Këngëtar në nisje të karrierës, piktor, fotograf e kritik me interes për gjithçka rreth artit e për artin, Robert Aliaj është bërë herë pas here, objekt debatesh të nxhehta për kulturën shqiptare të jetesës e filozofisë së qenies…
Së fundmi, pas dialogjeve të ashpra gjatë spektaklit “Love Stroy” dhe me largimin nga ky format, Aliaj nuk i ka ndalur akuzat. Në një interviste dhënë për emisionin “Natë me Aulonën”, artisti tha se në këto kohë, televizioni po “shet prostitucion, çdo ditë”.
Si një personalitet me jetë dhe veprimtari artistike jashtë dhe brenda vendit, ai vëren dhe e thotë me zë të lartë, se… në Shqipëri, ofrohen modele të padenja për shoqërinë dhe pjesa më e rrezikuar, janë të rinjtë!
Këtë mesazh, ai e ka për të gjithë shqiptarët:
“Televizioni shet pa frikë, prostitucion, çdo ditë. E ke të mbushur fare!
Ne u çojmë nëpër sofra njerëzve, imoralitet pa fund. Vishemi si ato vajzat e trotuareve dhe ua nxjerrim njerëzve në darkë, njerëzve që shohin televizor se nuk kanë jetë.
Televizioni e di çfarë është: është mundësia e dytë për njerëzit këtu në Shqipëri, ku nuk ka jetë kulturore, ku ti nuk ke ku shkon…
Televizioni është solucioni, si në kohën e diktaturës.
Televizioni, duhet të ketë brenda edukimin… Ndërkohë, këtu nuk ka fare lidhje me edukimin”– u shpreh Aliaj.