MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Shqiptarët dhe konflikti ruso-ukrainas.. Kur koha peshon

24.02.2022 - 22:01

Agresioni rus mbi Ukrainë ka provokuar ndjeshmëri të lartë në hapësirën shqiptare, diçka normale për një shoqëri e komb modern, për më shumë në kohën e konflikteve të mediatizuara 24 orë në 24. Kanë plasur memet, për ndihmën e Donaldit për Ukrainën, apo për ndikimin e fuqishëm të ndalimit të importit të çajit rus në Kosovë, por dhe vajtimi për fatin e civilëve të vrarë atje, nisur nga imazhet e luftërave që janë kudo njëlloj. Politikanë të botës shqiptare me eksperiencë të gjatë ekzekutive, apo pa shumë eksperiencë të tillë, po tentojnë të përfshihen në ligjërimin global: të flasësh sot për rezoluta për Ukrainën, ngjan madhështor, strategjik, globalist, dhe universalist, madje mund t’ i futësh një shkelm dhe kundërshtarit tënd të afërt politik, duke e ndërlidhur me konfliktin ruso-Ukrainas. Mirpo diskutimi real është përtej ndjeshmërive apo ndjenjave të shqiptarëve, apo shakave tona provinciale. Ai lidhet me arsyen e shëndetshme: cilat janë lidhjet e arsyeshme, apo të paarsyeshme të asaj që po ndodh me botën shqiptare?

Ky është një diskutim i gjatë, që nuk mund dhe do të trajtohet vetëm me artikuj gazetareskë, por dhe shkencërisht, sepse lidhet me të drejtën ndërkombëtare, më konkretisht, me atë që në mënyrë inflative përkufizohet si prishje e arkitekturës së rendit ndërkombëtar. Dhe në këtë arkitekturë, më së pari,do mund të shquanim prishjen e funksionimit (mungesën e konsensusit) të atij që është Direktorat i Botës-Këshilli i Sigurimit të OKV, ku Rusia është njeri ndër 5 shtetet me të drejtën e vetos. Afërmendsh që nuk pritet të ketë për një kohë të gjatë votime ku duhen 5 vota pro të Fuqive të mëdha. Dhe këto votime lidhen me konfliktet, krizat e armatosura, përdorimin e forcës, njohjen e shteteve të rinj, etj.

Duke mbetur në këtë vëzhgim paraprak për defunksionalizimin e Këshillit të Sigurimit,( ku bën pjesë Shqipëria për dy vjetët e ardhshme), mungesa e konsensusit për përdorimin e forcës në ndaljen e genocidit serb mbi popullin e Kosovës, u përdor cinikisht më së fundmi, në fjalimin e Presidentit Putin si precedent për autorizimin e ndërhyrjes ruse në Ukrainë. Sipas fjalimit të Putinit, prej këtij precedenti të vendosur në Kosovë, Perëndimi, gjegjësisht SHBA-të vijuan ndërhyrjet ushtarake në Irak, Siri, Libi, etj pa pyetur Rusinë. Shumë thjesht, Rusia nuk ishte dakord me autorizimin e përdorimit të forcës,. Cinikisht, Rusia sot e risolli atë precedent për të përdorur në Ukrainë forcën e vet pa lejen e SHBA-ve dhe fuqive të tjera perëndimore me të drejtë vetoje.
Nga paralelja e këtyre dy zhvillimeve, atyre në Kosovë në 1999, dhe sot në Ukrainë, populli i Kosovës dhe mbarë kombi ynë, duhet ta kuptojnë dhe njëherë përmasat dhe madhështinë e asaj që Perëndimi bëri në favor të tyre. Pra, implikimet e asaj që u krye për Kosovën asokohe, ishin dhe janë aq delikate, sa shpjegojnë kësisoj edhe njëherë përpjekjet vijuese perëndimore për ta legjitimuar a posteriori ndërhyrjen e armatosur me rezolutën 1244, dhe krejt zhvillimet juridike të mëpastajme, për të ruajtur ligjshmërinë ndërkombëtare, për të bindur faktorin kosovar për të qenë bashkëpunues, etj, etj.

