MENU
klinika

Pezullon të gjitha fluturimet civile

Pas sulmit të Rusisë, Ukraina merr një tjetër vendim

24.02.2022 - 13:43

Shërbimi shtetëror i trafikut ajror të Ukrainës njoftoi se ka mbyllur hapësirën ajrore të vendit pas sulmit që nisi Rusia.

Ai tha se i ka pezulluar të gjitha fluturimet në orën 02:45 – me kohën e Kievit – “për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e aviacionit civil”.

“Ofrimi i shërbimeve të trafikut ajror për përdoruesit civilë të hapësirës ajrore të Ukrainës, është pezulluar”, thuhet në deklaratë.

Kompania ajrore irlandeze, Ryanair, tha se i ka anuluar të gjitha fluturimet drejt dhe nga Ukraina për së paku 14 ditët e ardhshme.

Më herët, edhe linja ajrore gjermane, Lufthansa, njoftoi se i ka anuluar të gjitha shërbimet e mbetura në Ukrainë.

Fluturimi i planifikuar për të enjten në mbrëmje nga Frankfurti në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, u anulua për arsye të sigurisë, tha një zëdhënës i kompanisë.

Lufthansa tha se do të vazhdojë ta vlerësojë situatën në ditët në vijim.

Grupi Lufthansa – i cili përfshin gjithashtu linja ajrore si Swiss, Brussels dhe Austrian Airlines – pezulloi lidhjet me qytetet Odesa dhe Kiev në Ukrainë qysh në fillim të javës, raporton Radio Evropa e Lire.