mbështetjen e tyre ndaj popullit ukrainas dhe dënojnë agresionin rus.
“I duhet thënë jo pushtimit të Ukrainës. Ky nuk është pushtim vetëm për një shtet, por është një rrezik për të gjithë Evropën. Në këtë kuadër është një ftesë për të gjithë kombin shqiptar, ne duhet të protestojmë çdo dit për një shtet që është demokratik. Siç rrezikohet Ukraina sot mund të rrezikohemi të gjithë nesër. Ne i bëjmë thirrje gjithë botës demokratike se shtetet demokratike nuk lihen vetëm asnjëherë. Jemi këtu për t’i treguar popullit ukrainas që nuk janë vetëm”, tha një prej protestuesve.
Kujtojmë se protesta u lajmërua mëngjesin e sotëm nga gazetari dhe aktivisti i shoqërisë civile Gjergj Erebara.
NJOFTIMI
Pas diskutimeve mes shokësh dhe shoqesh, të afërm dhe të njohur, vendosëm që pranë Ambasadës së Rusisë në Tiranë të mbajmë një protestë paqësore kundër pushtimit rus dhe në solidaritet me popullin ukrainas. Pushtimi i Ukrainës përbën agresion ndaj aspiratave të një vendi të pavarur, si dhe një sulm ndaj Europës dhe aspiratave të popujve për të jetuar të lirë dhe të barabartë. Ky pushtim është një dhunim i hapur ndaj vetë demokracisë. Solidarizimi me popullin e Ukrainës është detyrë qytetare e çdo njeriu që beson te vlerat universale të lirisë dhe paqes. Ky është një agresion që vë në lojë mekanizma që cenojnë paqen botërore dhe rrezikojnë jetët dhe mirëqenien e të gjithëve.
Kjo nuk është një protestë kundër popullit rus, të cilët në një mënyrë apo tjetër janë gjithashtu të prekur nga kjo tragjedi. Kjo protestë është kundër establishmentit qeverisës diktatorit të Rusisë. Mbi të gjitha, është një tubim për t’u rreshtuar në anën e popullit ukrainas dhe vlerave të drejtësisë.