Prej madhështisë, apo implikimeve të asaj ndërhyrjeje, riaktualizohet nevoja për t’ i shprehur dhe njëherë mirënjohjen Perëndimit për ndihmën që dha për të shmangur zhdukjen e popullit shqiptar të Kosovës nga territori i vet. Atyre shqipfolësve që e kanë interpretuar këtë ndërhyrje në dritën e interesave gjeopolitike, mbase sot duhet t’u vijë të paktën keq për këtë sjellje puritane ideologjike të tyre duke parë me përçmim ndërhyrjen që ruajti ekzistencën e shqiptarëve asokohe.

Nga ana tjetër, duke ndjerë rrezikun e hapjes së një vatre të re konflikti në Ballkan, që mund të preki Kosovën, në tension latent me Serbinë, shqiptarët duhet të kuptojnë sesa i nevojshëm ka qenë, është dhe do të jetë ruajtja e raportit me perëndimin, duke dëgjuar me vëmendje këshillat dhe rekomandimin e miqve tanë, për përmbylljen e dialogut me Serbinë, pa rrezikuar kurrë tërheqjen e NATO-s nga Kosova, si ka ndodhur në vitet e fundit. Për më shumë, duke qenë se NATO është mbrojtësi i vetëm real i sigurisë në territorin e Kosovës, autoritetet e Kosovës nuk mund të aventurohen pa lejen e NATO-s në veprime që e rrisin tensionin, veçanërisht në veri.

Dhe më në fund, koha është faktor i rëndësishëm. Ndaj lipset dhe një vëzhgim tjetër që lidhet me defunksionalizimin e Këshillit të Sigurimit, për vendime si ato që lidhen jo thjesht me përdorimin e forcës, por dhe me anëtarësime të reja në OKB- problemi i Kosovës. Faktori rus nuk ka qenë gjithmonë kështu kundrejt Kosovës: ndryshe ka qenë me presidentin Jelcin, i cili megjithatë pikërisht prej frikës së precedentit, (megjithëse ishte thellësisht i ndërvarur nga administrata Klinton), nuk pranoi të votonte autorizimin e NATO-s për të bombarduar Serbinë. Ama Jelcin, ish kryeministri i tij Cernomirdin, kontribuoi në shkrimin dhe miratimin e rezolutës 1244 që legalizoi ndërhyrjen e armatosur të NATO-s, dhe vendosjen e një misioni ndërkombëtar atje. Por jo vetëm: Rusia e Putinit deri në dhjetor 2006, ishte kooperative në përpjekjet perëndimore për të arritur tek zgjidhja e çështjes së Kosovës, nën udhëheqjen e Ahtisaarit. Në dhjetor të atij viti, në Londër, në një mbledhje të pazakontë të ministrave të jashtëm të BE, NATO, Këshillit të Sigurimit të OKB, në Londër, ministri i jashtëm i asaj kohe, por dhe sot, Lavrov, firmosi për një zgjidhje për Kosovën që të parashikonte “ jo kthim prapa në gjendjen e mëparshme; jo ndarje, jo bashkim me një shtet tjetër; zgjidhje që të mbante parasysh vullnetin e popullit të Kosovës”. Pra, faktori kohë është i rëndësishëm. Nëse klasa politike e Kosovës, do të ishte më koperative kohë më parë, zgjidhja mund të ishte më afër, apo mund të ishte përmbyllur si ishte rasti i Marrëveshjes së Uashingtonit, ku media të caktuara perëndimore pretendojnë se ka patur konsensus Trump-Putin, me parimin më njih Kosovën, të legalizoj Krimenë. Qëndrimi rus në 2009, pas rezolutës së Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, që mirëpriste mendimin këshillimor të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, ishte më pranues ndaj Kosovës. Sot është ndryshe… Dhe nuk dihet se kur mund të shqyrtohet anëtarësimi i Kosovës në OKB, gjegjësisht në Këshillin e Sigurimit. Ky anëtarsim mund të bëhet vetëm në kushtet e relaksimit të marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin. Dialogu Kosovë-Serbi, kësisoj vështirësohet pa mungesën e derës dalëse-uniteti i 5 vendeve me të drejtë vetoje (duke llogaritur konstruktivitet kinez).

Dikush flet se në rrethana si këto hapet dera për një zhvillim tjetër: hyrja e Kosovës në NATO si pasojë e nevojës për kompaktësim të këtij fronti të saj, duke detyruar 5 shtetet jonjohëse ta bëjnë këtë(?) Kjo është temë që meriton një artikull tjetër….

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin