MENU
klinika

Vendimi

Zheji: Nëse Tahiri dënohet, gris kontratën e heshtjes dhe flet pa kode!

04.02.2022 - 17:14

Analisti Artur Zheji tha në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, se nëse ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dënohet nga gjykata, do të nisë të flasë pa kode.

Sipas Zhejit, rasti i Tahirit është dramatik, pasi ka shumë njerëz që kanë bërë shumë më tepër se ai dhe sot janë të lirë, madje bëjnë edhe politikë.

Nga ana e tij, avokati Spartak Ngjela tha se gjykatësve ju duhet kohë për të arsyetuar vendimin për ish-ministrin, ndërsa shtoi se rasti i tij nuk ka lidhje me rastin e Presidentit Ilir Meta. Por, sipas avokatit, “Shtëpia e Lirisë” ka lidhje me Ilir Metën, duke shtuar me ironi se ajo duhet të quhej “Shtëpia e korrupsionit”.

Pjesë nga diskutimet:

Ngjela: Ai ka qenë ministër i Brendshëm, nuk kam pasur përshtypje të keqe, por nëse ka shkelur ligjin, e ka shkelur. Duhet të shoh vendimin e gjykatës, për të thënë nëse ka pasur të drejtë apo jo.

Zheji: SPAK ka kërkuar 12 vite, ku dalin në 8 vite me gjykim të shkurtuar. Gjykata mund të marrë dhe një vendim tjetër, burgosje apo vuajtje dënimi në gjendje të lirë. Mendoj se rasti i Tahirit është një rast dramatik, sepse ka shumë njerëz që kanë bërë shumë më tepër se ai. Do dënohet për kanabizimin e Shqipërisë, kur ne e dimë që jo vetëm kanabizimi vazhdon, por gjithnjë e më tepër po shkohet drejt legalizimit. Nëse ka gjëra të tjera, që lidhen me drogëra të rënda, korrupsion, etj., mendoj se edhe në këtë rast kemi shumë shtyrje të gjykatës, pra është një ngërç i madh. Ka shumë të tjerë, që populli i tregon me gisht si më të korruptuar se Tahiri, por që janë të lirë, madje bëjnë edhe politikë. Ka gjithmonë një presion të madh në dhomat e këshillimit të gjykatës, ku duhet të merret vendimi.

Ngjela: Është arsyetimi i vendimit. Janë të detyruar për një rast të tillë të mos thonë që vendimi shpallet nesër. Është arsyetimi i gjykatës, që krijon vonesë në këtë rast. Gjyqtarët nuk i mbushin mendjen njëri-tjetrit si do votojnë, por nuk mendoj se votimi zgjat shumë, por arsyetimi po. Arsyetimi i një vendimi të tillë zgjat 3-4 orë.

Zheji: Nëse shkarkohet Meta, kryetarja e Parlamentit merr kompetencat, duke krijuar kështu një krizë presidenciale. Tani, kush është efekti domino. Nëse Edi Rama do të arsyetojë do ta bëjë Presidentin me arrogancën e numrave, por nuk i ka numrin. Megjithatë, Kushtetuta me ndërhyrjet e pista, ka arritur në një gjë që pas raundit të tretë bëhet me 71 numra. Pra, ti mund ta futësh një President edhe nëse nuk pranon opozita. Këtu kemi një efekt domino, nëse Rama do të lëshojë pushtet. Do të kemi një debat shumë të madh. Po ndërkombëtarët çfarë do të thotë, që duhet më shumë pushtet në një dorë, apo do të ketë balancë?

Në rastin e Tahirit, nëse ai dënohet, normalisht që e gris kontratën e heshtjes. Tahiri nuk është një person që ka mbirë nga hiqi, ka qenë pjesë e një qeverie. Ka folur disa herë me kode, në momentin që dënohet nuk mbetet më një komunikim i koduar, por çkodohet.

Ngjela: Kjo e Tahirit është e vjetër. Ka kaluar procese prej dy vitesh, nuk ka lidhje me Metën. Sipas të dhënave të mia, procesi ndaj Tahirit ka qenë ndërkombëtar, ka filluar në Itali. Pa vendimin e gjykatës, nuk mund të flasim dot, se dalim blof. Unë nuk shoh lidhje mes Metës e Tahirit. Midis Metës dhe asaj “Shtëpisë së madhe të Lirisë” natyrisht që ka lidhje. Meqë ka qenë brenda Meta e Saliut, nuk është “Shtëpia e Lirisë” ajo është “shtëpia e korrupsionit”. E kuptoni në ç’gjendje vobektësie ndodhet koshienca e shtetit në Shqipëri? Ata, njëri është i dënuar me “non grata” për korrupsion, duhet të kishte futur kokën e të mos dilte. Injorantë na di neve ai? T’i thoshte “Shtëpia e forcës” të paktën, se ka para të vjedhura.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vendimi i Gjykatës së Posaçme e Apelit për Saimir Tahirin

Ç’do ndodhë me ish-ministrin e Brendshëm?