MENU
klinika

Carlo Bollino

6 marsi, qartësitë e konfirmuara dhe mitet që u rrëzuan

07.03.2022 - 16:58

Rezultatet e 6 marsit konfirmuan disa qartësi dhe rrëzuan shumë mite. Qartësia e parë është se zgjedhësit e Partisë Socialiste i qëndrojnë besnikë Edi Ramës dhe në çdo kusht, edhe nën dëborë, paraqiten të përpiktë për të votuar. Kjo shpjegon (pjesërisht) pse edhe në një rënie të fortë të pjesëmarrjes, PS i ka shtuar kudo përqindjet. Pastaj janë rastet e veçanta si në Shkodër dhe në Dibër, kur edhe numri i votave socialiste është shtuar në krahasim me zgjedhjet politike të 2021.

Qartësia e dytë e konfirmuar nga rezultatet është se edhe baza e Sali Berishës është besnike ndaj tij dhe në fakt e voton edhe pse është i shënjuar nga SHBA si i korruptuar dhe armik i demokracisë. Berisha ka marrë vota deri edhe në Gërdec dhe në Porto Romano ku dërgoi të bëjë fushatë zgjedhore dhëndrrin e tij, që bashkë me të bijën kishin mashtruar fshatarët e zonës duke ua blerë tokën me një çmim të ulët për t’ja rishitur dy javë më pas Damir Fazlliçit me dyfishin e çmimit. Eshtë e dukshme se Berishën vazhdojnë ta e votojnë vetëm pjesa radikale (dhe e verbër) e elektoratit, e llogaritur mes 15 dhe 20%, që gjithësesi mbetet një forcë e konsiderueshme politike, por shumë larg mundësisë për t’u bërë shumicë në vend. Report TV dhe Shqiptarja.com ishin dy mediat e vetme që llogaritën që gjatë natës në kohë reale (qv për qv), diferencën e votave të djeshme në krahasim me ato të marra me 25 prill. Pikërisht krahasimi mes votave të marra një vit më parë nga LSI me ato të mbledhura dje nga koalicioni “Shtëpia e lirisë”  (që bashkon Metën me Berishën), tregon rritjen e fituar falë doktorit. Një rritje që konfirmon qartësinë e tretë, pra se LSI është në vend numëro ose ndoshta edhe në rënie.

Qartësia e katërt në fund, për fat të keq për Lulzim Bashën, është se opozita deri tani ka humbur edhe për faj të tij: lidershipi i tij është i dobët dhe fakti se edhe sot u kacavjerr nëpër pasqyra duke e përkufizuar 6 marsin “një anomali e një anomalie” duke shpresuar t’i heqë vlerë politike, nuk justifikon në asnjë mënyrë disfatën e tij të disatë. Reforma politike që edhe sot iu kthye duke e konsideruar të domosdoshme për të “normalizuar vendin”, ka të ngjarë që në fantazinë e tij do të jetë perfekte vetëm kur të shmangë përballjen në kuti votimi dhe do të fiksojë një rotacion mekanik mes partive të shumicës dhe pakicës, për t’u alternuar çdo 4 vite në drejtim të vendit. Si të thuash që vetëm pa bërë zgjedhje, ai mund të bëhet një ditë kryeministër.

Deri tani konfirmimet. Po cilët janë mitet e rrëzuara?

1)  Miti i parë i rrëzuar është ai që Edi Rama fiton sepse opozita është e përçarë. Partia Socialiste kapërceu kudo 50% të votave, përveç Shkodrës, ku gjithësesi pati një rritje të konsiderueshme votash. Si të thuash se, edhe nëse Basha, Berisha dhe Meta të kishin shkuar bashkë në zgjedhje, do të kishin humbur gjithësesi 5 bashki në 6. Partia Socialiste fiton sepse Edi Rama është më bindës së opozita, ose, nëse preferoni, sepse opozita është më pak e besueshme se Edi Rama.

