MENU
klinika

Dosja (sekrete) e sajuar

”Prendusha, donte të prishte marrëdhëniet diplomatike…”

08.02.2022 - 14:34

       Publikohen disa dokumente nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret” e viteve 1980-1982 dhe bën fjalë për ngjarjen e bujshme të çarjes së gomave të disa prej automjeteve të trupit të huaj diplomatik të akredituara në Tiranë, që shqetësoi deri udhëheqësin kryesor të Partisë, Enver Hoxhën, që i telefonoi menjëherë ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, ku, në kulmin e zemërimit, “Komandanti” i tha: “Nëse për 24 orë nuk e gjeni se kush dhe përse i ka dëmtuar automjetet e ambasadave të huaja në Tiranë, gjej vrimë dhe futu”! Alarmi i ministrit të Brendshëm Feçor Shehu, i cili thirri në një mbledhje urgjente, të gjithë drejtorët kryesorë të dikasterit që drejtonte dhe pasi iu bëri të qartë shqetësimin e madh të “Komandantit”, se mos ajo ngjarje do krijonte incident diplomatik me disa shtete, organet e Sigurimit të Shtetit dhe struktura të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda 24 orësh, arritën të zbulonin autoren e “krimit”, Prendushme Deda, punëtore e Ndërmarrjes Komunale të kryeqytetit, që punonte në pastrimin e rrugëve, e cila u kap në flagrancë përpara Hotel “Dajtit” teksa çante gomat e disa prej automjeteve, të trupit diplomatik në Tiranë.

Dëshmia e rrallë e ish-Drejtorit të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Neshat Tozaj, të dhënë pak kohë para se ai të ndahej nga jeta, lidhur me debatet e ashpra e përplasjen e tij, më ministrin Feçor Shehu, pasi ai, si titullar i laboratorit që drejtonte, nuk pranoi të firmoste akt-ekspertimin, për të konsideruar “armë të ftohtë” mjetin prerës, me të cilën punëtorja e pastrimit, kishte çarë gomat e disa prej automjeteve me targa “CD”! Kërcënimi i Feçor Shehut, për vartësin e tij që e shkarkoi menjëherë nga detyra, duke e dërguar si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe odiseja e gjatë e Tozajt, për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e tij, duke i dërguar letra ankesash kryeministrit Mehmet Shehu dhe më pas Enver Hoxhës, gjë e cila u bë shkak e solli dhe ftohjen e përplasjen e parë midis dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, të asaj kohe! Akuzat e Enverit ndaj Mehmet Shehut, se: përse ai e kishte mbajtur të fshehtë ngjarjen e bujshme, që tronditi Tiranën zyrtare, (nga frika e ndonjë incidenti diplomatik me disa shtete), ku pas vdekjes së tij dhe arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, ajo ngjarje ridoli “në skenë” dhe si rezultat, u liruan nga burgu e internimi të gjithë pjesëtarët e “grupit armiqësor”, që ishin akuzuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja (me përjashtim të Prendushe Dedës, që u lirua me amnistinë e vitit 1986), e kthimin në vendin e punës së Neshat Tozajt, (si Drejtor i Laboratorit Qendror Kriminalistik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme) i cili disa vite më pas, shkroi romanin “Thikat”, që asokohe do të bënte një bujë të madhe, duke u ribotuar disa herë!

