MENU
klinika

Mësojini...

10 mite rreth menopauzës që nuk duhet t’i besojmë më

07.03.2022 - 15:56

Menopauza është një pjesë e natyrshme dhe normale e jetës së çdo gruaje, ashtu si menstruacionet e saj. Ndodh kur femrat fillojnë të plaken, më konkretisht kur ulen nivelet e estrogjenit. “Bright Side” ka mbledhur një listë të disa miteve të menopauzës që janë hedhur poshtë dhe ne do të dëshironim të ndajmë me ju të vërtetën pas secilit prej tyre.

1. Nëse keni afshe, humbje të kujtesës ose shtoni peshë, jeni duke përjetuar menopauzë.

Vetëm për shkak se disa gra mund të thonë se po përjetojnë afshe gjatë menopauzës, nuk do të thotë domosdoshmërisht se edhe ju do të përjetoni. Në fakt, afshet ose simptoma të tjera të pakëndshme mund të ndodhin para menopauzës (perimenopauzë). Menopauza nuk shkakton shtim në peshë dhe humbje të kujtesës. Ju ndoshta keni shtuar peshë ose keni harruar çelësat e shtëpisë tuaj për shkak të faktorëve mjedisorë apo plakjes.

2. Menopauza fillon gjithmonë në moshën 50 vjeçare.

Ju mund të filloni të jeni në menopauzë edhe 30-vjeçe, gjithçka varet nga medikamentet që mund të merrni, nëse pini duhan apo prej disa operacioneve që keni pasur. Edhe pse mosha mesatare e arritjes së menopauzës është 51-vjeçe, gratë mund ta kenë edhe në të 40-at.

3. Nuk do të keni më dhimbje sapo të hyni në menopauzë.

Pak para fillimit të menopauzës, mund të përjetoni dhimbje dhe ngërçe në zonën e legenit edhe kur nuk jeni në ciklin tuaj. Indet muskulore janë blloqet ndërtuese të mitrës tuaj dhe ato mund të shtypen dhe të shkaktojnë një përvojë irrituese, por gjithmonë mund të merrni një jastëk ngrohës për të lehtësuar dhimbjen.

4. Nuk është e mundur të mbeteni shtatzënë menjëherë para menopauzës.

Është e vërtetë që sa më shumë të rriteni, aq më pak ka gjasa që të mbeteni shtatzënë. Megjithatë, gratë ende ovulojnë menjëherë para menopauzës edhe nëse kanë humbur periodat. Duhet të jeni të kujdesshme sepse mund të jetë e rrezikshme të mbeteni shtatzënë kur jeni më të vjetra, veçanërisht për gratë që kanë sëmundje të caktuara.

5. Menopauza është një sëmundje.

Menopauza nuk është një sëmundje, është vetëm një kapitull i jetës suaj siç është puberteti. Është fillimi i gjysmës së dytë të jetës suaj dhe duhet parë pozitivisht.

6. Nëse keni humbur periodat, jeni në menopauzë.

Duhet një vit pa perioda për të ditur me siguri se keni hyrë në menopauzë, kështu që thjesht prisni. Përgjatë 12 muajve, nëse një muaj iu kanë ardhur menstruacionet dhe muajt e tjerë jo atëherë nuk mund të jeni e sigurt nëse keni arritur menopauzën.

7. Simptomat e menopauzës zgjasin përgjithmonë.

Kur arrini menopauzën, nivelet tuaja të estrogjenit bien dhe kur kjo ndodh, duhet kohë që trupi juaj të mësohet me të, sepse gjithçka ndodh ngadalë dhe simptomat mbeten aty, por jo përgjithmonë. Në përgjithësi, simptomat janë më shqetësuese në fillim (dy vitet e para). Ato mund të zgjasin rreth 4 vjet e gjysmë pas menstruacioneve tuaja të fundit dhe maksimumi 7 vjet.

8. Menopauza shkakton depresion.

Ekziston një ndryshim i madh midis depresionit klinik dhe ndryshimeve të humorit si rezultat i menopauzës. Depresioni klinik është një çrregullim dhe ka nevojë për trajtim, ndërsa një humor depresiv është kur orbitoni rreth ndjenjave të trishtimit.

9. Është tepër vonë për t’u bërë të shëndetshëm.

Është gjithmonë e rëndësishme të qëndroni të shëndetshëm dhe të jeni të shëndetshëm, në çdo moshë. Për ta bërë këtë, është një prioritet kryesor që të merrni shumë vitaminë D dhe kalcium, të zvogëloni pirjen e duhanit dhe të siguroheni që shëndeti juaj mendor dhe emocional të jetë në rrugën e duhur.

10. Terapia e zëvendësimit të hormoneve shkakton sëmundje të zemrës dhe kancer të gjirit.

Një nga arsyet kryesore që gratë janë kundër terapisë zëvendësuese të hormoneve është sepse ato besojnë se mund të shkaktojë kancer gjiri, sëmundje të zemrës ose goditje në tru. Megjithatë, një studim i kryer tregoi se gratë mbi 60 vjeç kanë përfituar shumë nga terapia e zëvendësimit të hormoneve dhe gratë që nuk e marrin këtë terapi para moshës 60 kanë një rrezik më të madh për të zhvilluar sëmundje të zemrës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përgjigjet mjeku androlog

A ekziston menopauza tek meshkujt?