2)  Miti i dytë i rrëzuar është se nuk mjafton të kesh mbështetjen e ndërkombëtarëve për të fituar zgjedhjet. Lulzim Basha, është humbësi i vërtetë i 6 marsit, edhe pse gëzonte deri më sot mbështetjen e plotë të Departamentit të Shtetit, të Bashkimit Europian dhe të së palodhurës Yuri Kim që e ka mbrojtur në çdo mënyrë. E megjithatë humbi thellë gjithësesi.

3) Miti i tretë i rrëzuar është se prania e Berishës brenda PD-së, me radikalizmin e tij ekstrem, mbante larg pjesën e moderuar të elektoratit të djathtë. Tani kjo pjesë e moderuar e kishte mundësinë të tregonte mbështetjen e saj me një PD të lirë nga berishizmi, por nuk e bëri. Përkundrazi, humbja e pësuar nga PD e Bashës është më e madhe se rritja e përfituar nga LSI me Berishën. Kjo do të thotë se jo vetëm Basha nuk arriti të bindë të moderuarit që deri tani nuk kishin votuar për PD, por ka bërë që të largohet edhe një pjesë e elektoratit të vet të moderuar. Edhe në Rrogozhinë, bashkia e vetme ku Basha mori vota më shumë se Berisha, ndaloi në 21.8% kundër 37.3% të marra një vit më parë.

4) Miti i katërt i rrëzuar është i ngjashëm me të tretin, por parë nga ana e Berishës. Propaganda me të cilën doktori u përpoq t’ja përcillte Bashës të gjithë përgjegjësinë e humbjeve të përsëritura të PD-së, u përgënjeshtrua nga rezultatet modeste zgjedhore të marra dje. Nëse me të vërtetë Basha do të kishte mbajtur larg nga PD një pjesë të elektoratit tradicional të së djathtës, Berisha tani që u kthye në fushë vetëm do të duhej ta kishte mbledhur. Në të vërtetë kjo gjë nuk ndodhi. Sigurisht që Berisha do të varë në gjoks medaljen e fitores në Shkodër, kështjellë historike blu ku PD ka humbur vetëm kur nuk është paraqitur në zgjedhje, por është si një fitore e Pirros që do t’i shërbejë Berishës vetëm për të ndezur betejën e tij brenda partisë dhe asgjë tjetër. Rezultatet flasin qartë se përse ai dhe koalicioni i tij, jashtë Shkodrës, mbeten një forcë dukshëm minorance dhe mbeten humbës edhe nëse do të bashkoheshin me PD tradicionale.

Rezultatet e 6 marsit tregojnë se në këtë moment si Berisha ashtu dhe Basha janë letra të djegura për një opozitë që ëndërron të kthehet në pushtet, me ose pa Ilir Metën në krah tyre. E vetmja mënyrë për të ndryshuar gjërat është të shkojnë në shtëpi që të dy.  Zgjedhësit shqiptarë po tregojnë se gjuha e dhunës, e akuzave dhe e shpifjeve nuk prodhon konsensus. Nuk fiton as kur denoncon skandale, pasi për ta bërë këtë duhet të kesh treguar se je më i ndershëm se ata që akuzon. Dhe se, kur zgjidhet rruga e moderacionit, si Basha u përpoq ta bëjë në muajt e fundit, është i domosdoshëm të zëvendësohet agresiviteti me besueshmërinë personale. Pra është një çështje lidershipi. Ndërkohë Edi Rama, që lidership ka deri edhe tepër, i stërfitoi këto zgjedhje pa bërë fushatë fare, duke rrëzuar edhe mitin e pestë: që ai fiton vetëm kur blen votat. Por çfarë votash kishte interes për të blerë në zgjedhjet që nuk i ka kushtuar asnjë vëmëndje? Nuk e dimë nëse ai është i kënaqur nga kjo fitore e thellë , por një gjë është e sigurtë se një opozitë pa shpresa nuk është një gjë e mirë për vendin. Aq më tëpër sot, me një luftë tragjike në prag të shtëpisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zgjedhjet e pjesshme/ Reagimi i Kryeministrit

Rama: Arritëm rezultatin që prisnim, 5 nga 6 bashkitë!