Vijon nga numri i kaluar

REPUBLIKA POPULLOR SOCIALISTE E SHQIPËRISË

GJYKATA E RRETHIT TIRANË

Nr. 88 Aktit

Nr. 90 i vendimit

V E N D I M

“NË EMËR TË POPULLIT”

Gjykata Popullor e rrethit Tiranë e përbërë prej:

Kryetar i seancës: Beqir Basha

Ndihmës gjyqtar: Izet Hasani

Ndihmës gjyqtar: Petrit Baxhaku

Mbajtur prej sekretares Aishe Shima, me pjesëmarrjen e Prokurorit, Piro Suli, me datë 6.3.1981, shqyrtoi në seancën gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale që u përket të pandehurve:

PRENDUSHE DEDA, e bija e Zefit dhe Maries, lindur më 16.6.1941 në Shkodër dhe banuese në Tiranë, Lagja Nr 1, Rruga Labinoti, Pallati 58, në punë pranë N.SH.K. Banesa, (zona nr. 5 Tiranë), me origjinë e gjendje punëtore, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me arsim të mesëm, e pamartuar, me dy fëmijë, pa parti, e dënuar me gjashtë muaj riedukim nëpërmjet punës, për plagosje të lehtë, me dashje, arrestuar më datën 26.10.1980.
GAVROSH LASKA, i biri i Maries lindur më 11.3.1952 në Tiranë dhe banues në Tiranë, Lagja Nr. 9, Rruga “Ylbere Bylykbashi”, Pallati 24/1 Shkalla 4. Ap. 9. me punë punëtor pranë Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”, reparti kovaçhane, me origjinë dhe gjendje punëtore, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me shërbim ushtarak të kryer, i martuar me një fëmijë, me arsim fillor, i pa parti, i padënuar, arrestohet më 26.10.1980.
LEFKOTHE LASKA, e bija e Kristos dhe e Aspasisë, lindur më 1.7.1952, në fshatin Çorraj të rrethit të Sarandës dhe banuese në Tiranë, Lagja Nr. 9, Rruga “Ylbere Bylykbashi”, Pallati 24/1, Ap. 9, me punë, punëtore pranë Kombinatit Tekstileve “Stalin”, reparti Tezgjahut të Pambukut, me origjinë fshatare e varfër, me gjendje punëtore, e martuar me një fëmijë, me arsim 8-vjeçar, e padënuar, pa parti, e arrestuar më datën 26.10.1980.
Akuzohen: e pandehura Prendushme Deda, për: veprën penale të agjitacionit e propagandës kundër shtetit, për provokim të luftës ose i prerjes së marrëdhënieve diplomatike me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, për mbajtjen e armës pa leje të organeve kompetente, krime këto të parashikuara nga nenet 49, 55/1 e 224 të Kodit Penal.

I pandehuri Gavrosh, akuzohet për veprën penale të moskallëzimit të krimit dhe për përvetësim të pasurisë socialiste, të parashikuara nga nenet 112/2 e 63 të Kodit Penal, kurse e pandehura Lefkothe Laska, akuzohet për moskallëzim krimi dhe dështim të palejuar, krime këto të parashikuara nga nenet 112/2 e 178/2 të Kodit Penal.

Gjykata pasi shqyrtoi materialet e Hetuesisë, provat e marra gjatë gjykimit, pasi dëgjoi Prokurorin, i cili kërkoi dënimin e të pandehurës Prendushe Deda, me 15 vjet heqje të lirisë, për të pandehurin Gavrosh Laska, me 2 vjet heqje të lirisë, për të pandehurën Lefkothe Laska, me një vit heqje të lirisë, si dhe mbasi dëgjoi mbrojtjen dhe fjalën e fundit të tre të pandehurve, të cilët kërkuan mëshirë:

V Ë R E N

Nga administrimi i provave gjatë gjykimit, u vërtetua se e pandehura Prendushe Deda, ka qenë në marrëdhënie pune si punëtore pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale, të Banesave në zonën Nr. 8 Tiranë. Qëndrimi i saj në punë dhe shoqëri, ka qenë gjithmonë negativ, deri në kundërshtim me normat e moralit tonë komunist. Ajo qysh në moshë të re, është futur në rrugën e degjenerimit dhe shthurjes morale.

Duke qenë një femër e tillë dhe duke u infektuar nga ideologjia borgjezo-revizioniste, ajo gradualisht ka rënë në prehrin e armikut të klasës, duke u futur në rrugën e armiqësisë dhe urrejtjes kundër pushtetit popullor, udhëheqjes së Partisë dhe vijës së përgjithshme që ka ndjekur dhe ndjek Partia jonë në të gjitha fushat, në atë politike, ideologjike, ekonomike dhe ushtarake.

Duke qenë një armike ajo është hedhur në aktivitet të hapur armiqësor kundër udhëheqjes kryesore të Partisë, kundër Pushtetit Popullor, rendit socialist dhe vijës së Partisë, për zhvillimin e luftës së klasave, në të gjitha drejtimet, duke shpifur dhe komentuar, se gjoja ekonomia e vendit tonë është e prapambetur, se niveli i mirëqenies së popullit dhe klasës sonë punëtore është i ulët, se tek ne jetohet keq dhe marrin rroga të ulta, kurse në vendet borgjezo-revizioniste, jetesa është e mirë, ekonomia është e përparuar, se atje punëtorët paguhen shumë mirë dhe kanë të ardhura të bollshme.

Këto pakënaqësi që ka pasur e pandehura Prendushe, kundër udhëheqjes së Partisë, Pushtetit Popullor dhe rendit socialist, i ka bërë me persona të ndryshëm gjatë periudhës së viteve 1979-1980, në fushën e agjitacionit e propagandës. Kështu ajo ka biseduar me dëshmitarët: Natsha Elezi, Marjeta Qeleshi dhe Lindita Bekën.

Veprimtaria armiqësore, në formën e agjitacionit dhe të propagandës kundër shtetit, që ka zhvilluar e pandehura Prendushe, u provua nga gjatë gjykimit gjyqësor me pohimet e vet të pandehurës Prendushe, me thëniet e dëshmitarëve, Natsha Elezi, Marjeta Qeleshi, të bërë në Hetuesi dhe në seancën gjyqësore, si dhe me thëniet e dëshmitares Lindita Beka, të bëra në Hetuesi.

Në këto rrethana, provohet plotësisht se e pandehura Prendushe, ka kryer veprën penale të agjitacionit e të propagandës kundër shtetit, krim ky i parashikuara nga neni 55/1 të Kodit Penal.

Veç më sipër, e pandehura Prendushe, duke qenë një armike kundër Partisë dhe shtetit tonë socialist, nuk mjaftohet vetëm me bërjen e agjitacionit e të propagandës kundër shtetit, por hidhet në aktivitet të hapur, kundër tij.

Kështu në muajin tetor të vitit të kaluar, ajo mbasi siguroi një thikë, me anën e dëshmitares Lindita Beka, thikë e cila në bazë të akt-ekspertimit teknik nr.146, datë 29.10.1980, konsiderohet si armë e ftohtë, ka dëmtuar me anën e saj 24 copë goma të makinave të ambasadave të huaja, të akredituara në vendin tonë, si dhe të qytetarëve të huaj që kanë ardhur për vizitë në vendin tonë.

Kështu, ajo ka vepruar me datën 12.10.1980, me makinën e përfaqësisë bullgare, që i ka çarë gomën e rrotës së parë, atë greke, që i ka çarë dy goma, kurse në datën 14.10.1980, ka çarë katër goma të makinave çeke dhe greke, që ndodheshin përpara godinës së “Zërit të Popullit”, ndërsa me datën 19 e 21.10.1980, ka dëmtuar (çarë), para Hotel “Dajti”-t katër goma të makinave të përfaqësive franceze, greke dhe daneze.

E vendosur në rrugën e saj armiqësore për të sjellë sa më shumë dëm shtetit tonë dhe me qëllim që të shkaktonte prishjen e marrëdhënieve diplomatike, midis Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë midis shteteve të huaja që kanë marrëdhënie me neve. E pandehura, megjithëse e dinte një gjë të tillë dhe vihet në dijeni që organet e diktaturës ishin vënë në ndjekje për kapjen e keqbërësit, jo vetëm nuk heq dorë nga veprimtaria e saj armiqësore, por e dendëson atë më tepër.

Kështu më datën 22.10.1980, në orët e vona të natës, ajo është ngritur nga gjumi dhe shkon në afërsi të Stadiumit “Dinamo”, në territorin ku banojnë familjet e përfaqësive të huaja diplomatike, dhe çan 12 copë goma, të gjashtë makinave të përfaqësive diplomatike çeke, hungareze, polake dhe bullgare.

Po kështu, ajo ka vepruar edhe me datën 26.10.1980, që i ka çarë një gomë, makinës bullgare dhe është kapur në flagrancë nga dëshmitarët Fatmit Baci, Veli Xhenga dhe Nazar Ymeri, të cilët mbasi e kanë kapur atë, e kanë çuar në Drejtorinë e Punëve të Brendshme dhe kundër saj ka filluar ndjekja penale për veprën penale, të provokimit të luftës, ose prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, krim ky i parashikuar nga neni 49 të Kodit Penal.

E pyetur në lidhje me akuzën e sipërme, e pandehura Prendushe, si në Hetuesi ashtu dhe gjatë gjykimit, e pranoi atë plotësisht. Ajo pranoi se këtë vepër penale, e ka kryer me qëllime që të minonte dhe të keqësonte marrëdhëniet diplomatike midis Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe shteteve të huaja, me të cilat ne kemi marrëdhënie diplomatike.

Veç pohimeve të pandehurës, akuza në ngarkim të saj, për veprën penale të parashikuar nga neni 49 të Kodit Penal dhe kundra vajtjen penale, të mbajtjes së armëve pa lejen e organeve kompetente, të parashikuara nga nenet 224 të Kodit Penal, u provua me proces-verbalet e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe fotografisë përkatëse, me proces-verbalin e kapjes në flagrancë të pandehurës {Prendushe dhe thikën që i është gjetur me vete, me akt-ekspertimin teknik dhe me thëniet e dëshmitarëve: Fatmir Boçi, Veli Xhengo, Nazar Ymeri, Shaban Hoxha, Veli Xhafa, Driti Mato, Gavrosh e Lefteri Laska, si dhe me thëniet e Lindita Bekës, të bërë në hetuesi.

Nga sa u analizua më lart, e pandehura Prendushe Deda, duhet të përgjigjet penalisht, për veprat penale të parashikuara nga neni 55/1 të Kodit Penal dhe për kundra vajtjen penale të parashikuar nga neni 224 të Kodit Penal.

Nga hetimi gjyqësor rezultoi e provuar gjithashtu se e pandehura Prendushe Deda, gjatë kryerjes së veprimeve të saja armiqësore me çarjen e gomave me thikë më makinave të ambasadave të huaja të akredituara në vendin tonë, ka vënë në dijeni për një gjë të tillë dhe dy të pandehurit e tjerë, Gavrosh dhe Lefkothe Laskën, më datën 13.10.1980, kohë në të cilën ajo kishte dëmtuar vetëm dy goma.

Të pandehurit Gavrosh dhe Lefkothe, megjithëse vihen në dijeni për një gjë të tillë dhe kuptonin se një veprim i tillë, i bërë nga e pandehura Prendushe Deda, mund të sillte pasoja të rënda deri në prishjen e marrëdhënieve diplomatike të shtetit tonë, me shtetet e tjera që kishin marrëdhënie me ne, nuk kanë bërë asnjë veprim për të denoncuar atë në organet kompetente, por kanë heshtur.

Nga mos denoncimi dhe indiferentizmi që kanë treguar të pandehurit Gavrosh dhe Lefkothe, ka ardhur si pasojë që e pandehura Prendushe, të vazhdojë aktivitetin e saj armiqësor, duke dëmtuar (çarë) edhe 22 goma të tjera të makinave të ambasadave të huaja në vendin tonë./Memorie.al

Vijon në numrin e ardhshëm